Brace Sa here me thone te enjten ku je u pergjigjem Ne haur!

Brace: Sa here me thone te enjten 'ku je', u pergjigjem: Ne haur!

Këtë herë, përballë Enkel Demit në “Shih Programin” në TVSH, ishte deputeti socialist, Erion Braçe. Ai rrahu disa tema në bazë të pyetjeve që iu bënë nga gazetari Demi, ku ndër të tjera veçohet pohimi se rrokullisja e Shqipërisë, pra për të mos i shkuar mbroth tranzicioni, nisi që pas referendumit për Kushtetutën në vitin 1994…

 

Buxheti i sapo miratuar në cilët sektorë do të sjellë më shumë zhvillim?

Së pari do të thoja se buxheti i këtij vitit konsolidon treguesit makro­ekonomikë. Qeveria për herë të parë në këto tre vite ul taksat, ul dhe borxhin. Kjo do të thotë se barra si për qytetarët ashtu dhe për buxhetin e shtetit do të jetë shumë më e vogël. Heqja e taksave biznesit të vogël mendoj se nxit këtë lloj biznesi, si dhe punësimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, në këto kushte ne ftojmë emigrantët që ndodhen fjala vjen në Greqi, të rikthen dhe të hapin sipërmarrje të vogla ku të punojnë vetë e të punësojnë të tjerë. Nxisim edhe të rinjtë që të përfitojnë nga heqja e taksave. Arsimi, Shëndetësia dhe Bujqësia janë tre sektorët ku do të ketë investime dhe që mund të sjellin rritje ekonomike vitin e ardhshëm.


Më shpjegoni dot me fjalë të thjeshta një listë gjërash që shqiptarët do t’i kenë më shumë në bazë të këtij buxheti?

Gjërat që shqiptarët do të kenë më shumë do të jenë investimet. Rreth 900 milionë dollarë investime janë parashikuar për vitin e ardhshëm. Një pjesë e buxhetit do të shkojë për Shëndetësinë, që do të thotë se do të ketë më shumë investime dhe kjo do të thotë më shumë shërbime. Do të ketë investime në Arsim, dhe natyrisht në infrastrukturë, pra do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Bujqësia merr gjithashtu më shumë para. Për shembull, e gjithë fusha e Myzeqesë gjatë dy dekadave të fundit i është nënshtruar çbonifikimit, jo bonifikimit. Kësaj rradhe ka rreth 25 milionë dollarë vetëm për të pastruar kanalet që nuk janë pastruar në këto dhjetra vjet.

Si e shikon gjithë këtë tendencë për konçesionet e shërbimeve në shëndetësi?

Shumë liberale. Unë besoj tek shërbimi publik. Ajo që po ndodh me OSHEE­në më jep një lloj shprese se ky model do të funksionojë. Megjithatë, unë e kam shprehur dhe në Parlament që nëse i kursehen buxhetit të shtetit para, e pranoj edhe konçesionin, ndryshe, jo. Në rastin e dializës për shembull rezulton se me të njëjtat para i ofrohet shumë më tepër njerëzve sherbimi i dializës dhe më shumë më tepër cilësi. Edhe procesi i sterilizimit më duket po aq i nevojshëm. Deri më tani, në sallat tona të operacionit njerëzit janë sëmurur më keq nga kushtet spitalore.

Ke shkruar një gjë shumë interesante sesi mund të formalizohet bujqësia nëpërmjet shërbimit të Postës. A ka ndodhur kjo?

Është shumë e vështirë që ta bindësh bujkun për të shkuar drejt formalizimit, por edhe shteti për fat të keq nuk ia ka ofruar këtë mundësi duke hapur pika pranë postave për t’u pajisur me NIPT. Bujqit u dyndën për të marrë NIPT­in në rrethe dhe humbën ditët e punës, kur shërbimi mund t’i ishte afruar në postë. Bujku mund të shesë pa faturë, pa kasë, detyrimin e ka grumbulluesi, ai duhet t’i japë atij faturën e blerjes së mallit.

Kjo është qeveri aksionesh dhe me reforma represive sipas një lloj perceptimi…

Ligjet që ne miratojmë nuk janë ndryshe nga ato të vendeve të Bashkimit Europian. Pra, po t’i referohemi ligjeve që kemi miratuar, nuk ndryshojnë as nga ato të vendeve fqinje, as nga vendet e BE. Ligje të forta sjellin shtetformimin dhe shtetbërjen. A ia kemi arritur kësaj? Jo, akoma fatkeqësisht, sepse edhe ne që flasim këtu kur na ndalon polici bezdisemi. Edhe të tjerët e kanë jo me qejf t’i binden detyrimeve apo kontratave shpeshherë, ndaj këtu hyn në punë ligji. Po të sjell një rast. Ka qenë një betejë e imja dhe e një grupi inxhinierësh të shkëlqyer nafte që më kanë asistuar në çështjen e evazionit fiskal i kompanisë “Bankers”. Kjo kompani e madhe refuzonte të paguante detyrimet, por nga sot e pranoi ligjin dhe do ta zbatojë.

A do të marrin shpërblime pensionistët dhe administrata këtë vit?

Nuk e di, nuk është diskutuar akoma kjo gjë. Vjet pensionistët morën diçka. Edhe vjet kështu u fol fillimisht se nuk do të kishte shperblime, por pastaj u dha. Në administratë do të shpërblehen vetëm ato që kanë patur rezultate të mira gjatë vitit. Jemi akoma larg rrogës së 13­të.

Si ju duken shpenzimet qeveritare me buxhetin e ri?

Do të publikoj dy tabela sqaruese në lidhje me investimet, sepse ka një abuzim mediatik të tejskajshëm me shifrat. Është abuzim kur thua se 10 për qind do të shkojë për zyrat e shtetit. Kjo nuk është e vërtetë, pak më shumë se 1 përqind e investimeve, 1.6 miliard lekë që do të shkojnë për kompjuterizim të administrates dhe përmirësim të zyrave. Shpenzimet operative në buxhetin e shtetit janë më pak se vitin e shkuar. Nuk do të ketë as blerje Jaguar­ësh. Vitin e ardhsëm nuk do të ketë blerje makinash për qeveritarët. Ia thashë dhe Berishës që të shikojë buxhetin se nëse ka Jaguar­ë unë e lë detyrën dhe dal nga Kuvendi.

Dy komente për ligjin e pronave?

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme e së drejtës. Ish­pronarët duhet ta përfitojnë sërish pronën e tyre ose të kompensohen. Ka pretendime se ky ligj nuk e kthen pronën, por aty ka nene që flasin se kur toka është e lirë në masën 70 për qind kthehet. Por debati vjen për vlerësimin në vlerën e truallit. Ai do të bëhet me zërin kadastral të vitit ’45, por me çmimet e sotme të tregut. Ish­pronarët janë të mërzitur, sepse nuk mund të kompensohet një tokë që sot është truall, por që në vitin ’45 mund të ketë qenë tokë bujqësore. Kush humbi tokë bujqësore do të kompensohet për tokë bujësore edhe jo për truall, edhe nëse ai është i tillë tani. Pronarët mendojnë se nuk mund të ketë më kthim fizik të pronës, por ne besojmë kjo mund të ndodh ende.

Si e gjykon ligjërimin në Kuvend?

Skandaloz! Sa herë dikush më pyet të enjteve se ku je, i them jam në haur.


Si shpjegohet nga akuzat e Parlamentit të gjithë dalin palagur?

Kjo ndodh sepse nuk ka sistem drejtësie. Politika i ka kërkuar dhe i ka marrë sistemit të drejtësisë palcën, ndaj ai nuk ekziston sot. Sot, njerëzit e sistemit të drejtësisë janë më të pasurit. Ne kemi nisur të bëjmë një reformë dhe kjo ka trazuar ujërat.

Reforma do të bëhet edhe më votat e opozitës?

Mua më pëlqen të bëhet vetëm me vota nga populli. Ne kemi të gjithë gisht nga pak për gjendjen e sistemit të drejtësisë. A mund të më thoni si ka mundësi që ata vetëm riciklohen në detyra dhe vetëm pasurohen. Opozita nuk besoj se do të votojë reformën në sistemin e drejtësisë. Edhe opozita ka gisht në gjendjen e sotme. Më mirë vendimin ta japë populli në referendum.

Ke qenë gazetar tek “Zëri i Popullit”, si e përjetove mbylljen e gazetës?

Shumë keq. Por e pata menduar ,që do të kishte një fund të tillë. Pritësi im tek “Zëri i Popullit”, Thoma Gëllçi dhe unë, e transformuam, ishim ndoshta të parët që futëm një gazetë shqiptare në internet. Madje, Rama mendoi t’i ndryshonim formatin dhe e bëmë. Jemi munduar vazhdimisht që ta mbajmë, ta rinovojmë, ta rinojmë. Nuk e di kush e mbylli, por më vjen keq që PS nuk e ka më “Zërin e Popullit”. Ajo është një pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare. Ajo gazetë margjinalizohet për hir të historisë së diktaturës. Por, në të ka patur mjaft persona që diktatura i përndoqi. Për shembull Todi Lubonja e revolucionarizoi, e ktheu nga pesë kolonat e Pravda­s në tetë Neë York Times­it dhe ju e dini fatin e mëpasëm të Todi Lubonjës.

Keni pas’ dashur ndonjëherë t’ia ndërroni emrin?

Jo, asnjëherë, madje unë hoqa emrin tim nga gazeta dhe vendosa datën e themelimit për të treguar historinë e kësaj gazete.

Sipas jush, në këtë çerek shekulli të pluralizmit kur e humbi rrugën Shqipëria?

Pas referendumit të 1994 për mendimin tim Shqipëria humbi rrugën. Populli ia doli me votë, por politika jo.

Përse jemi ende në tranzicion?

Sepse nuk kemi drejtësi. Nuk mbaj mend një ministër në apo politikan që të ketë hyrë në burg këto 25 vite, se ka abuzuar.

Ku keni qënë në 8 dhjetor 1990?

Në universitet, në Qytetin Studenti. Ishim në mësim, pamë studentët që protestonin, kështu që dolëm edhe ne.

More pjesë në rënien e regjimit?

Pa dyshim. E dëshiroja rënien e regjimit me gjithë shpirt dhe ishim në rrugë me studentët e tjerë të Ekonomikut.

Pse është kaq i vështirë dekomunistizimi tek ne?

Nuk e di. Më duket si kundëreagim ndaj përpjekjeve për dekomunistizim që u bënë në fillim të viteve ’90­të. Jam aq pro hapjes së dosjeve sa nuk e imagjinon. Na duhet një veprim i fortë moral si hapja e dosjeve. Dëgjova kreun e shtetit që tha se në Shqipëri nuk është kërkuar asnjëherë ndjesë për krimet e komunizmit. Në fakt, ka patur një rezolutë të PS­së në ’91­shin ose ’92­shin mos gaboj, që kërkonte ndjesë për krimet e komunizmit .

Ke një koment për dekorimin e persekutorit të At Zefit?

Ky është rast i vështirë, sepse ka patur njerëz që kanë patur kontribute gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që më pas u përfshinë në krimet e diktaturës. Ata do t’i ndaja duke i dhënë meritat për luftën dhe duke i dënuar për krimet. Por ajo është një medalje çlirimi, jo dekorim. Kjo është dhe një rastësi fatkeqe e dhënë në grup që e kompromenton procesin e vlerësimit të kontributit të këtyre njerëzve. Për At Zefin gëzoj një respekt të pafundëm dhe nuk është e tolerueshme dekorimi për të cilin po flasim.

Flitet për një parti të re që do të krijohet majtas apo jo?

Jo, nuk e besoj. PS­ja e ka nxjerrë një parti prej vetes më herët që është LSI­ja, dhe kjo është dëshmi se çfarë nuk duhet bërë brenda një partie.

Blushin do ta hidhni tej?

Zotëria është njësoj si të gjithë kolegët e tjerë benda PS­së. Ka hapësirën e tij si të gjithë ne për të thënë atë se çfarë mendon.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama