Ben Blushi akuzon Ramen e Bashen per deshtimin e reformes ne drejtesi

Ben Blushi akuzon Ramën e Bashën për dështimin e reformës në drejtësi

Deputeti Ben Blushi fajësoi Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e PD-së Lulzim Basha si të paaftë dhe si aktorët kryesorë të dështimit të reformës në drejtësi.

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, deputeti Blushi u shpreh se arritja e një konsensusi mes dy partive duket më larg se kurrë dhe kostoja që do të paguajnë shqiptarët për drejtësinë e munguar do të jetë e lartë.

"Ka një përçmim, kam përshtypjen, nga komuniteti ndërkombëtar sesa aftësi ka kjo klasë politike për të zgjidhur një çështje jetike për Shqipërinë dhe ka neveri nga shqiptarët për një klasë politike që nuk ka mundësi të marrë një vendim që në fund fare i lehtëson cilësinë e jetës qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Nëse reforma në drejtësi nuk kalon, në këtë sallë ndoshta nuk ka për të ndodhur asgjë, por çështja është kush është kostoja dhe kush e paguan koston e mungesës së drejtësisë në Shqipëri," deklaroi ai.

Zoti Blushi akuzoi krerët politikë të vendit se jo vetëm nuk e duan reformën në drejtësi, por se dhe nëse do të arrihet një kompromis, zbatimi i saj do jetë me dy standarde. Ai përmendi dhe emrat e deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë që pavarësisht se kanë shkelur ligjet vazhdojnë ende të jenë të lirë e në krye të detyrës.

"Shkojmë në Dibër, po kthehet dhe Shukriu në punë, po sigurisht ka precedent. Nëse u lirua i pari [Elvis Rroshi], pse të mos kthehet i dyti? Dhe Shukriu do kthehet në punë.Më thoni pra kush e qeveris Kavajën dhe Dibrën?Kush i qeveris këto qytete, ka tre muaj? Ky është standarti si veprohet në Shqipëri", u shpreh deputeti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama