Mbi 1 milion ballokume ne Diten e veres

Mbi 1 milion ballokume ne Diten e veres
Elbasani nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë në Ditën e Verës por i të gjitha trojeve shqiptare. Risia e këtij viti është pjesmarrja e bizneseve, këngëtarëve dhe pse jo e qytetarëve kosovarë dhe shqiptaro-maqedonas në ditët e festimeve. Një ndër organizatorët e festimeve Xhimi Vila thotë se ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit Dita e Verës është shtrirë në kohë por edhe në hapsirë.

“Dita e Verës është ndryshe pasi tashmë ka marrë përmasa mbarëkombëtare. Shtrirja në hapsirë e festimeve është risia e këtij viti ku për herë të parë pjesmarrës të saj janë bërë edhe bashkëatdhetarët tanë përtej kufirit si Kosova dhe Maqedonia ku me produktetet e tyre janë në prezent në shesh në minipanairin e improvizuar me këtë rast”.

Tipike për ditën e Verës janë gatimet. Kuzhina elbasanase por jo vetëm do të jetë në sheshin Gensher ku qytetarët do të kenë mundësi të provojnë ushqimet e servirura nga Shoqata e kuzhinierëve të Shqipërisë. “Shoqata e kuzhinierëve të Shqipërisë të cilët me gatimet e tyre do të prezantojnë kuzhinën karakteristike sipas trevave ku do të ketë edhe degustim nga qytetarët. Ky degustim do të jetë falas për të gjithë qytetarët duke e bërë më të bukur e sidomos më të shijshme festën”.

Embëlsira mbetet për në fund dhe konfirmon edhe një herë përmasat mbarëshqiptare të festës së Ditës së Verës. Grupi i mirënjohur kosovar Elita 5 do të jetë në Sheshin Gensher duke performuar life këngët hit dhe realizimet e fundit”. 14 marsi i kushtohet aktiviteteve të fëmijëve dhe më pas dreka tradicionale në natyre, një rit i përvitshëm i qytetarëve elbasanas me të ftuarit e tyre. Embëlsira e bollokumes ka përfshirë të gjithë qytetetin dhe ata që po gëzojnë më shumë janë tregëtarët elbasanas që presin shumë shitje dhe fitime gjatë ditëve të festës. Mendohet të jenë prodhuar mbi 1 milion copë jo vetëm për Elbasanin por edhe tregun e Tiranës e qyteteve të tjera. Madje disa prodhues kanë menduar ti dërgojnë edhe në Kosovë e Maqedoni ku kjo ëmbëlsirë thuajsenuk njihet dhe është mjaft e kërkuar.

Sejdini: nuk kemi ftuar askënd pasi i presim të gjithë në Elbasan

Ka ndodhur që shpesh është cilësuar edhe si e politizuar festa e Ditës së Verës, e madje kur kryeministri e vendosi si festë zyrtare, elbasanasit u zhgënjyen pak pasi u ndjenë “të tradhtuar”. Kjo është një festë lokale e tradicionale e askush nuk mund ta përjetojë siç e përjeton zona ku kanë kaluar shekujt duke ndjekur traditën e Zanës së Çermenikës që sjell përtëritjen dhe gjallërinë e natyrës.

Në Elbasan Dita e Verës nuk është thjeshtë një festë, ajo është një himn kushtuar bollëkut dhe gjithçkaje që largon dimrin e sjell ngrohtësinë e gjelbërimin. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit si qytetar i parë thotë se ky qytet e pret dhe përgatitet për këtë festë.

“Ne kemi menduar që këtë vit të kemi aktivitete maratonë. Përgjatë një jave janë dhënë koncerte e muzikë në shesh, dokumentarë, është hapur një ekspozitë, panairi ka startuar për të gjithë qytetarët, sheshi Gensher është kthyer në qendër të festës dhe shijimit dhe të gjithë kësaj atmosfere do ti shërbejnë edhe produktet e traditës. Natën e 13 marsit kemi ftuar shumë këngëtarë që ardhjen e Ditës së Verës të gjithë ta presin në shesh me një grup të mirënjohur si Elita 5. E gjithë kjo është bërë që qytetarët të festojnë e të gëzojnë. Ky është i gjithë qëllimi qe ne jemi sforcuar që çdo vit kjo festë të bëhet edhe më e larmishme, edhe më e bukur e më shumë tërheqëse për të gjitha moshat”.

Sejdini thotë se tradita elbasanase e festimit të ditës së verës vazhdon të ruhet me fanatizëm jo vetëm nga elbasanllinjtë e vjetër por ajo është përqafuar edhe nga të ardhurit. “Për mua nuk ka ndryshuar asgjë nga festa që kam unë në kujtesën time. Megjithëse vetë kam 10 vjet që nuk e kam privilegjin ta festoj me familjes pasi pres miq e të ftuar është kenaqësi të kesh mysafirë për Ditën e Verës. Edhe këtë vit ne nuk kemi bërë ftesa. Janë të gjithë të mirëpritur pa ngjyrime politike. Do të pres këdo që do të vijë në Elbasan sepse kështu respektojmë, vlerën më të madhe që ka kjo zonë, mikpritjen. Elbasanasit e dëshirojnë këtë festë por jo vetëm ata. Ditën e Verës, gatimin e ëmbëlsirave tradicionale dhe gjithçka tjetër e kanë përqafuar edhe të ardhur së fundi në këtë qytet.

Dita e Verës vazhdon të festohet me të gjitha ritet dhe ëmbëlsirat shoqëruese. Këtë festë nuk e mbajnë gjallë vetëm elbasanasit por edhe të ardhurit. Të gjithë ata që kanë ardhur por edhe ata të vonët tashmë janë asimiluar dhe ndjekin të njëjtëtn traditë si në dasma, në morte e në festa. Madje edhe bollokumet kanë filluar ti bëjnë mirë” thotë duke qeshur Sejdini që preferon ti urojë gjithë ata që festojnë Ditën e Verës me atë që ka simbol kjo ditë, bollëk e mbarësi, urime që na shërbejnë mjaft sidomos në këto kohë me vështirësi ekonomike.

Dita e Verës, dikur shërbente dhe për të zgjedhur nuset

Dita e verës për elbasanasit e vjetër është më shumë se nostalgji në kohët moderne që po jetojmë. Kjo ditë është një rit që ndiqet me shumë fanatizëm e dashuri për natyrën. Simbolika e saj është në mendjen e më të vjetërve dhe në disa familje vazhdon të ndiqet duke ruajtur kështu në detaje atë që të gjithë e quajnë Dita e Bollëkut. Shpëtim Haxhihyseni është studiues i traditës dhe zakoneve të Elbasanit. Ai përcjell kujtimet e fëmijërisë duke i quajtur kohë të arta kur Elbasani konsiderohej një ndër qytetet ku çdo festë kishte vlerën e saj. Mbi festimin e ditës së verës ai kujton me mall fëmijërinë e tij 70 vjet më parë.

“Dita e Verës kishte gjithë një rit të vetin që e ndiqte çdo familje. Nëna ose nusja e shtëpisë ngrihej qysh në mëngjes pa lindur dielli. Fshinte gjithçka, shtëpinë, oborrin e rrugicën dhe vendoste në majë të derës një plis dheu me barë të njomë që rrezja e diellit kur të binte të ndriçonte gjithçka të pastër. Më pas ngriheshin fëmijët të cilët visheshin me veshje të reja të përgatitura për ditën e Verës. Ata thërrisnin me emër dhe bënin një lojë që ishte më shumë si një rit për largimin e të këqijave të dimrit. Djemtë e vegjël të shtëpisë përgatiteshin për atë që njihet si riti i “Kamës”.

Djali dhe jo vajza do të merrte në duar një tabaka ku ishin vendosur kryesisht gjëra të ëmbla dhe ëmbëlsirat tradicionale, bollokumja ose revania. Vezët e ziera nuk ngjyroseshin, zakonisht ngjyrosjen e bënin vetëm ortodoksët. Po kështu kishte fruta të thata dhe mollë sheqeri të bëra vetë. Këto dërgoheshin ose tek të afërmit, te krushqinjtë por edhe tek fqinjët në lagje. Pasi merrte tabakanë, familja e zëvëndësonte me gjithçka që kishte përgatitur vetë dhe ia sillte djalit. E kështu shkëmbeheshin edhe ëmbëlsirat tradicionale dhe në fakt kjo rriste konkurrencën kush e kush ti bënte më të mira. Hisja është një tjetër moment i ditës së verës. Nëna e shtëpisë i ndante të gjitha duke filluar nga mishi e deri tek frutat e thata në mënyrë të barabartë. Këto ushqime do të ishin pjesë e piknikut.

