Delegacioni i BE-se ne Vjene Nje reforme e plote ne gjyqesor mbetet vendimtare

imagesTIRANE, 18 Shtator/ATSH/- Delegacioni i Bashkimit Europian pranë OSBE-së në Vjenë, ka përshëndetur raportin e mbajtur përpara Këshillit të përgjithshëm të kësaj organizate, nga kreu Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Florian Raunig.

Në një komunikatë për shtyp, Delegacioni i BE-së mirëpret raportin e përgjithshëm të OSBE-së për zgjedhjet e 21 qershorit në Shqipëri.

"Në raportin e Shqipërisë janë bërë përpjekje të konsiderueshme por janë të nevojshme edhe disa reforma të tjera në një numër fushash të rëndësishme të tilla si: reforma e administratës publike, reforma në sistemin gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut duke përfshirë edhe ato kundër diskriminimit si dhe e drejta për lirinë e fesë apo besimit.

"Pavarësisht përparimit në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar, ai është ende i përhapur në shumë fusha duke përfshirë edhe gjyqësorin dhe mbetet një problem serioz. Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj dhe të zbatojë strategjinë dhe planin e veprimit anti-korrupsion të miratuar rishtaz. Lufta kundër krimit të organizuar tregon një trend pozitiv në një numër fushash, me një intensifikim të aktiviteteve të zbatimit të ligjit duke përfshirë krimet e lidhura me drogën, krimin ekonomik dhe trafikimin e qënieve njerëzore. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mesin e zyrtarëve të nivelit të lartë duhet të mbetet një prioritet i lartë", thuhet në deklaratë.

BE thekson më tej se një reformë e plotë në gjyqësor mbetet vendimtare.

" Përpjekje më e madhe është e nevojshme për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, me gjyqtarë të përgjegjshëm që respektojnë sundimin e ligjit. Reforma efektive në drejtësi është potencialisht transformuese për Shqipërinë dhe do të mbështesë veprime të tjera për të trajtuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ajo gjithashtu do të inkurajojë investimet e huaja dhe rritjen ekonomike, përmes një klime të drejtë, të bazuar në rregullat e biznesit", thekson BE.

Në deklaratë nënvizohet se "një dialog i qëndrueshmë politik mes qeverisë dhe opozitës dhe puna konstruktive në Parlament, mbeten elemente të rëndësishme për një proces reformash të suksesshme". Në këtë drejtim, BE i bën thirrje të gjitha të përqëndrohen dhe të rifillojnë dialogun politik në frymën e transparencës dhe modelimit".

BE shton se "ne i mirëpresim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it me qëllim përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri në përputhje me angazhimet dhe standardet e OSBE-së. BE inkurajon Shqipërinë për të zbatuar këto rekomandime dhe ato të raporteve të mëparshme. Ne i përgëzojmë përpjekjet e Shqipërisë në njohjen e sfidave të përballjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe në organizmin e një samiti mbi këtë çështje në Tiranë më 19-21 maj 2015.

BE i kërkon Prezencës së OSBE-së që të përdorë të gjitha kapacitetet e institucioneve të OSBE-së dhe të punojë ngushtë dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë relevantë në mënyrë që të optimizohet rezultati në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për tu integruar në BE"./a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama