Dialog memecesh

Dialog memecesh

Loja “luftash” njëzetvjeçare që kanë zhvilluar mes tyre partitë politike, e ka lodhur tashmë qytetarin shqiptar, si dhe kanë prodhuar një dëm të madh për imazhin e vendit, por edhe për stabilitetin e tij politik e ekonomik e social

Seanca e fundit e Kuvendit ka qenë veçanërisht e nxehtë, vulgare dhe e dhunshme për sytë e veshët e tre milion shqiptarëve, por edhe shumë të huajve që mbajnë shënim nga kati i dytë i sallës plenare të parlamentit. Madje këta të fundit e panë pa dashje veten, në rolin e palës së thirrur në kauzë. Pas një akuze të Berishës për një punonjëse shqiptare të OPDAT, ambasada amerikane lëshoi një deklaratë për mediat, ku me tone të forta i kërkonte ish-kryeministrit të tërhiqte akuzat. Ky është vetëm një episod i asaj që ndodhi të enjten në Kuvendin e Shqipërisë, ku tashmë duket e thërmuar çdo shpresë për paqe dhe dialog. Ndërkohë që Tirana po mbushet me çadrat e bardha të grevistëve dhe kur deputetët po kacafyten korridoreve të parlamentit, afrimi i vendimit për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë, duket se ka nxehur më shumë se kurrë klimën politike në vend. Tashmë shqiptarët këqyrin të pafuqishëm sesi klasa politike ka dalë jashtë kontrollit, duke futur në kurs përplasjeje edhe shumë shtresa sociale, si ish-të përndjekurit, të larguarit nga administrata dhe të tjerë persona që parimisht nuk kanë lidhje me zhvillimet në ngrehinën e politikës.


Nëse do të bëhej një listë, se cilat ishin pikat më të nxehta të krizës shqiptare, ashtu siç ajo fotografohet tani, shumëkush do të rendiste si të tilla respektimin e ligjit, ekonominë, pronat, korrupsionin, krimin apo infrastrukturën. Të gjitha janë të sakta dhe qëndrojnë. Tranzicioni shqiptar ka qenë i gjatë dhe i vështirë. Gropat që ai ka lënë rrugës, ende s’janë mbushur, disa prej tyre shihen që larg, të tjerat janë më “tinzare” e mezi dallohen.


Por ka në këtë listë krizash, një piketë e cila mbetet e palëvizur dhe e pazgjidhur që prej ditës kur shqiptarët rrëzuan regjimin komunist dhe i hynë rrugës së demokracisë. Fjala është për paaftësinë kronike dhe të tejzgjatur për të bashkëpunuar, për të negociuar dhe për të arritur kompromise të qëndrueshme e afatgjata. Kurrë nuk kanë ditur të flasin mes tyre politikanët shqiptarë. Edhe kur kjo ka ndodhur, është mbajtur mend gjatë si një episod i izoluar, a thua se ka qenë fjala për ndonjë epidemi apo anomali të papritur. Në fakt kompromiset kanë qenë përjashtimi në jetën tonë politike, kurse konflikti dhe mosmarrëveshjet ka qenë “normaliteti” i demokracisë shqiptare.


Në vitin 2002, Fatos Nano, atëhere kryeministër dhe Sali Berisha, shef i opozitës, i dhanë jetë të parit kompromis të madh politik, pas krizës së vitit 1997. U zgjodh kreu i shtetit dhe mori udhë zgjedhja e kryeprokurorit. Pas asaj stine afrimi, kur dy liderët politikë i kapi një dashuri i habitshme (po aq anormale sa edhe armiqësia me të cilin ishte luftuar), PD e PS kanë qenë në llogoret përkatëse, duke bashkëpunuar “me pikatore” e në mënyrë të sforcuar. Edhe viti 2008, kur palët ndryshuan Kushtetutën me një negociatë-rrufe në distancë, Berisha e Rama nuk i dhanë fare dorën njëri-tjetrit. Ata i bashkoi, rastësisht, tragjedia e Gërdecit, kur kryesocialisti i rrahu shpatullat në formë ngushëllimi kryeministrit, në një gjest që do t’i kushtonte jo pak vetë Ramës më vonë. Pasi u desh një kohë e gjatë dhe një lumë përplasjesh, që dy liderët të takoheshin larg vendit, në Strasburg, në prani të ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër, që nga 23 qershori dhe zgjedhja e Bashës në krye të partisë, Rama dhe lideri i ri demokrat nuk janë takuar asnjëherë mes tyre. Në të kundërt, i vetmi “komunikim” mes dy anëve, është lufta e përjavshme e Berishës dhe kryeministrit në parlament.


Kjo kronologji e shkurtër është mëse e mjaftueshme, për të dokumentuar thatësirën që ka mbretëruar në vite në marrëdhëniet mes palëve. Tashmë, kur nga zgjedhjet e 23 qershorit po mbushet viti, është ezauruar edhe fryma pozitive që këto zgjedhje prodhuan, me rotacionin paqësor dhe rezultatin e qartë e të pakundërshtuar nga humbësit. Në një-vjetorin e zgjedhjeve, politika shqiptare ka hyrë edhe një herë në llogoren historike dhe dueli Rama-Berisha ngjan tashmë pikë për pikë me përballjet e vjetra mes krerëve kryesorë.


Ndërkaq, nevoja për dialog dhe kompromise bëhet përditë e më therëse. Ndryshimet kushtetuese, reformat e mëdha strukturore dhe ato në kuadër të proceseve integruese, presioni ndërkombëtar për bashkëpunim – janë që të gjithë faktorë që e nxjerrin në plan të parë domosdoshmërinë për normalitet dhe dialog të pandërprerë mes palëve. Sepse klima e luftës që ka shoqëruar rregullisht jetën tonë politike, ka bërë që shumë punë të mira në kuadër të qeverisjes, të shtyhen apo ngecin peng, dhe që dialogu të zëvendësohet nga hiletë dhe mesazhet në distancë. Kur politikanët nuk merren vesh mes tyre, humbet vetë thelbi i sistemit në të cilin ndodhemi. Loja “luftash” njëzetvjeçare që kanë zhvilluar mes tyre partitë politike, e ka lodhur tashmë qytetarin shqiptar, si dhe kanë prodhuar një dëm të madh për imazhin e vendit, por edhe për stabilitetin e tij politik e ekonomik e social. Një kosto që po rritet në proporcion aritmetik me kalimin e viteve, për shkak të një grushti njerëzish me pushtet, që refuzojnë me kokëfortësi të mësojnë abc-në e një shoqërie demokratike: bashkëjetesën dhe komunikimin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama