Bulevardi i Martireve

Bulevardi i Martireve

Qendra e Tiranës dekorohet me foto të klerit katolik të vrarë gjatë diktaturës komuniste. Kumbaro: Kemi kërkuar shenjtërim për ta. Papa Françesku: Falenderoj shqiptarët për përgatitjet dhe pritjen

Shqipëria do të kërkojë nga Ati i Shenjtë, kreu i Kishës Katolike, shenjtërim për një pjesë të klerit të kësaj kishe që u persekutua dhe vra në komunizëm. Një pjesë e tyre janë tashmë në procesin e kanonizimit. Ndërkohë para vizitës në Tiranë, Papa në meshën e mbajtur dje në Vatikan, ka përshëndetur popullin shqiptar duke i falenderuar veçanërisht për përgatitjet me rastin e kësaj vizite. “Përshëndes popullin shqiptar dhe i falenderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të gjithëve të më shoqërojnë me lutje”, – ka thënë Papa. Arsyeja kryesore e kësaj vizite, sipas tij është fakti se Shqipëria është një vend i cili ka vuajtur shumë prej regjimit komunist. Gjithashtu, ai ka thënë se arsyeja tjetër që po e zhvillon këtë vizitë është edhe toleranca mes feve, që ka sjellë bashkëjetesën paqësore mes tyre. Ardhja e Papës në Shqipëri shënon një moment historik për vendin tonë.

Përgatitjet

Përgatitjet me rastin e ardhjes së tij kanë nisur që në momentin që u konfirmua kjo vizitë. Punimet në sheshin “Nënë Tereza” kanë nisur që herët, por me afrimin e ditëve janë intensifikuar edhe më shumë. Njëkohësisht ka nisur edhe zbukurimi i rrugës që do të përshkojë Papa Françesku në vizitën prej 11 orësh qëndrim në vend. Në rrugën që shkon drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit janë vendosur flamuj në të dyja anët. Gjithashtu, punimet për gjelbërimin e saj kanë vijuar pa ndërprerje. Ndërsa rruga që do të përshkruajë Ati i Shenjtë është shenjuar me flamuj dhe me portretin e tij në banderola.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë restauruar fasadat, meremetuar shkallët e disa godinave si Akademia e Arteve, Universiteti Politeknik, Rektorati dhe gjelbërimi përreth tij. Skena për mbajtjen e meshës së shenjtë është duke u instaluar në sheshin “Nënë Tereza” që prej disa ditësh. Jo vetëm kryeqyteti, por e gjithë Shqipëria ka nisur përgatitjet me rastin e kësaj ngjarjeje.

Kërkesa për shenjtërim

Gjatë ditës së djeshme, në Tiranë, përgjatë gjithë rrugës së Bulevardit janë vendosur foto të 40 martirëve të Kishës Katolike, ndër të cilët 38 janë vrarë gjatë viteve të komunizmit, si edhe dy historikë. “Dekorimi me fytyrat e klerikëve përgjatë gjithë bulevardit, ishte në shenjë të vuajtjes së këtij populli në vitet e diktaturës ku liria e besimit është paguar me jetë dhe dëshmi e këtij martirizimi janë edhe këta personazhe historikë që janë tashmë publikë për të gjithë.” tha ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Kumbaro duke u ndalur te fotot e martirëve katolike tha se “ky dekor në Bulevard vjen si një ide e kryeministrit Rama, që u miratua nga Komisioni për përgatitjet e vizitës së Papës në bashkëpunim me Protokollin e Vatikanit”. Ministrja deklaroi se “i kanë kërkuar Vatikanit që të shenjtërojë disa prej emrave të martirëve që kemi vendosur përgjatë Bulevardit. Vatikani i ka futur ata në procesin e kanonizimit, për t’i kaluar më pas në lumturim, ashtu si Nënë Tereza”.Në shesh vijojnë punimet për restaurimin e fasadave të ndërtesave, ndriçimit dhe rregullimin e trotuareve.

Siguria

Kjo do të jetë vizita e parë e tij në Europë që pas zgjedhjes në krye të Vatikanit. Përsa i përket zërave se Papa rrezikohet prej radikalëve myslimanë të ISIS gjatë vizitës së tij në Europë, Vatikani vetë ka thënë se, megjithëse feja myslimane është feja mbizotëruese në Shqipëri, nuk do të merren masa sigurie shtesë për mbrojtjen e tij. Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi ka theksuar se Papa do të udhëtojë më datë 21 shator, me të njëjtin mjet të hapur që përdor në sheshin “Shën Pjetër”, ku si rregull do të përshëndesë turmat. Ardhja e Papës tek ne është ndër të tjera edhe një mundësi për ta rilindur këtë fe në një vend ku komunizmi ka ndikuar në zbehjen e vlerave dhe paqes që përcjell ajo për njerëzit.

Papa Françesku ka zgjedhur të vizitojë të parën Shqipërinë përpara shteteve të tjera me dëshirën e tij, për t’i dhënë nxitjen e nevojshme këtij vendi të ecë përpara drejt tolerancës së përbashkët fetare dhe të rikthejë vlerat kristiane, dikur të humbura.

Aktivitetet që do të mbahen në 21 shtator

Nisja do të bëhet nga aeroporti i Fiumicino-s në Itali në orën 07: 30, për të mbërritur në orën 09:00 në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ati i shenjtë do të pritet nga kryeministri Edi Rama. Në orën 09:30 është vendosur pritja në Presidencë, ku Papa Françesku do të takohet me presidentin Bujar Nishani dhe me autoritetet të tjera të vendit. Në orën 11:00 është parashikuar mbajtja e meshës së shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”. Një numër mjaft i madh besimtarësh do të jenë të pranishëm gjatë mbajtjes së meshës. Vizita e tij e mëtejshme do të vijojë me një takim në orën 13:30 me ipeshkvinjtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike. Në orën 16:00 do të zhvillohet një takim me krerët e tjerë katolikë në ambientet e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”. Ndërkohë që në orën 17:00 është planifikuar të kryhet takimi i Lutjes së Mbrëmësores, me meshtarë, rregulltarë, seminaristë dhe lëvizjet laike, të gjitha këto në Katedralen e Tiranës. Ndalesa në vijim do të jetë Fushë- Kruja, ku në orën 18:30 do të takohet me fëmijët e qendrës “Betania” dhe me një përfaqësi individësh të disa qendrave të tjera.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama