Toka është quajtur "planeti blu", deti dhe qielli kanë të njëjtën ngjyrë, edhe pse në disa gjuhë nuk ekziston asnjë fjalë për ta përcaktuar këtë ngjyrë.
Studiuesit me të drejtë pyesin nëse paraardhësit tanë mund ta dallonin siç bëjmë ne apo jo. Ndër të tjera, është fakt që në pikturat që bëheshin në mure nuk ka asnjë gjurmë që vërteton ekzistencën e kësaj ngjyre, ndërsa kishin përdorim të madh e kuqja, e verdha, e bardha dhe e zeza. "Është shoqëria ajo që i përcakton ngjyrat dhe i jep domethënie", thotë Michel Pastoureau, autor i librit "Blu, historia e një ngjyre".
Ngjyra e qiellit
Në një farë mënyre, paraardhësit tanë nuk e kishin "konceptin e ngjyrës" që përdorej për të përcaktuar qiellin e detin dhe kishin të drejtë, sepse as qielli dhe as deti nuk kanë ngjyrë. Ngjyra që ne perceptojmë vjen nga fenomeni i përhapjes së dritës, që realizohet kur drita diellore (e përbërë nga valë të gjatësive të ndryshme) bie në kontakt me grimcat e ajrit: teksa valët e kuqe dhe të verdha që janë më të gjatat, "përzihen" me këto grimca dhe arrijnë në sipërfaqen tokësore, valët blu-violetë që janë më të shkurtra shpërndahen në të gjitha drejtimet, derisa krijojnë një sfond uniformë ngjyrë bojëqielli. Ngjyra e detit krijohet pjesërisht nga refleksi i qiellit në ujë (që ndryshon nga kushtet klimaterike) dhe pjesërisht nga thellësia (kur është cekët duket i kaltër). Uji ka aftësinë për të thithur rrezatimin e kuqërremtë, kështu, në një farë pike, bëhet shumë blu. Ky fenomen ndodh në thellësi të mëdha, ku ngjyra blu dominon.
E preferuara e bletëve
Në natyrë, ngjyra blu e vërtetë ekziston, edhe pse nuk është shumë e përhapur, me përjashtim të dendrobates azureus, bretkosave helmatisëse në Amerikën e Jugut dhe disa lloj papagajsh e fluturash. Ndërsa për lulet, si ajo e misrit dhe agnushja, ngjyrat e tyre krijohet si pasojë e pjalmimit: në pyjet tropikale, pjalmi transportohet nga zogjtë ose insekte të ndryshme. Lulet blu mbushin livadhet malore, ku pjalmi shpërndahet nga bletët, që tërhiqen shumë nga ngjyra blu dhe violetë. Para disa kohësh, disa studiues bënë një eksperiment. U "demonstruan" bletëve një pikturë të Van Gogut, të quajtur "Luledielli" dhe arritën në përfundimin se insektet ishin të tërhequra më shumë nga firma blu e piktorit se sa nga imazhi i tablosë që përmbante ngjyrën e kuqe, e verdhë, jeshile dhe kafe.
"Gjaku blu" i fisnikëve
Historikisht ngjyra blu ka qenë ngjyra e "barbarëve" (keltët dhe gjermanët). Në Romë, ngjyra blu, për faktin se lidhej me gjermanët, nuk vlerësohej asnjëherë: fisnikët preferonin të visheshin me ngjyrën e kuqe dhe të florinjtë, duke ia lënë tonalitetet e tjera shërbëtorëve. Në latinisht, ashtu si dhe në greqisht, nuk ekzistonte asnjë fjalë për të përcaktuar ngjyrën blu (që vjen nga gjermanishtja e vjetër "blao"), ndërsa ekzistojnë të paktën dy fjalë për të përcaktuar ngjyrën e bardhë: "candidus" dhe "albus". Në atë kohë sytë ngjyrë bojëqielli konsideroheshin shenjë e njerëzve jo të mprehtë. Ngjyra blu u vlerësua vetëm në Mesjetë nga Suger, kryemurgu i Shën Denis, i cili ndërmjet 1130-ës dhe 1140-ës hodhi teorinë se ngjyra blu dhe e florinjtë përfaqësonte dritën hyjnore. Arti perëndimor e mori këtë ide dhe e vendosi në imazhet e shenjta: si në mantelin e Madonna-s.
Ngjyra blu bëhet një ngjyrë dominante edhe në heraldikë: në të gjithë Evropën, ngjyra blu nga 5 për qind që përdorej në shekullin XII shkoi në 30 për qind në shekullin XV.
"Gjak blu" përdorej për të përcaktuar më të pasurit, fisnikët, të cilët helmoheshin nga argjendti që krijohej në pjatat me të cilat hanin dhe kjo gjë u jepte lëkurës së tyre njolla blu.
Një ngjyrë morale
Nga mesi i 1500-ës, ngjyra blu i zë vendin ngjyrës së kuqe, duke u bërë ngjyra më e bukur dhe më fisnike në krahasim me ngjyrat e tjera. Edhe sot, burrat veçanërisht vishen me kostume ngjyrë blu, në raste serioze dhe formale. Një përdorim që i ka rrënjët në reformën luteriane, e cila përkrahu tentativën për të forcuar ndarjet shoqërore. Kështu që ngjyra blu, u bë ngjyra e të pasurve, duke humbur cilësimin e dikurshëm. Në 1654-ën u cilësua si "ngjyra e djallit", sepse ishte simbol i luksit.
Bluja kimike
Në 1700-ën, një tjetër kthesë rrënjësore për këtë ngjyrë u bë për arsye ekonomike. Heinrich Diesbach, shitës ushqimesh dhe krijues i ngjyrave, krijoi aksidentalisht një ngjyrë të re, blunë e Prusisë, duke përzier potasium me sulfatin e hekurit, dy substanca të përdorura për të nxjerrë ngjyrën e kuqe.
Misteret e kimisë
Në 1737-ën ngjyra blu e errët u mor nga ushtria prusiane dhe u bë "ngjyra e mbretit". Ajo qëndroi në uniformën prusiane deri në fillim të Luftës së Parë Botërore. Në 1878-ën u sintetizua kimikisht nga Adolf Bayer. Tashmë prodhimi i ngjyrës blu nuk kërkonte më receta të komplikuara.
Heroizma
Suksesi i ngjyrës blu u konstatua edhe në gjuhë: në një fjalor të 1765-ës u gjendën 24 terma për ta përcaktuar, në krahasim me 13 të një shekulli më parë. Tonaliteti i kësaj ngjyre filloi të hynte edhe në letërsi: në romanin e pambaruar të Novalis, "Enrico di Ofterdinger" (1802), heroi kërkonte një lule ngjyrë blu, të cilën e kishte parë në ëndërr dhe përfaqësonte poezinë dhe jetën ideale. Kur i riu Werther, heroi romantik i Gëtes, përshkruhet me një frak ngjyrë bojëqielli, ai filloi të imitohej nga të gjithë të rinjtë e Evropës; një fenomen i ngjashëm me suksesin e xhinseve, pantallonat e forta e prezantuara nga Levi Strauss, të cilat menjëherë u kthyen në "uniformën" e të rinjve të mbarë botës.
Që nga 1800, ngjyra blu është ngjyra e romantikëve dhe idealistëve, e lirisë, melankolisë dhe ëndrrave.
Marketing dhe qetësues
Jo rastësisht, ngjyra blu ka përdorim të gjerë për të përcaktuar gjendje të ndryshme shpirtërore. "Blue hour" (ora blu), është ora e daljes nga zyra për britanikët. "Blu" përdoret zakonisht kur një njeri ndihet melankolik, "blue devils" (djajtë blu), janë djajtë që bëjnë që njeriu të pendohet dhe të vuajë.
Në ditët e sotme, marketingu ka filluar që ta shfrytëzojë fuqinë qetësuese të kësaj ngjyre, që mund të jetë për faktorë kulturorë, por edhe fiziologjike. "Max Luscher, i cili është i njohur për testet që bën me ngjyrat, ka treguar se ekspozimi në dritën blu ndikon në metabolizëm dhe në pakësimin e rrahjeve të zemrës", shpjegon Natale Stucchi, pedagoge e psikologjisë së përgjithshme në Universitetin e Milano-Bicocca.
"E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e qetësuesve: ngjyrosja me blu të krijon efekt vizual të kënaqshëm, kështu për shembull në Viagra, në linjat ajrore (Lufthansa, Delta, AirFrance) ngjyra blu ka një përdorim të madh. Bluja është logoja e "American Express", "blue chips" përdoret në financë për të përcaktuar veprimet referuese. Ngjyra blu ka përdorim të gjerë edhe në stolitë e çmuara: në të gjithë botën, "Tiffany" ka konfeksione me ngjyrën blu.
Ngjyra blu ka hyrë edhe në politikë, pothuajse kudo është ngjyra e partive të djathta: duke filluar nga Partia Liberale Australiane, në Partinë e Koalicionit Nacional Finlandez, me përjashtim të pjesshëm të republikanëve amerikanë.
Sot bluja është ngjyra e preferuar nga shumica e popullsisë së rritur. "Nga testet tona, që janë bërë tek 10 mijë subjekte, del se gjendja shpirtërore kolektive është e orientuar nga tonalitetet e blusë, grisë dhe të zezës, sepse këto ngjyra të ofrojnë një mbrojtje nga pasiguria, frika ekonomike dhe shoqërore", tregon Gianandrea Abate, ekspert i psikolinguistikës në shoqërinë Lexus. "Janë rritur kërkesat për pijet e freskëta ngjyrë blu. Me anë të tyre komunikohet energji, vitalitet dhe besim".
Cila është origjina e fjalës "blu"? Fjala "blau" vjen nga gjermanishtja e vjetër, që do të thotë "brilante", ndërsa "bojëqielli" vjen nga arabishtja "lazaward". Në greqishten e vjetër ekziston edhe fjala "glaukos", që do të thotë më shumë e gjelbër në gri se sa në blu, për tonalitetet më të errëta përdorej fjala "kyaneous".
Jo më kot ngjyra blu është ngjyra e preferuar e terapisë, që bëhet me anë të ngjyrave. Sipas ekspertëve, kjo ngjyrë të ofron relaks dhe qetësi absolute. Ata këshillojnë që dhomën tuaj të gjumit ta lyeni me këtë tonalitet. Aktualisht është ngjyra që përdoret më shpesh për makinat dhe veshjet e modës. Është një ngjyrë që nuk del kurrë nga moda. Duket sikur ngjyra blu është mbizotëruesja e universit.
Përse deti dhe qielli na duken blu
Ngjyra që ne perceptojmë vjen nga fenomeni i përhapjes së dritës, që realizohet kur drita diellore (e përbërë nga valë të gjatësive të ndryshme) bie në kontakt me grimcat e ajrit: teksa valët e kuqe dhe të verdha që janë më të gjatat, "përzihen" me këto grimca dhe arrijnë në sipërfaqen tokësore, valët blu-violetë që janë më të shkurtra shpërndahen në të gjitha drejtimet, derisa krijojnë një sfond uniformë ngjyrë bojëqielli. Ngjyra e detit krijohet pjesërisht nga refleksi i qiellit në ujë (që ndryshon nga kushtet klimaterike) dhe pjesërisht nga thellësia (kur është cekët duket i kaltër). Uji ka aftësinë për të thithur rrezatimin e kuqërremtë, kështu, në një farë pike, bëhet shumë blu. Ky fenomen ndodh në thellësi të mëdha, ku ngjyra blu dominon.
Marre nga : Gazeta Shqip











