Ndoshta kritikët e operës kanë të drejtë që asnjëherë përballë kësaj vepre nuk i kanë shmangur emocionet. Pavarësisht perfomancës së saj teknike, "Fidelio" të bën t‘i rikthehesh gjithnjë atyre gjërave në thelb të thjeshta, por që e ndryshojnë aq shumë jetën tonë. Eshtë Leonorë ajo që e bën këtë prej kaq vitesh, në teatro të ndryshme të botës pa u lodhur. Të njëjtën gjë bëri dhe dy ditë më parë në skenën e Teatrit të Operës sonë. E veshur me pantallona dhe një xhaketë të gjatë si të një gardiani burri, flokët e lidhur pa kujdes ajo na rrëfeu gjithë aventurën e saj për të shpëtuar të shoqin e burgosur, duke na treguar se liria e saj kishte vetëm vlerë kur do të mbështetej në krahët e burrit që donte. "Unë shpresoj...se një ditë do të kem në krahë burrin që dua", këto ishin fjalët që ajo pëshpëriste shpesh teksa ndeshej me muret që i kishte vendosur fati, e bindur se vetëm ato fjalë do ta çonin drejt asaj çfarë donte më tepër dashurisë. Por a mund t‘i besojmë sakrificës së Leonorës sot, edhe pse jeta që ajo na rrëfen duket aq e vërtetë? "Dashuria mund çdo gjë", na thotë regjisori Michael Strum pas premierës së "Fidelios". Ndërsa një grua e moshuar fshin pambarimisht lotët teksa sheh mundimet e Leonorës në një cep të sallës së mbushur plot me spektatorë...si për të na treguar se dashuria ekziston te secili nga ata njerëz që rendin të mbushin sallën e operës, në mënyra të ndryshme.
Fabula që Fidelio shfaqi në skenën e TOB-it është pothuajse e njëjtë me atë që ka perfomuar në skena të ndryshme të botës. Një burg i mbushur me njerëz që padashur na kujton jetën tonë nën komunizëm për figuracionin që mbart, dhe Leonorë që lufton me veten për të arritur qëllimin e saj.
I njëjti Florestan, i njëjti Roko dhe e njëjta femër tjetër që ëndërron dashurinë me Fidelion.
Një opera që rrëfen të mundshmen dhe të pamundshmen, rrëfen historinë nëpërmjet një historie që në dukje të duket aq e thjeshtë dashurie. Tetori gjerman ka marrë një tjetër kuptim me shfaqjen e kësaj perle të operistikës gjermane. Ambasadori gjerman, Bernd Bochard, në fjalën e tij përshëndetëse para premierës së kësaj vepre me një shqipe të mirë u shpreh se Bethoven u flet të gjitha kohërave...
Dhe Bochard i pasionuar pas artit nuk kishte gabuar, ashtu si dhe ata që bënë të mundur të vinin në skenë këtë vepër. "Zhani Ciko donte që nëpërmjet kësaj vepre të rrëfente një pjesë të komunizmit", thotë Michael Strum. Dhe kjo vepër mundi ta rrëfente. Që në hapjen e saj nën tingujt e trishtë të Bethoven, kur dy gardianët hodhën poshtë vepra të Kasem Trebeshinës, Bilal Xhaferrit apo Mihal Luharasit.
Dy kulturat kishin mundur të shkriheshin në një në veprën gjermane që u foli aq bukur realiteteve shqiptare. "Kjo është një vepër që ngjall shpresën", do të thoshte Strum, i bindur se është kjo ndjenjë që duhet të ringjallet te të gjithë ata spektatorë që do ta shohin këtë vepër. Por shpresa rilind më shumë pikërisht atëherë kur në trupin tënd orvatet dashuria dhe kjo është ajo çfarë përcolli kjo vepër.
Leonore e di më mirë këtë gjë. Teksa shihje fytyrën e saj të lumtur në fund të shfaqjes, e kuptoje se rrugëtimi i saj jo i lehtë ia kishte vlejtur. Ajo vazhdon të të shtyjë drejt atyre sakrificave që çdo ditë e më tepër mendojnë se nuk i vlejnë më, por kur shikon historinë e saj do aq shumë t‘i bësh. Interpretimi i arrirë i Sonila Baboçit e cila kishte rolin e Leonorës jepte një tjetër dimension të saj si soliste dhe e bënte të goditur zgjedhjen e Strum. Një interpretim i mirë ishte dhe i Eriona Gjyzelit apo dhe korit. Një vepër e menduar mirë, e cila të bën të besosh se dhe teatrot e vogla si ai i yni mund të përcjellin në mënyrën e duhur kryevepra.
"Dashuria mund gjithçka", kjo thënie e shkruar në murin e burgut të improvizuar në skenën e Teatrit tonë të Operës na bën të besojmë më shumë se asnjëherë në këtë shprehje. "Fidelio" të bën ta adhurosh sakrificën dhe të rigjesh në vete ato copëza që i ke humbur padashur, pasi ke kuptuar se jeta nuk ka kuptim pa to.
Marre nga : Gazeta Shqip











