Deshton debati i vetem publik i fushates Grida anulon perballjen me Dakon. Ja arsyet

Deshton debati i vetem publik i fushates, Grida anulon perballjen me Dakon. Ja arsyet

Teksa do të ishte i vetmi debat publik i kësaj fushate elektorale, me kandidatëve për Bashkinë e Durrësit, edhe ai ka dështuar në momentet e fundit. Kandidatja e Partisë Demokratike Grida Duma ka anuluar pjesëmarrjen në një debat televiziv në studion e gazetarit të Top Channel Alban Dudushi, përballë rivalit të saj në garën elektorale, Vangjush Dako.

Ashtu siç sqaroi edhe Gazetari Dudushi, në nisje të emisionit, gjithçka ka dështuar mbrëmjen e djeshme.

Zonja Duma, tha Dudushi, ka bërë një telefonatë në redaksinë e “Top Show”, me kërkesën për të publikuar sonte në emision disa materiale filmike, për të cilat kërkoi edhe miratimin e zotit Dako. Por ky i fundit nuk ka pranuar dhe shpjegimin për këtë ai e dha në emision.

”Duhet t’i mbahemi dakortësisë që kemi rënë përpara”,- tha Dako, pasi gazetarët kishin përgatitur më herët skenarin e emisionit në bashkëpunim edhe me stafet që punojnë pranë kandiatëve.

Por zonja Duma, e ka dhënë në distancë shpjegimin e saj, përmes kësaj letre të publikuar edhe më poshtë. Aty sqarohet se zonja Duma ka dashur të shfaqë sonte në emision materiale ku tregohen sipas saj “dëshmi të tentativës së blerjes së votës dhe betonieret e kompanisë së familjes që punojnë në punët publike”.

Ja letra e zonjës Duma:

I dashur z.Dudushi,

Sa më takon mua, e kam bërë të ditur publikisht, që duhet të ketë një debat mes dy kandidatëve.

Z. Dako pasi ka konfirmuar disa herë pjesëmarrjen e tij në debate përballë qytetarëve të Durrësit, duke u tërhequr në momentin e fundit, siç ishte Forumi Durrsak, apo Organizata studentore e Durrësit. Po ashtu ka refuzuar debatin edhe në studio të tjera televizive.

Ndonëse debati në emisionin tuaj do të ishte i vetmi, sërish u kushtëzua kur kërkuam që në materialet tona të kishim edhe video dhe materiale të tjera, ku shfaqeshin dëshmi të tentativës së blerjes së votës dhe betonieriet e kompanisë së familjes që punojnë në punët publike, si  dhe foto nga kapanonet ku bashkëpunëtorët dhe punonjës të bashkisë kishin regjistruar me qindra familje.

Më vjen keq për faktin që kandidati tjetër nuk e pranoi përballjen e vërtetë.

Në mënyrë të paarsyeshme, kandidati Dako ka refuzuar kushtet e normale për debat sonte, dhe në vend të saj pranoi vetëm një format ku kënaqëshin kërkesat e tij, dhe kur kërkonte që pyetjet dhe përgjigjet të ishin të paracaktuara.

Kur u vu në dijeni që do të shfaqeshin  materiale filmike ai nuk e pranoi debatin.

Refuzimi i tij prej gjashtë herësh dhe vendosja kushteve që nuk lejonin shfaqjen e materialeve dhe nuk lejonin debat, por thjeshte pyetje përgjigje te paracaktuara, nuk është standard i përballjes që kërkojnë qytetarët.

Si i tillë, formati nuk është më neutral dhe i paanshëm.

Z. Dako, me sa duket, ka frikë nga provat dhe faktet, sepse, me sa duket, është i përqendruar vetëm te blerja e votës së qytetarëve.

Është zhgënjyes fakti që një kandidati nuk i jepet mundësia të shfaqë në një debat televiziv materialet e veta, mbështetëse të platformës për qeverisjen e qytetit.

Duhet që Dako të jetë i hapur ndaj çdo argumenti dhe fakti në fushatë dhe nëse bie dakord jam mëse e lumtur të marr pjesë në një dëbat pa kushte.

Jemi vetëm 5 ditë larg ditës kur qytetarët do të gjykojnë me votë dhe vendosin mes modelit të frikës nga e vërteta dhe të  modelit tjetër që unë ofroj.

 

Po çfarë tha zonja Duma më 8 Maj, e ftuar në po këtë emision televiziv? Gazetari Dudushi prezantoi një metarial filmik ku Grida tha: E mirëpres në çdo moment zotin Dako, madje do t’ju lutesha juve të ma sillnit në debat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama