Rezervimi i ishujve apo hapësira përrallore për të zhvilluar ngjarjet më të rëndësishme të jetës është kthyer në tendencë mes atyre që mund t‘ia lejojnë vetes. Vetëm dy ditë më parë, motori gjigant i kërkimit në internet u bë "pronar" i Neclker-it, një nga ishujt e virgjër britanikë për martesën e Larry Page, njërit nga themeluesit e tij. Dëshmitari i dasmës së djaloshit supermiliarder ishte zgjedhur pronari i ishullit dhe një nga miqtë e ngushtë të dhëndrit. Page, 34 vjeç, njeriu i pestë më i pasur i Amerikës, me një pasuri prej 9 miliardë paundësh, lidhi kurorë të dielën me Lucinda "Lucy" Southworth, një studente 27-vjeçare, kandidate për të marrë doktoraturën në informatikë bio-mjekësore, që ka edhe një diplomë masteri në Universitetin e Oksfordit. Me masa të jashtëzakonshme sigurie për privatësinë e ceremonisë, mundësia më e mirë që fotografët kishin për të bërë fotografi ishin imazhet satelitore përmes
"Google Earth". Sipas dëshmitarëve, mendohet se të gjitha harxhimet për ceremoninë treditore, përfshi këtu edhe prenotimin e hoteleve përreth, do të kapnin shifrën e 500000 paundëve. Zona e rezervuar për pritjen u shtrua e gjitha me të bardha. Organizatorët pranuan se në disa pjesë të caktuara të ishullit u shtua rërë dhe u vendosën palma për t‘i dhënë vendit një pamje tropikale.
Po sipas tyre, më të shumtë në numër ishin të ftuarit e nuses, e cila është duke kryer doktoraturën në Snaford, i njëjtin universitet, ku edhe burri i saj e kishte mbrojtur doktoraturën para se të niste themelimin e "Google". Ndër urimet e shumta që iu bënë çiftit në faqen e tyre në internet, një nga miqtë e nuses kishte shkruar: "Ata janë shumë të dashuruar me njëri-tjetrin dhe e ndjekin njëri-tjetrin me sytë e ‘Google‘ gjatë gjithë kohës". Denis Hale, një tjetër mikeshë e nuses nga San Francisko, u shpreh: "Janë një çift shumë i dhënë pas njëri-tjetrit. Ajo është e zgjuar dhe e bukur, ndërsa ai i zgjuar dhe tërheqës. Janë fiks për njëri-tjetrin". Mes të ftuarve specialë në dasmë mendohej se do të ishin edhe Presidenti Bush me të atin dhe ish-presidenti Klinton së bashku me Hilarin. Kjo, pasi kunati i nuses (burri i motrës) ka qenë drejtor kombëtar i fushatës elektorale të Xhorxh Bushit në vitin 2004. Al Gore, ish-zëvendëspresidenti në kohën e Klintonit, ishte gjithashtu një i ftuar special, por që iu desh ta anulonte ftesën për shkak të nisjes në Norvegji, ku do të marrë çmimin "Nobel" për paqen. Lideri i "U2", Bono, dhe "Red Hot Chili Peppers" ishin ndër miqtë e veçantë të dasmës që nuk ngurruan të përshëndetnin çiftin me këngët e tyre më të bukura. 600 të ftuarit, që kishin ardhur nga të katërta anët e botës me avionët e tyre privatë, u çuan në ishull me anije dhe helikopterë të marrë me qira posaçërisht për këtë rast. Shumë prej tyre u akomoduan në hotelet e ishullit që ishin prenotuar disa muaj përpara dasmës, ndërsa vila përrallore me 14 dhoma e Bransonit ishte e rezervuar për çiftin dhe familjen e tij, me të cilën miliarderi anglez është mik prej katër vjetësh. Disa muaj më parë, pronari i "Virgin Group" zgjodhi shërbimin e "Google Earth" për të ndihmuar për kërkimin e mikut të tij, Steve Fossett, pas zhdukjes shtatorin e kaluar gjatë aventurave të tij "të çmendura" me aeroplan. Page është një nga bashkëthemeluesit e "Google"-it në vitin 1998 me Sergey Brin, mikun e tij rus në Stanford. Vetë Brin u martua në një ishull në Bahamas majin e kaluar. Një nga organizatorët e ngushtë të këtij evenimenti deklaroi: "Rezervimi i ishujve privatë për të organizuar evenimente të tilla po bëhet një tendencë gjithmonë e më shumë e përhapur mes milionerëve".
Nusja
Lucy Southworth, ose Lucinda Southworth, bashkëshortja e ardhshme e Larry Page, është një studente 27-vjeçare e diplomuar në vitin 2001 në Universitetin e Pensilvanisë dhe në Oksford për informatikë bio-mjekësore. Që prej vitit 2003 ajo është duke mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Stanford-it. Po ashtu, ajo ka një master për shkenca të marrë në Oksford. Të dy u njohën së bashku në "Silicon Valley" vjeshtën e kaluar.
Themelimi i "Google"
Larry Page sot është një prej meshkujve më të pasur në botë. Në të vërtetë gjithçka nisi në vitin 1996, kur dy djemtë e Universitetit të Standfordit vendosën të themelonin atë që sot është motori i kërkimit gjigant në internet, "Google". Emri i kompanisë më të madhe të kërkimit elektronik lindi si një shaka në lidhje me sasinë e informacionit që ky "motor kërkues" do të ishte në gjendje të nxirrte. Në fillim ishte "Googol", një fjalë për numrin 1 të pasuar nga 100 zero. Por kur dy themeluesit ia paraqitën projektin një investitori, ata morën një çek të nënshkruar për "Google". Pasioni i Larry-t për informatikën ishte shumë i dukshëm. I ati ishte profesor informatike në Universitetin e Miçiganit (një prej të parëve të laureuar në atë universitet, ndërsa e ëma kishte një master në informatikë, konsulente për databazën dhe jepte lëndën për programimin. Duke ndjekur gjurmët e familjes, Larry studioi në Universitetin e Miçiganit në Ann Arbor, duke u diplomuar në inxhinieri informatike në vitin 1995. Për disa kohë ishte edhe president i sesionit të Miçiganit të Eta Kappa Nu, Shoqata Kombëtare e Inxhinierëve Elektronikë më të mirë. Në pranverën e vitit 1995, Larry takoi Sergei Brin gjatë një kursi udhëzimi për studentët e rinj në Stanford dhe mes të dyve lindi një bashkëpunim i ngushtë, i cili disa muaj më vonë do t‘i çonte në themelimin e shoqërisë së tyre. "Google" sot numëron më shumë se 10000 punëtorë dhe është motori më i madh i kërkimit në botë. Sot, përmes "Google"-it bëhen më shumë se 200 milionë kërkime në ditë, gjysma e të cilave bëhet nga përdorues joamerikanë. Orët me trafikun më të madh në google.com janë mes orës gjashtë të mëngjesit dhe mesditës, ku në çdo sekondë bëhen më shumë se 2000 kërkime. Motori "Google" përfshin rreth tre milionë faqe uebi, që nëse do të stampoheshin, do të duhej një letër prej më shumë se 200 kilometër. Tre miliardë faqe uebi përkthehen në 3000 miliardë në gjuhën e "Google". Me një mesatare prej një faqeje në minutë do të ishin të nevojshme 6000 vjet për t‘i lexuar të gjitha. Edhe nëse lexoheshin për tetë orë në ditë do të duhet 18000 vjet. Po pa uikendin? Do të huheshin 2000 vjet.
Marre nga : Gazeta Shqip











