Dhunim i ligjit ne emer te drejtesise Pse reforma nuk mund te votohet me 21 korrik

Dhunim i ligjit në emër të drejtësisë  Pse reforma nuk mund të votohet më 21 korrik

Ishte fillimisht ambasadori amerikan Donald Lu dhe pastaj edhe burime të tjera, që bënë të ditur se reforma në drejtësi do të votohet në Kuvend në datën 21 korrik.

Nëse kjo ndodh, atëhere reforma në drejtësi do të votohet në kundërshtim të hapur me ligjin--pra do të kemi një shkelje të ligjit në emër të një drejtësie të pritshme.

Sikurse theksuam para disa ditësh në një artikull tonin, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve të Kushtetutës bëhet më procedurë të veçantë dhe të mirëpërcaktuar parlamentare. Procedura është parashikuar në detaje në nenin 77, pika a dhe pika b, të Rregullores së Kuvendit--ligji themelor i cili përcakton procedurat dhe rregullat e organizimit, veprimtarisë dhe miratimit të ligjeve nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas Rregullores, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend duhet të ndjekë fazat dhe hapat e mëposhtëm:

a) Njohja e Kuvendit me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës

b) Shqyrtimi në komisione

c) Shqyrtimi dhe miratimi në seancë plenare

Është e qartë më sipër, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese kërkon detyrimisht të paktën 4 javë kohë --me shumë gjasa, edhe disa javë më shumë.

Në bazë të kësaj procedure të detyrueshme ligjore, reforma në drejtësi, e cila përfshin ndryshime kushtetuese, ka pak gjasa të miratohet brenda sesionit të tanishëm të Kuvendit, i cili përfundon brenda korrikut, pra brenda rreth 4 javësh.

Procesi i ndryshimit të Kushtetutës është përcaktuar qëllimisht të jetë i gjatë, të lejojë distancë kohore mes hapave të ndryshëm, si dhe transparencë të plotë ndaj publikut me qëllim që të lejojë jo vetëm kohë për çdo reflektim të mundshëm, por edhe t'i japë mundësi opinionit publik të krijojë gjithashtu mendimin e tij dhe ta përcjellë atë tek përfaqësuesit e tij në Kuvend.

Ndryshimi i Kushtetutës është akti më i rëndësishëm dhe më me pasoja që mund të marrë një legjislaturë dhe, si i tillë, ai duhet të bëhet duke lejuar kohë të mjaftueshme për shqyrtim, studim e reflektim serioz.

Përcaktimet ligjore të miratimit të amendameneteve kushtetuese janë krejtësisht indiferente ndaj mënyrës si hartohen ndryshimet kushtetuese: ato mund të hartohen në çdo mënyrë dhe nga kush do, mjafton që ato t'i propozohen zyrtarisht Kuvendit nga të paktën 28 deputetetë.

Në këto kushte, pavarësisht se ndryshimet e propozuara janë hartuar me komision të posaçëm parlamentar, kjo gjë nuk ndryshon mënyrën e shqyrtimit dhe miratimit të tyre në Kuvend, pasi ligji qartësisht nuk lejon asnjë përjashtim dhe nuk lë vend për asnjë lloj interpretimi.

Përpjekja e PS-së për të "interpretuar" se meqë ndryshimet janë hartuar nga një komision parlamentar, kjo gjë lejon shqyrtimin e amedamenteve direkt në seancë plenare është abuzive dhe shkelje e hapur ligjore. Ky interpretim është njësoj sikur të thuash që meqë ndryshimet janë rënë dakord nga PS dhe PD atëhere nuk ka nevojë fare për t'u miratuar në Kuvend.

Një gjë është e qartë: ligji përcakton se shqyrtimi parlamentar i amendamenteve ka të bëjë jo vetëm me deputetët, por është një proces që përfshin informimin dhe transparencën ndaj publikut. Kaq do të mjaftonte që të mos shmangej asnjë hap i parashikuar në ligj.

Duhet thënë gjithashtu se Rregullorja e Kuvendit ishte një nga tre ligjet, miratimi i të cilëve, u vu si kusht i pangociueshëm nga BE-ja për dhënien e statusit të vendit kandidat në vitin 2013. Sot duket absurde që BE duket e gatshme të lejojë shkeljen e tij dhe të përkrahë indirekt një nga problemet kryesore të Shqipërisë: miratimin me ligjeve në letër dhe injorimin e tyre në praktikë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama