Shqiperia jo vetem me e palumtura por dhe e fundit ne Ballkan per mbeshtetjen qe njerezit i japin njeri-tjetrit

Shqiperia, jo vetem me e palumtura, por dhe e fundit ne Ballkan per mbeshtetjen, qe njerezit i japin njeri-tjetrit

Shqipëria renditet si vendi më i palumtur në Ballkan, por dhe Europë, në raportin e fundit të Lumturisë të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria është në vendin e 109, nga 155 shtete. Shteti më i lumtur në Ballkan rezulton Rumania, në vendin e 57, e ndjekur nga     Slovenia (62), Serbia (73), Kroacia (77), Kosova (78), Mali i Zi (83), Bosnia dhe Hercegovina (90), Maqedonia (92) dhe Bullgaria (105)

Gjashtë variablat kryesore, mbi të cilin bazohet indeksi, përfshijnë të ardhurat për frymë, mbështetjen sociale, pritshmëria për një jetë të shëndetshme e të gjatë, lirinë sociale, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit. Të ardhurat për frymë janë vlerësuar mbi metodën e fuqisë blerëse, pritshmëria për jetëgjatësinë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Mbështetja sociale ka dalë nga pyetja “Nëse do të ishit në telashe do të kishit miq ose të afërm, tek të cilët do të mbështeteshit?”. Liria për të zgjedhur përcaktohet nga pyetja “A jeni të kënaqur, apo të pakënaqur nga liria për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”. Bujaria matet duke ponderuar të ardhurat për frymë me përgjigjen “A keni dhuruar para për bamirësi muajin e fundit?” Perceptimi i korrupsionit matet nga përgjigje e dy pyetjeve: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur në biznes?”. Raporti përcakton pikët mesatare të vlerësimit të jetës për secilin vend, ku sa më i lartë pikëzimi, aq më mirë. Jeta më e keqe e mundshme vlerësohet me 0 pikë dhe ajo më e mirë e mundshme me 10 pikë.

Në variablën e të ardhurave për frymë, Shqipëria renditet ndër të fundit në rajon, së bashku me Kosovën dhe Bosnjën.

Në treguesin e mbështetjes sociale, Shqipëria renditet e fundit, çka tregon se shqiptarët, ndryshe nga sa perceptohet që janë popull bujar dhe i gjindshëm, nuk gjejnë mbështetjen te miqtë apo të afërmit, në momentin që kanë ndonjë hall.

Vendi paraqitet më mirë në variablën e pritshmërisë për një jetë të shëndetshme e të gjatë, e dyta pas Sllovenisë.

Edhe përsa i përket lirisë për të bërë zgjedhje në jetë, Shqipëria është e treta. Në përgjithësi, vendet e rajonit nuk janë shumë optimiste në këtë tregues.

Për bujarinë, Shqipëria renditet nga fundi. Shtetet më dorështrënguara janë Bullgaria e Rumania dhe më bujarët Bosnja dhe Kosova.

Perceptimin më të ulët për korrupsionin e ka Mali i Zi, i ndjekur nga Maqedonia, ndërsa Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Bosnja janë vendet ku të anketuarit mendojnë se ka shumë korrupsion, si në administratën shtetërore, ashtu dhe biznes.

Një tregues i fundit është dhe dystopia (një shoqëri e karakterizuar nga mjerimi njerëzor, shtypja, sëmundjet dhe mbipopullimi). Këtu Shqipëria renditet e treta nga fundi, para Sllovenisë dhe Bullgarisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama