Beteja per Tiranen lufte edhe per voten e fundit

Beteja per Tiranen, 'lufte' edhe per voten e fundit

Pa dyshim gara më e rëndësishme në zgjedhjet vendore të 21 qershorit është bashkia e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Për koalicionin e majtë kandidon ish ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ndërsa për koalicionin e djathtë mjeku i njohur, ish ministri i Shëndetësisë Halim Kosova. Veliaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në votime. "Dua të bëj thirrje të gjithë qytetarëve që është shumë e rëndësishme të votojnë.

 

Ne ankohemi, shqetësohemi, po në fund ka rëndësi mënyra si e shprehim atë që mendojmë. Unë besoj se ç’është thënë në këtë fushatë, qytetarët e japin me votën e tyre masive opinionin e tyre mbi drejtimin e tyre që duan të çojnë vendin. Çdo votë vlen, ndaj është festë e demokracisë”, tha sot kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Me të njëjtën thirrje u është drejtuar votuesve kryeqytetas edhe Halim Kosova. "Përfitoj nga rasti të them sot që për Tiranën është një ditë shumë e mbarë. Ftoj të gjithë banorët e saj të respektojnë standardet, të ushtrojnë pushtetin e tyre, të vënë demokracinë në punë, nëpërmjet votimit masiv.

 

Këto nuk janë zgjedhje politike, por për menaxhimin e qytetit. E dinë qytetarët cila do të jetë më e mira”, - tha z. Kosova. Në zgjedhjet e kaluara lokale kur konkurronin ish kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe sfidanti i tij demokrat Lulzim Basha, të gjithë mbajnë mend ankthin e numërimit të votave. Rama mori një fitore me fotofinish, vetëm me 10 vota avantazh. Konstatimi i disa votave që ishin futur në këndin e atyre të pavlefshme evidentoi më tej se kishte vota për të dy kandidatët që kishin vlefshmëri ndaj u krye një rinumërim i pjesshëm që përfundoi me fitore +84 vota të kandidatit Basha. Duket se rezultati i ngushtë i katër viteve më parë, i ka shtyrë të dy palët t'u bëjnë thirrje votuesve dhe t'u kujtojnë se çdo votë është e vlefshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama