Brexit kreu i UKIP Farage jep doreheqjen pas fitores

Brexit, kreu i UKIP Farage jep dorëheqjen pas fitores

Nigel Farage, arkitekti dhe udhëheqësi kryesor i fushatës Brexit, dha sot dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij.

"Gjatë fushatës Brexit, thoja "Më ktheni vendit tim!", ndërsa tani dua të më kthehet jeta ime!" deklaroi Farage, duke lënë podiumin në shenjë simbolike se tani do t'i rikthehet jetës së tij të mëparshme.

Në një akt të jashtëzakonshëm e të paprecedent, Farage dha dorëheqjen pasi ka arritur të përmbushë qëllimin dhe dëshirën më të madhe të karrierës së tij: shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

"Unë lashë biznesin për politikën, sepse dëshiroja që ne të ishin që shtet që vetëqeveriseshim,jo sepse doja të bëja karrierë në politikë", deklaroi ai duke dhënë një shembull se dorëheqja nuk është vetëm për ata që humbasin, por, se karriera politike duhet të mbyllet atëherë kur ambiciet e vizionet e një politikani përmbushen.

Nigel Farage, njëkohësisht dhe deputet i Parlamentit Europian, tha se do të vazhdojë të qëndrojë në PE për të vëzhguar negociatat për daljen e MB-së nga Bashkimi Evropian.

Gjatë fushatës Brexit, Farage u cilësua shpeshherë si jo plotësisht i besueshëm në deklaratat dhe informacionet për pasojat që do të sillte dalja e vendit nga BE. Dorëheqja e tij duket dhe si një mundësi për t'i lënë drejtimin dhe modernizimin e partisë drejtuesve të rinj.

Nigel Farage është ndoshta i vetmi politikan anglez që gjithë karrierën e tij politike 25 vjeçare e ka kaluar duke propaganduar daljen e vendit nga BE-ja. Vota e britanikëve pro daljes, u quajt nga Farage si dita e lavdisë. Të tjerë, në mënyrë ironike, e quajtën si votën që e linte të papunë Farage, meqë vendi i humbet vendet në Parlamentin Evropian me daljen nga BE.

Kreu i UKIP është i treti drejtues i lartë i politikës britanike që jep dorëheqjen pas referendumit të 23 qershorit.

Kryeministri David Cameron, udhëheqësi i fushatës pro qendrimit në Bashkimin Evropian, dha dorëheqjen menjëherë pas zyrtarizimit të rezultatit të referendumit. Ai, njësoj si Farage, tha se vendit i duhet drejtues të rinj për ta udhëhequr në këtë drejtim të ri.

Ish kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, njëkohësiht dhe kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Partisë Konservatore, në tetor 2016, pas dorëheqjes së kryeministrit Cameron, deklaroi pak ditë më parë, se nuk do të kandidonte për drejtimin e partisë.

Boris Johnson, pavarësisht se ishte një mbështetës i zjarrtë i daljes së vendit nga BE-ja, humbi mbështetjen e votuesve kur deklaroi se nëse ai do të ishte kryeministër, do të zgjaste sa më shumë procedurat e shkëputjes së MB-së nga BE-ja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama