Bushati Shqiperia del nga procesi i monitorimit per pastrimin e parave

Ministri-i-Puneve-te-Jashtme-Ditmir-Bushati-ne-konference-per-shtyp-Foto-Florian-Abazaj2-523x350TIRANË, 18 Shtator/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Shqipëria nuk është më pjesë e proçesit të monitorimit për pastrimin e parave.

Lajmi bëhet me dije nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati përmes një postimin në rrjetin social "Twitter".

Sipas tij, Shqipëria nga sot nuk është më pjesë e proçesit të monitorimit për pastrimin e parave dhe kjo fal punës së mirë të qeverisë.

Edhe ministria e Financave bën të ditur se "mbledhja e Komitetit Moneyval të Këshillit të Evropës, që mbikqyr autoritetet shqiptare, ka konfirmuar këtë fakt, pas përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nga ana e Qeverisë Shqiptare".

Vlerësimi pozitiv vjen pas progresit të arritur nga Shqipëria mbi një sërë çështjesh serioze që e kishin detyruar Këshillin e Europës të mbikëqyrte zbatimin real të standardeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

"Dalja nga procedura aktuale e monitorimit është më rëndësi të veçantë për vendin tonë pasi së pari konfirmon efektivitetin e masave të ndërmarra tashmë nga autoritetet shqiptare në parandalimin e pastrimit të parave dhe krijon një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të vendit tonë nga Komitetin Moneyval, që është parashikuar të kryhet në vitin 2017. Bazuar në rregulloren e Moneyval, vendet që kanë mangësi në zbatimin e rekomandimeve, i nënshtrohen një procedure të monitorimit (regular follow-up) nga e cila duhet të kërkojnë të dalin brenda tre viteve pas miratimit të raportit të vlerësimit", thuhet në njoftimin për shtyp të MF-së.

Shqipëria ka bërë progres të gjithanshëm në lidhje me mangësitë e konstatuara nga Moneyval, në aspektin legjislativ, bashkërendim ndërinstitucional dhe forcim të kapaciteteve teknike, masa të cilat kanë ndikuar në rritjen e efikasitetit të sistemit parandalues dhe goditës në këtë fushë.

Përpjekjet dhe arritjet e qeverisë dhe institucioneve shqiptare këto dy vite - edhe me mbështetjen e pandërprerë të partnerëve ndërkombëtarë,- janë konkrete, të prekshme e të matëshme, tashmë të besueshme dhe të konfirmuara nga ndërkombëtarët.

Konfirmimi i përmbushjes së standardeve e daljes nga monitorimi është një përgjegjësi më shumë për rezultate konkrete në kuadër të goditjes së fenomenit të pastrimit të parave, krimit ekonomik në tërësi dhe konfiskimeve përfundimtare nga Gjykata.

Progresi i dukshëm i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke koordinuar punën me të gjitha institucionet shqiptare të përfshira në këtë proces dhe masat e marra për trajtimin e mangësive janë shqyrtuar në sekretariatin e Moneyval, i cili ka çmuar progresin e bërë dhe në vendimmarrjen e tij komiteti, në seancën e 48-të plenare, që u mbajt në Strasburg në datat 14 - 18 Shtator 2015, ka vendosur heqjen e monitorimit të këtij institucioni për Shqipërinë.

Komiteti MONEVAL është krijuar në vitin 1997 dhe funksionimi i tij mbështetet në dispozitat e Rezolutës CM/Res(2010)12 "Mbi statutin e Komitetit të Ekspertëve të Vlerësimit të Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL)" miratuar nga Komiteti i Ministrave më 13 Tetor 2010.

Qëllimi i këtij komiteti është që të sigurojë që vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë krijuar dhe zhvilluar sisteme efektive kundër pastrimit të parave/financimit të terrorizmit si dhe zbatojnë standardet ndërkombëtare të miratuara për këtë qëllim nga FATF (Financial Action Task Force).

Në funksion të përmbushjes së detyrave të tij Komiteti bashkëpunon ngushtësisht dhe me organizma të tjerë ndërkombëtar si FATF, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Shqipëria është vend anëtar i Komitetit MONEYVAL që prej krijimit të tij dhe ka qënë subjekt i katër raundeve të ndryshme të vlerësimit. Delegacioni Shqiptar është përbërë nga ekspertë të Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (aktualisht kryeson delegacionin Shqiptar), Ministrisë së Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare../a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama