Shqipëria duket se po përjeton një tjetër sezon të mirë turistik. Instituti i Statistikave raportoi se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime pushime u rrit me 2.4 herë në gjashtë mujorin e parë të vitit.
Sipas INSTAT, për periudhën janar-qershor të këtij viti numri i turistëve të huaj kërceu në 562 mijë vetë nga 230 mijë që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Statistikat e detajuara tregojnë se vetëm në muajin qershor, që shënon dhe fillimin e pikut të sezonit turistik, në Shqipëri hynë mbi 195 mijë pushues të huaj.
Rritja me dy herë e gjysmë e numrit të turistëve të huaj paralajmëron një tjetër sezon të mirë për turizmin, pas rezultateve pozitive të vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë në 2016-ën ekonomia shqiptare përfitoi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi, duke qenë e barabartë me sa 15 për qind të prodhimit kombëtar.
Të dhënat për gjashtëmujorin e parë sinjalizojnë se ky nivel të ardhurash mund të tejkalohet gjatë këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm për tremujorin e të vitit, për të cilin janë të dhënat e disponueshme, të ardhurat nga turizmi u rritën me 6.4 për qind në terma vjetorë duke arritur 301.5 milionë euro.
Turizmi ishte një nga sektorët që u godit më fort nga kriza financiare. Por në tre vitet e fundit tendenca është përmbysur dhe të ardhurat nga turizmi janë rritur me ritme të shpejta.
Dalja e Eurozonës nga kriza, por edhe rritja së fundi e interesit për Shqipërinë në tregun global turistik, ka shtuar përfitimet financiare për ekonominë duke e shndërruar turizmin në sektor udhëheqës të rritjes ekonomike.