Blofi i Bashes e rikthen topin ne fushe te maxhorances

Blofi i Bashes e rikthen topin ne fushe te maxhorances

Pikërisht atëherë kur të gjithë prisnin që kryebashkiaku I Tiranës Lulzim Basha, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike, të finalizonte projektin e dhënies me konçension të parkingjeve të kryeqytetit, sikurse është akuzuar rëndom nga mediat: kompanive me të cilat e lidhnin interesa, ka ndodhur tërësisht e kundërta. Domethënë kundërshtimi dhe thirrja që pritet ti bëjë Këshillit bashkiak të kryeqytetit, për ta shtytur procesin e dhënies me konçension të parkingjeve edhe për pesë vite të tjera. Tamam si në një lojë pokeri, ku edhe pse letrat nuk ta favorizojnë fitoren falë blofit fati ndryshon.


Sigurisht është ende herët të flitet nëse do ketë një fitore politike të Lulzim Bashës, që përveçse kryetar i forcës politike PD është edhe kryesues i koalicionit opozitar, por më e rendësishmja pjesë e fitores është arritur. Me vetëm një lëvizje të bërë paraditen e sotme, Basha ja ka dalë t’a rikthejë topin e konçensionit të parkingjeve kryeqytetase në fushën e maxhorancës që me shumicë votash sundon Këshillin Bashkiak të Tiranës.


Do t’i kërkojë Këshillit Bashkiak të shtyjë për pesë vjet propozimin e dhënies me koncesion të hapësirave të parkingjeve publike në kryeqytet, ka deklaruar kryebashkiaku Basha, i pyetur rreth kësaj teme, ndërsa përuronte paraditen e sotme një kopësht. Një vendimarrje kjo, sipas tij e ardhur nga që vlerësoi zërin e qytetarëve dhe jo atë të “gjobëvënësve oligarkë”, sikurse i përkufizoi personat e interesuar për këtë investim, por të lenë në anonimitet prej tij.


“Trafiku dhe mungesa e parkingjeve është problem i tmerrshëm. Zgjidhja e këtij problemi përbëhet nga disa programe, i pari ka të bëjë me ndërtime në infrastrukturë, i dyti me përdorimin e teknologjisë dhe i treti me një sërë investimesh që menaxhojnë trafikun dhe parkimet publike”, u ka thenë kryebashkiaku Basha gazetarëve duke u shpjeguar edhe se kjo tërheqje e papritur ka si qëllim mosrëndimin e tepërt të xhepave të qytetarëve, në kushtet kur kriza ekonomike, që sipas tij ka ardhur nga puna e keqqeverisjes aktuale, është thelluar më tej.


Sigurisht ne nuk marrim përsipër të shprehemi rreth faktit sesa e sinqertë është tërheqja nga koncensioni dhe motivi të cilin Kryebashkiaku i Tiranës e artikuloi paraditen e sotme, pasi kjo do të verifikohet në qendrimet “pro” dhe :kundër”, që do të mbajnë grupet e këshilltarëve dy palësh në mbledhjen e pritëshme të Këshillit Bashkiak. Megjithatë mbështetur tek sa ka ndodhur deri më sot, na mbetet të gjykojmë se, pas publikimit të tërheqjes nga konçensioni, së bashku me shpërndarjen e reve të mbarsura me rrebeshin politik të pritshëm për tu derdhur mbi supet e zbuluara të opozitës, Lulzim Basha u ka hedhur përfaqësuesve të maxhorancës qeverisëse, që ka shumicën vendimarrëse në Këshillin e Bashkisë së Tiranë, edhe dorashkën sfiduese.


Duke mos kërkuar dyluftimin me dyfeqe çarqengrehur në sheshin e burrave të politikës shqiptare ( sikurse është traditë), por duke imponuar vazhdimin e luajtjes së lojës në favor të opozitës, që ai drejton. Dhe, natyrisht, kundër “gjobvenësve oligarkë”, të mediatizuar deri sot paradite se, për hatër të interesave përfituese, i’a kishin dalë të blinin votat “pro” të pozitës e opozitës në Këshillin e Bashkisë. shtypi.net


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama