Big Bang-u dhe sfidat e shkencetares shqiptare

Big Bang-u dhe sfidat e shkencetares shqiptare

Sot sukseset e saj në botën e shkencës janë të panumërueshme. Për të mbërritur aty ku është, ka kaluar një rrugë plot sfida. Ditën e parë të shkollës, kur ishte 6 vjeç, nuk e ka harruar as sot e kësaj dite... Atë ditë babai i saj u internua nga regjimi komunist. Bëhet fjalë për shkencëtaren dhe kozomologen shqiptare Laura Mersini Houghton (1969, Tiranë), e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon në Universitetin Amerikan të Karolinës së Veriut, në Chapel Hill. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ajo ndalet te kujtimet e përziera, të ëmblat dhe të hidhurat, që ruan nga fëmijëria e saj. Mbërritja e saj duket sikur ishte e përcaktuar. Kudo që ajo futej gjente një lloj ngrohtësie, që shumë pak fëmijë e kishin asokohe, nga njëra anë ishte i ati, Nexhat Mersini, profesor matematike, që e përkrahte dhe nga ana tjetër ishte e ëma, që punonte te Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve.

Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?

Babai im ka qenë i internuar 3 herë, kështu që janë kujtime të përziera. Edhe të ëmbla edhe të hidhura.

Cilat janë mungesat që keni ndier, por dhe gjërat që ju kanë bërë të lumtur?

Nga një anë kisha një përkrahje të jashtëzakonshme, sepse për nëntë vjet isha fëmijë i vetëm dhe i gjithë fokusi i prindërve ishte tek unë, te formimi im. Duke e pasur babanë profesor matematike, medoemos që krijohej një frymëzim dhe një nxitje e veçantë për shkencën. Mami punonte te Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kështu që nga ana e saj isha e rrethuar me shkrimtarë, artistë, muzikantë dhe skulptorë. Në këtë aspekt mbërritja ime ishte e piketuar, sepse kisha pjesën më të mirë të të dy krahëve, anën shkencore dhe anën artistike. Kisha kujdes dhe dashuri të jashtëzakonshme nga prindërit. Kudo ku unë futesha kisha atë lloj ngrohtësie që shumë pak fëmijë e kanë. Kjo është ana e veçantë.

Nga ana tjetër ishin edhe rrethanat politike...

Po, në të njëjtën kohë ishte dhe ana politike. Babai kishte lindur në Çeprat të Vlorës, në një familje bejlerësh, pavarësisht se ishte fëmijë 3 apo 4 vjeç kur erdhi regjimi komunist dhe nuk mbante mend asgjë. Për shkak të pronave dhe pasurisë, që kishte pasur familja të afërmit iu konsideruan kulakë. Babi merrej me zbatimin e matematikës në ekonomi, ishte pak larg nga ana politike, por sa herë që dilte diçka në shtyp njerëzit i trembeshin dhe thoshin: Ou ky qenka nga një familje borgjeze. Mbaj mend ditën e parë të shkollës sime, 6 vjeçe, babi u internua në një fshat të Përmetit. Arsyeja ishte, sepse kishte dy vjet që punonte me një algoritëm të veçantë në matematikë, të matricave të rralla. Ai kishte punuar në revistën shkencore shqiptare në Oksford.

Asnjë nga ne nuk e dinte, por i erdhi një letër që e ftonte disa muaj të punonte atje, si profesor, që të fliste më tepër për këtë zbulim, me të tëra shpenzimet e paguara. Në atë kohë letrat nuk i shkonin direkt personit në dorë, por ishte hapur nga të tjerët, në universitet aty ku im atë ishte profesor. U bë një mbledhje e madhe për këtë, që u quajt “Debati ideologjik” me stilin e revolucionit kulturor. U mblodh i tërë institucioni një javë deri në mes të natës, nëse im atë ishte futur në rrymën kapitaliste apo jo. Në fakt rezultati i këtij diskutimi ishte që u dënua, por në vend që të përfundonte në burg përfundoi në internim.

Ky internim nisi në ditën tuaj të parë të shkollës...

Më çoi mua në orën tetë në shkollë dhe pastaj u nis. Janë këto lloj kujtimesh të përziera, që e bëjnë jetën shumë interesante. Është kollaj për mua që të flas tani që kanë kaluar të gjitha këto (teksa rrëfen i dridhet zëri).

Ju e kishit në gjene shkencën, por si nisi rruga juaj në fushën e fizikës?

Ndjekja e kësaj rruge nga unë erdhi në mënyrë të natyrshme. As babi as mami nuk u munduan asnjëherë që të më shtynin në një rrugë të caktuar, por më lanë të lirë. Në mënyrë indirekte ka qenë influencë e jashtëzakonshme e babit. Unë isha 3 apo 4 vjeçe, kur ai çdo ditë të diele më merrte dhe mua në Bibliotekën Kombëtare. Kështu që, në mënyrë indirekte, duke parë atë që më fliste për ekstraktet e tij, mua më dukej shumë frymëzuese kjo fushë. Përveçse shembullit konkret nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj influence. Ndoshta erdhi në mënyrë të natyrshme, sepse në shkencat shoqërore, Histori dhe Gjeografi, nuk kam qenë asnjëherë e zonja (qesh), por në shkencat natyrore matematikë, fizikë, kimi dhe biologji dilja mirë. Në shkollë të mesme fitova olimpiadën kombëtare dy herë.

Unë hyra tek të dyja, te fizika dhe matematika, sepse as vetë nuk kisha të qartë se cilën degë doja të studioja. Në olimpiadë dola më mirë në fizikë dhe prandaj vazhdova Fakultetin e Shkencave Natyrore, për Fizikë. Një vit, pasi mbarova fakultetin kohët kishin ndryshuar dhe krijoheshin mundësi për bursa jashtë vendit. Dhashë provimet, që ishin pjesë e aplikimit dhe fitova studimet në Universitetin e Wisconsin-Milwaukee. Bursa ishte vetëm për tetë muaj dhe ishte për nivel të avancuar të studimeve, barchelor. Pasi mbarova këtë vit, nisa studimet pasuniversitare dhe bëra masterin.

Gjithmonë kisha dëshirë që të studioja Fizikën Kuantike në Hapësirë të Formuar dhe më i miri në këtë kontinent ishte themeluesi i kësaj fushe, Leonard Parker. Unë transferova studimet e mia nga Maryland-i, në këtë universitet, që të punoja me të. Në vitin 2000 mora doktoraturën dhe kisha aplikuar për studime pasdoktorature, që për një shkencëtar shkojnë 7 deri në 8 vjet. Të aplikosh për një punë, si profesor duhet që të kesh bërë 7-8 vjet post-doktoraturë. Unë bëra post-doktoraturën në Piza dhe u ktheva në Universitetin e Syracuse-s. Më pas m'u ofrua puna në Chapel Hill (2003). Ndërkohë kisha dhe një ofertë nga një institut shkencor në Kanada, i cili tani është një nga më të mirët në botë. Aty punova vetëm një vit dhe iu riktheva punës në Chapel Hill, në vitin 2004.

Cilat janë sfidat që keni përballuar gjatë fillimit të karrierës suaj?

Janë sfida normale që kalon çdo student i fizikës. Fizika vazhdon që të jetë një nga fushat më të vështira, qoftë nga ana studimore, qoftë nga numri i vendeve të punës që hapen. Por ka dhe sfida të tjera në fizikën teorike, një sfidë më vete është dhe ardhja nga Shqipëria. Nëse një pjesë e studentëve kishin mbështetje, sepse vinin nga ky rreth shoqëror unë nuk e kisha këtë. Vështirësi tjetër, në këtë fushë ka qenë, vazhdon që të jetë, fakti i të qenit femër. Edhe sot e kësaj dite, te fizika teorike vetëm 3 për qind janë femra, e njëjta statistikë ka qenë edhe më parë. Është një fushë ku ndryshe nga të tjerat, ku femrat nuk kanë avancuar, fizika vazhdon ende të ruajë tradicionalen. Për shembull, në Marlyend nga 200 studentë të brezit tim 3 ishin femra, të tjerët ishin meshkuj.

Kjo është një farë pengese e heshtur, që merret në shumë mënyra, nga të cilat varet karriera dhe avancimi në profesion. Karriera varet edhe nga grantet që aplikohen nga institucionet shtetërore apo private. Me anë të këtyre bursave ne kemi mundësi që të marrim në punë studentë të ndryshëm, që t’i mbështesim në karrierë, përsa i përket anës shkencore. Por, kur një femër publikon një zbulim të madh, numri i citimeve dhe i njohjeve të atij studimi është shumë më i vogël, sesa kur këtë studim e bën një mashkull. Femrat duhet të jenë dy herë më të suksesshme se meshkujt, që të arrijnë në të njëjtin nivel suksesi. Të këqijat e kësaj janë, sepse shpeshherë e ndien veten ngushtë, kur e shikon një zbulim, që e ke bërë ti dhe që mund t’i aneksohet dikujt tjetër. Por ka dhe anën e mirë, që të detyron të jesh edhe më e zonja.

"Nga Akademia e Shkencave s'kam marrë asnjë ftesë"

A keni pasur ftesë për bashkëpunim nga Akademia e Shkencave në Shqipëri?

Jo.

Keni një mesazh kundrejt të rinjve, që duan të merren me shkencën?

Studimet shkencore janë shumë të vështira, sepse në çdo ditë të jetës tënde ti nuk kërkon thjesht përgjigjen e një problemi, por duhet që të shpikësh problemin. Duhet që ta gjesh vetë atë problem, për të cilin do të mësosh për vite të tërë të jetës tënde, duke e studiuar. Nuk duhet që të influencohesh nga emri apo nga autoriteti i njerëzve rreth e rrotull vetes, por gjithmonë të jesh i bazuar në intuitën tënde, të vazhdosh që të kërkosh derisa të jesh i kënaqur ndaj atij problemi.

A i ruan raportet me Shqipërinë, çfarë të mungon nga ky vend?

Unë në Shqipëri vija kur kisha tim atë gjallë. Hera e fundit që kam ardhur ka qenë në përvjetorin e tij të vdekjes, tani duhet që të vij për diçka më të gëzuar. Në Shqipëri gjej gjithmonë ngrohtësinë dhe dashurinë e njerëzve. Për shembull, kujtoj se, kur vdiq babi, sapo mora lajmin u nisa. Ishte shumë e vështirë që të vija brenda ditës. Arrita në aeroport dhe brenda dy orëve duhet të isha në Vlorë. Në fillim polici më tha: Ku shkon? I thashë se duhet të nisesha direkt për në Vlorë. Ai sa më pa në fytyrë më tha: Mirë se erdhe në vendin tënd bija ime! Ishte diçka kaq e vogël, por nëpërmjet saj ndjeva ngrohtësinë e vendit tim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama