Buxheti i rishikuar Ahmetaj pergenjeshtron veten

Buxheti i rishikuar: Ahmetaj përgënjeshtron veten

Pak ditë më parë, qeveria rishikoi buxhetin e vitit 2016, teorikisht mbi bazën e ecurisë së të dhënave reale të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit deri tani.

Buxheti i rishikuar parashikon ulje të borxhit publik--i cili, në realitet, po rritet më shumë se parashikimet; ulje të të ardhurave të prishme nga taksat dhe tatimet; ulje të investimeve publike; ulje të shpenzimeve publike; ulje të numrit të nënpunësve publike; ulje të rritjes së planifikuar të pensioneve.

Atëherë, si mund të thuhet se kriza ka kaluar? Dhe si mund të shpresohet që kriza do të mbarojë shpejt, kur kjo lëvizje është hap mbrapa nën çdo lloj këndvështrimi.

Që kurse është bërë Ministër i Financave, Arben Ahmetaj ka bërë vetëm deklarata që shtrembërojnë realitetin, të shkëputura dhe të sajuara për qëllime propagandistike; por kur realiteti e detyroi të rishikojë buxhetin, pra kur realiteti nuk mund të mbulohej më, doli në pah jo vetëm paaftësia e tij por edhe banaliteti i propagandës së tij.

Pas kritikave të ashpra për buxhetin dhe sidomos mënyrën e miratimit të tij--më akt normativ, kur Kuvendi është në pushim-- Zoti Ahmetaj vazhdoi të gënjejë, duke folur për një "buxhet që nuk po rishikohet për ndryshim në të ardhurat, por për optimizmin e shpenzimeve" dhe duke deklaruar se "të gjithë objektivat [në buxhetin e rishikuar] janë si në parashikimet e fillim vitit, treguesit ekonomik janë pozitivë."

Përkundrazi, shpenzimet publike në buxhetin e rishikuar janë ulur dhe jo për të "optimizuar" shpenzimet, por për shkak të mos realizimit të të ardhurave sipas parashikimit.

Në fund të fundit, nëse sikurse pretendon Ahmetaj gjithçka po shkon sipas parashikimeve të fillim vitit, atëhere përse e ndryshoi qeveria buxhetin?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama