Sapo kishte mbërritur në shtëpinë e saj, kishte prekur lehtë sendet e dashura, dhe ajo çfarë e trishtonte në sy, ishte mungesa e prindërve për t‘u thënë se "ajo ia doli mbanë". Ajo arriti t‘i mundte burrat. Kur ajo nisi të hidhte vargjet e para në letër, kur kritika polake po shihte vrullin e një talenti të ri, i ati ngulmonte se një femër polake nuk mund të bëhej asnjëherë një grua e suksesshme. Ai ishte i bindur se ato poezi do të ishin pranë saj vetëm gjatë kohës së kolegjit; më pas, kur të martohej gjithçka do të harrohej. Por Wislawa kërkonte t‘i vërtetonte të kundërtën burrit që me jetën e tij aq të thjeshtë, dha një model të jashtëzakonshëm në jetën e saj. Ai i rrëfeu me veprimet e tij, se thelbi i gjithçkaje është pikërisht tek ato gjërat e thjeshta që rrethojnë jetën tonë. Fytyrën e tij e sillte në mendje, kur burrat e veshur me kostume të shtrenjta në sallën e Nobel-it duartrokitën sapo dëgjuan emrin e saj. Por, ai nuk ishte mes këtyre burrave. Ai kishte shkuar kohë më parë dhe ajo nuk mundi t‘ia vërtetonte se nuk kishte të drejtë.
Atë mbrëmje pas Nobel-it asgjë nuk mund ta qetësonte më shumë sesa fotografia e tij. Atëherë 65 vjeçe, ajo ndiente të ishte thyer aq shumë nga lumturia. Këto momente i rrëfente kohë më pas një mikja e saj. Ndërsa ajo vazhdon edhe sot të besojë se këto detaje i përkasin vetëm asaj.
Një personazh i njohur në jetën letrare polake, Szymborska është nga të paktat femra që ka marrë çmimin Nobel për poezi. Përkthyese dhe njohëse e mirë e fjalës, vargjet e saj janë një thyerje e çuditshme e realiteteve që kanë shoqëruar jetën e vendit të saj, por edhe qenien e saj si grua. Poezia nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse një përshkrim i bukur i asaj çfarë ndodh thellë brenda nesh.
Vargjet e saj të para ishin një rebelim ndaj sistemit komunist. Kritika e atyre viteve e përshkruan atë si vajzën e butë, që kërkonte të thyente me imagjinatë rregullat. Poezia e saj "A është kjo bota që duam", do ta kthente atë në personazhin më të njohur të Polonisë së atyre viteve, për të cilën do të provonte edhe arrestin. Por Szymborska asnjëherë nuk u thye. Kthimet e saj pas "torturave" e bënin më të fortë ndjenjën për të kundërshtuar. Por vetëm nëse lexon poezitë e saj, mund të kuptosh gjithë ato vuajtje që kanë shqetësuar gruan me flokët gjithnjë të shkurtër.
Jeta
Nga perdet e bardha të dritares në një shtëpi në Krakow, një vajzë e vogël rendte çdo ditë të shihte lëvizjen e trenave. "Ngrihesha shpesh nga tavolina në kuzhinë, kur dëgjoja zhurmën e trenit, dhe vrapoja për të parë lëvizjen e tij". Kështu e kujton Szymborska fëmijërinë e saj. Kujtime që orvaten gjithnjë atje, në shtëpinë ku zhurma e trenit e çante errësirën. Kur ishte nëntë vjeçe ajo shfaqi një interes për filmat. Bota e madhe e ekranit do të hapte fantazinë e Szymborskës e cila do të kërkonte të gjente pikërisht ato imazhe në jetën reale. "Në ato kohë më pëlqente të vizitoja muze". Por jeta e Szymborska-s nuk ka qenë aq e bukur, sa një mëngjes duke pritur ardhjen e trenave.
Pasioni i saj për teatrin dhe kinemanë do të ishte shumë i vështirë për t‘u realizuar, në një kohë kur Polonia pushtohet nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndryshe nga banorët e tjerë të Krakow, mamaja e saj nuk do të pranonte të linte vendin, gjë që do të bënte që Szymborska të jetonte terrorin e një atmosfere të tillë. Vite më vonë ajo do të hidhte në ditarin e saj fjali që shprehnin mllefin ndaj Hitlerit. Pas luftës ajo do të studionte letërsi në Universitetin e Krakow, periudhë që do ta bënte të lidhej më shumë me letërsinë. Nga viti 1953-1981 ajo do të punonte në gazetën "Zycie Literacia" si analiste.
Fillimet e saj si poete do të ishin në vitin 1945. Tre vite më vonë ajo do të përfundonte një koleksion poezish të cilat nuk u botuan asnjëherë në një libër. Poemat e botuara në revistat e kohës do të shfaqnin hapur tendencën e saj kundër komunistëve, gjë që do t‘i bënte këta të fundit ta ndiqnin shpesh deri në burgosje. Por pas çdo ndalese ajo rikthehej sërish në politikën editoriale duke shprehur sërish të njëjtat koncepte. Libri i saj i parë më 1952 do të shënonte një shitje të madhe. Kontributi që ajo ka dhënë në letërsi kundër komunizmit, e ka bërë jetën e saj jo të qetë. "Gjithnjë ktheja kokën pas, duke menduar se kur do të ndalojë e gjitha kjo", shkruan ajo. Poezitë e saj ishin një përshkrim i një epoke jo të lehtë për Polonine, ajo ishte zemra e mijëra njerëzve që strukeshin nën rregullat e totalitarizmit.
Dashuritë
Janë të bukura vargjet e Szymborska-s për dashurinë. Një grua mund të rrëfejë më mirë në vargje ndjesitë që të jep kjo ndjenjë. Po cilët qenë burrat që dashuroi Szymborska dhe çfarë ndikimi patën ata në jetën e saj? "Kam qenë gjithnjë e dehur nga dashuria, gjithnjë ka pasur vend në shpirtin tim për të dashuruar, edhe kur merrja plagë nga ajo". Ky rrëfim i bërë kohë më parë rrëfen fuqitë që ekzistonin brenda trupit të saj të shkurtër, ku e vetmja forcë që e bënte të fortë ishte ndjenja e të dashuruarit. Dashuria nuk është thjesht një nocion dhe ajo e dinte këtë gjë. Format me të cilat kjo ndjenjë u shfaq në jetën e saj, ajo u mundua t‘i shpjegonte në vargje. Ajo ka qenë e martuar dy herë. Por gruaja që triumfoi në çmimin Nobel në vitin 1996 nuk ka rrëfyer asnjëherë për këto martesa, duke besuar se gjithçka i përkiste asaj.
Vetëm nëse udhëton në poezitë e saj të përkthyera në shumë gjuhë të botës, mund të kuptosh fuqitë që ka pasur tek ajo një burrë, dhe lëndimin e pafund që ka pasur nga komunizmi. Asnjë grua nuk mundi të ishte aq rebele ndaj një sistemi të tillë, dhe në formën më të butë që mund të ekzistojë për t‘u rebeluar, nëpërmjet të shkruarit … Szymborska është një poete. Si e tillë, ajo mendon se detajet që kanë shoqëruar jetën e saj nuk mund të jenë më të rëndësishme se forma që ajo i ka dhënë poezisë, duke e bërë të dominojë mbi të gjitha botimet në vitin 1996, kur me një buzëkuq të fortë në buzë, ajo rrëfeu para akademisë së Nobelit se asnjëherë nuk ishte penduar që ndoqi instinktin për të shkruar kohë më parë.
Marre nga :Gazeta Shqip











