Edmond Budina kthehet në skenën e diskutimeve për kinemanë me projektin e ri filmik. "Vallja e flamujve" quhet skenari për të cilin ai ka marrë shkas nga konfliktet e popujve në kufij në emër të nacionalizmit. Sidomos shqiptarët "janë" për regjisorin Budina popull kufijsh. Pas filmit të tij të parë "Letra ere", aktori dhe regjisori që prej 17 vitesh jeton në Bassano del Grappa, në Itali, tregon se për çfarë e ka frymëzuar Shqipëria.
Urime për projektin fitues! Mund të na thoni diçka për "Vallen e flamujve"?
Ky skenar është një temë aktuale që merr shkas nga Shqipëria e sotme, por ideja është më universale. Mua nuk më intereson shumë Shqipëria ose Italia në veçanti. Tek "Vallja e flamujve" kam trajtuar një ide kundër të gjithë nacionalizmave, kundër të gjithë flamujve pas të cilëve fshihen ideologji, religjione që na shtyjnë të urrejmë njëri-tjetrin. Në mënyrë provokative dua të tallem me këtë dhe tallem së pari me veten time. Pa dyshim, flamuri më i bukur për të komunikuar midis popujve, midis racave është ai i dashurisë. Dhe cili mund të jetë flamuri i dashurisë? Në mënyrë abstrakte themi që janë... të mbathurat.
Cila është historia, ku zhvillohen ngjarjet?
Historinë dua ta lë surprizë, nuk më pëlqen ta them subjektin e filmit, sepse edhe kur të xhiroj dua të jem i qetë. Ngjarjet kanë një spostim në Itali, në Moskë, në Paris pastaj zhvillohen në Shqipërinë e ditëve tona ku shohim për shembull që ngrihet një kryetar bashkie dhe thotë të ndahemi, të krijojmë një shtet të Vorioepirit e marrëzira të këtij lloji. Unë mund të jem shumë afër me një grek, me një serb, me një maroken po që janë të ndershëm, se sa me një shqiptar që është kriminel. Kështu duhet të bëjë edhe ai greku që thotë gjëra të tilla, për të jetuar në harmoni, në paqe siç kemi jetuar shumë vite me radhë.
Cilit zhanër i përket?
Është një dramë komedi. Ideja është dramatike, imazhet janë tepër realiste, por edhe simbolike dhe jam përpjekur ta trajtoj të gjithën me një frymë humori. Me sa duket kjo ka marrë shkas nga fillimet e mia kur luaja në Estradën e Korçës dhe ajo ndjenja e humorit ka ngelur brenda meje.
Çfarë kishte ndodhur, çfarë situatash ishin pjekur rreth dhe brenda jush para se të shkruanit skenarin?
Janë pikërisht ngjarjet e Shqipërisë dhe jo vetëm të saj. Para një viti kanë ndodhur disa ngjarje me shkas nacionalizmat dhe ato urrejtjet që thashë pak më përpara. Kjo ka ndodhur në gjithë ato vende dhe ata popuj që janë në kufij. Kudo ku ka kufij ka edhe popuj të përzierë dhe gjithmonë atje ka pasur konflikte. Këto konflikte kanë qenë midis grekëve e shqiptarëve, serbëve e shqiptarëve, maqedonasve dhe shqiptarëve. Kështu shkojmë deri në Bosnjë e në Palestinë, kështu është një popull si armenët që janë masakruar dhe sot e kësaj dite nuk njihen. Përse është e gjitha kjo? Për interesat e një krahu a të një tjetri, për interesat e një idelogjie a të një tjetre, të një religjioni a të një tjetri. Ishte gjithë kjo situatë që u poq me disa gjëra konkrete që pashë këtu të Shqipëri në një realitet kaq absurd, kaq i papranueshëm, me të cilin duhet të merremi dhe duhet ta vëmë në lojë në një lloj kuptimi.
Si e shkruani një skenar? Rimerrni ide të lëna manjanë apo ato që ju vijnë menjëherë? Dikur keni thënë se keni mjaftueshëm vepra që flenë në sirtar.
Po, kam rreth 15 subjekte që i kam lënë aty. Është e çuditshme që skenari që kam tani nuk ka të bëjë fare me ato që kam shkruar. Është një ngacmim i ri që më erdhi. Është ideja që ngacmon së pari dhe e hedh në një copë letër. Të them të drejtën jam një çik i rrëmujshëm në punë. Nëse do të vinit të shtëpinë time, përpara kompjuterit, në skrivani, gjen copa letrash të vockëla. Kur më vjen një ide e shkruaj e fus në xhep dhe kur shkoj në shtëpi e lë aty sipër. Mirëpo edhe pozicioni i letrave duhet të jetë ashtu siç e kam lënë unë. Në qoftë se gruaja apo vajza i trazojnë, në shtëpi bëhet një katrahurë e vërtetë, sepse s'duhet t'i preki askush. Mund të më duken gjërat më gjeniale që janë shkruar mbi këtë glob dhe të nesërmen, pa dyshim i gris. Është ky proces i vazhdueshëm në kërkim që më bën të shkruaj. Kështu më ka ndodhur me skenarët apo edhe me dramatizimet që kam bërë në Tiranë.
Përveç botës së informacionit që ekziston dhe vjen pavarësisht nesh, me çfarë jeni i mbushur deri në atë kohën kur uleni për skenarin. A ndikojnë informacione të tjera?
Ndikojnë dhe ndikojnë shumë. Rregullisht lexoj shtypin shqiptar, sepse nëse ka frymëzim për mua, është Shqipëria. Nuk di ta shpjegoj. Vjen një moment, një ide që më ngacmon, atëherë shoh gjithë artikujt që shkruajnë gazetat shqiptare për atë problem. Kam hequr mënjanë shumë artikuj, që ndoshta s'do më hyjnë kurrë në punë, për një ngjarje pedofilie që ndodhi në një qendër bamirëse. Po të më duhen, atëherë një informacion e kam të saktë. Për këtë skenar ku përzihet realiteti me ëndrrën, kam riparë filma të Fellinit, të Pasolinit të cilët kanë të njëjtën mënyrë të ndërtuari të konceptit artistik dhe esktetik që mendoj unë. Më pëlqen për shembull kur gjej edhe në letërsi, sidomos tek letërsia latino-amerikane, atë lloj realizmi magjik që më pëlqen aq shumë. Këto kompletojnë idenë, pasi bazë mbetet realiteti në të cilin ti jeton dhe mund ta trajtosh si të duash.
Me këto që përmendët, pak a shumë shtrati kulturor ku ju rrihni është ai i viteve '50-'70?
Mbase jam pak i vjetër... (qesh). Jo, them ka disa shkolla. Përmenda këta sepse kanë ndërtuar një koncept estetik në letërsi apo në kinema. Mbetem gjithmonë në kontakt edhe me letërsinë shqipe, qoftë këtu, qoftë atje. Së fundi kam lexuar librat e Ornela Vorpsit që më kanë pëlqyer shumë. I përmenda ata kineastë dhe shkrimtarë, sepse kanë lidhje me idenë që kam në skenar, dmth një absurd real që është në jetën e përditshme. Më duket se gjërat përsëriten herë pas here. Vijnë shpesh në ndërgjegjen tonë nga larg, nga subkoshienca dhe shohim se si të të njëjtat gjëra ripërsëriten, por në një formë më agresive, më të keqe. Njeriu bëhet përherë e më egoist, sepse bota sot, sipas mendimit tim modest, shkon drejt asaj që pikërisht ky egoizëm dhe paraja të jenë të gjithëpushtetshëm. Kjo shoqëri konsumi e vret shpirtin njerëzor. Këtë e bën nëpërmjet një ëndrre të të jetuarit më mirë, për një të ardhme më të mirë. Në fakt ne nuk po shkojmë drejt një të ardhmeje më të mirë, përkundrazi. Po shkojmë në regres në të gjitha gjërat.
Si përfundim cili është flamuri tek "Vallja e flamujve"?
Flamuri janë të mbathurat... duket provokative, por bëhet fjalë për flamurin e demokracisë. Për fat të keq sa herë vij në Shqipëri gjej më shumë flamuj, jo vetëm për faktin që ka shumë parti. Shoh miq të mitë të ndarë dhe secili ka flamurin e tij.
Flamujt janë simbole të një të kaluare, të një historie të caktuar. Në fund të fundit janë vrarë për një flamur. Në këtë shoqëri multietnike më duket absurde të vritesh për një flamur. Duhen respektuar të drejtat e të gjithëve, të çdo pakice, të çdo grupi shoqëror, por kur ato bëhen qëllim në vetvete, më duket absurde.
Me çfarë përvoje ju mbarti "Letra ere"? Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj si artist?
Nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Vazhdoj të bëj po të njëjtën jetë. Çdo një muaj jam në xhiro për filmin. Kam takuar rreth 100 mijë njerëz me rastin e këtij filmi, di se cilat janë kërkesat e publikut. (Me shaka) Dhe tani në fabrikën time unë jam Robert de Niro i fabrikës... Mbase duke pasur kontakte me njerëzit, duke bërë jetën qoftë të një punëtori të thjeshtë, të një qytetari të thjeshtë italian, edhe jetën e një regjisori, ndjej se jam pasuruar në një kuptim. E di se si duhet të luftoj për të drejtat edhe të atyre njerëzve që vuajnë dhe janë në nevojë, sepse i kam kaluar vetë. Jeta nuk më ka falur asgjë. Në këtë aspekt "Letra ere" më ka mësuar shumë. Kam në shtëpi një tufë me letra nga nxënës të Padovës dhe jam tronditur kur 16-vjeçarë më shkruajnë se si mund të jem bërë frymëzim për ta që të lutojmë në jetë dhe të ëndërrojnë. Isha njeri fare i thjeshtë në Itali dhe arrita të realizoj një ëndërr. Kjo më ngarkon me shumë emocion, me shumë përgjegjësi, jo se jam unë në qendër. Por sepse ndjej që njerëzit kanë nevojë të kenë një shembull, kur shembujt që jep jeta janë përherë e më tepër negativë. Kjo është gjëja më pëlqen: të kesh një lloj morali.
Ndërron kursin filozofia për prodhimet kinematografike
Për vitin 2007 Qendra Kombëtare Kinematografike ka miratuar vetëm një projekt filmik ose më saktë një projekt për zhvillim. Ndërsa deri më sot, në rrethet e profesionistëve ishte pranuar njëzëri që modeli i administrimit të fondeve publike për të bërë kinema, është modeli më i suksesshëm, se në krahasim me Teatrin apo Operën Kombëtare, sot njerëzit e Qendrës dalin me vendime befasuese dhe novative. Çdo pranverë nga QKK dilte lajmi për miratimin e 2-3 projekteve filmike. Nga e enjtja e 2007-ës mësojmë se kineastët nuk do të marrin asnjë qindarkë pa provuar se idetë dhe projektet e tyre janë të realizueshme. Kryetari i QKK-së Xhevdet Ferri na tha se "kemi hequr kategorinë e filmit me metrazh të gjatë për këtë vit. Bordi ka miratuar vetëm një projekt për zhvillim që është "Vallja e flamujve" i Edmond Budinës. Kjo është filozofia e re e QKK-së. Shumë projekte na kanë humbur rrugës, disa filma nuk janë mbyllur akoma. Shpresojmë që me precedentët të krijojmë modelet e një disipline të re." Kjo do të thotë që me fondin fillestar prej 1 milionë lekësh që i jepet një projekti për zhvillim, regjisorët hidhen në treg për të testuar të ardhmen dhe të realizimit të projektit. Pas kësaj faze pjekurie QKK jep buxhetin e plotë për një film. Ferri sqaron se ky koncept është i mirëmenduar dhe lëvizja është bërë për këtë qëllim, jo e kushtëzuar nga buxhetet. "Edhe po të kishim më shumë buxhet, nëse s'ke kualitet dhe garanci, pse duhet t'i japësh ato para?"
Projekti i Budinës u shpall fitues mes 11 të tjerëve. Konkurrentë ishin kineastë si Vladimir Prifti, Teodor Laço, Ylljet Aliça me një projekt me Isa Qosen regjisor, Ibrahim Muçaj, E.Makria, M. Topallaj etj. Kryetari Ferri nënvizon që nëse në gjashtëmujorin e dytë të vitit, qeveria do t'i japë një buxhet shtesë QKK-së, ashtu si vitin e shkuar, atëherë konkurentët do të thirren edhe një herë në konkurs.
Bordi është në proces shqyrtimi të projekteve për metrazhin e shkurtër dhe për filmin artistik të metrazhit të gjatë ku do të merren parasysh kandidatë që hyjnë me veprën e parë nga të cilët do të shpallen 1-2 fitues. Edhe për këtë kategori të re e futur nga QKK, që nuk ka ekzistuar deri më sot, do të ndiqet i njëjti koncept. QKK financon fillimisht një projekt për zhvillim.
Megjithatë Ferri thotë se publiku nuk ka për ta ndjerë mungesën e filmit shqiptar në kinema. Në fund të pranverës shfaqen premierë filmat "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, i nisur që në vitet 2000 dhe "Lutje dashurie" i Artan Minarollit. Në vjeshtë hidhen në xhirime Gjergj Xhuvani me "Pesë biçikleta drejt perëndimit" dhe Artan Minarolli me "Gjallë".
Në tryezën e Ferrit rrinë projektet për një revistë kinematografike e vëllezërve Tafa, "projekt i bukur, por i kushtueshëm", një festival ndërkombëtar filmi dhe drafti për një Qytet Arti që synon kthimin e ish-Kinostudios në zonë të lirë dhe vetëm për kinemanë. Këtë projekt madhor dhe të tjera ndryshime në ligjin "Për Kinematografinë" që janë paraqitur tek ministri i Kulturës Ylli Pango, kërkojnë pak kohë para se të bëhen publike.
Elsa Demo - Gazeta Shekulli