Elbasanasit zakonisht merrnin gjel deti edhe për Ditën e Verës. Kjo festë do të festohej në natyrë. Askush nuk rrinte në shtëpi. Të gjithë niseshim grupe grupe tek Rrapi i Mansit ku është sot Teqja e Madhe ku me muzikën e orkestrës kërcehej ndërsa ne fëmijët luanim deri vonë. Po kështu një vend tjetër ishte Ullini i Qejfit e Krasta. Në 14 mars qyteti i Elbasanit boshatisej. Një tjetër moment i bukur ishte pasditja në perëndim. Të gjithë ktheheshim grupe grupe, dalëngadalë drejt shtëpive.

Kjo ishte koha kur djemtë shikonin vajzat që kishin hequr pak perçet, vjehrrat shikonin nuset dhe motrat zgjidhnin vajzat e qytetit për vëllezërit. Shumë martesa bëheshin pas Ditës së Verës dhe kjo ditë konsiderohej edhe si një mbarësi për çiftet e reja”. Haxhihyseni thotë se megjithëse shumë nga ritet nuk bëhen më dhe forma ka humbur, Dita e Verës është masivizuar më shumë.

“Të gjithë kanë mundësi më të mëdha. Teknologjia është më e pranishme, muzika nuk mund të dëgjohej në anën tjetër të qytetit, nuk kishte restorante apo pabe. Festa kalohej në natyre dhe në paqe të plotë me të. Ende shumë qytetarë vazhdojnë ta ruajnë traditën, ta festojnë në piknik dhe me gjithçka që përmban festa. Është e vërtetë që stinët disi kanë ndryshuar sepse tani bën më ftohtë se atëherë dhe të gjithë ne i jemi përshtatur kohës”.

Ëmbëlsirat magjike

Festa niste që në buzëmbrëmjen e një dite më parë kur nënat e gjyshet tona të urta dhe bujare sipas një kodi tradicional duke mërmëritur në heshtje formula magjike e dogma përgatisnin në enë bakri ëmbëlsirat tona tradicionale bollokumet dhe revaninë. Duke qenë se janë ëmbëlsira të thata mund të merren me lehtësi me vete. Duhet  të dini se bollokumja është bërë e tillë e mbledhur dhe e bukur vetëm për tu marrë me vete pasi të vetën kjo festë e ka në natyrë.

Liria, një guzhinjere e mirë e gatimeve tradicionale tregon se sekreti i ëmbëlsirës qëndron tek lënda e parë dhe tek kujdesi i masave që bashkohen me njëra-tjetrën duke e mbyllur me rrahjen e vazhdueshme. Ajo tregon se sekretin e ka mësuar nga nëna pasi receta ka ardhur brez pas brezi. Ajo kujton se ftradita ka ardhur duke mos u respektuar sa duhet por ka edhe shumë familje elbasanase fanatike të traditës që vazhdojnë ti mbledhin zahiretë e bollokumeve siç bëhej një shekull më parë.

“Bollokumja dhe revania janë dy ëmbëlsirat e Ditës së Verës. Veç ëmbëlsirave nuk përjashtohet gjeli i detit që është i pranishëm por edhe ushqime të tjera siç janë edhe frutat e thata. Kjo ëmbëlsirë tradicionale kerkon shumë mund. Të gjitha do të mblidheshin në mënyrë të veçantë si psh toka e kujt fshati e bën misrin e butë, dhe të gjithë shkonin në Shirgjan që ta merrnin dhe nga 10 kg miell nxirrej maja për bollokumet. Vezët ku janë më të mira në Shushice, gjalpi duhet të ishte dhie i stazhonuar.

Luga e drurit dhe tenxherja e bakrrit e kallisur mirë. Gjalpi bashkohet me sheqerin derisa lëngëzohet dhe më pas i hidhen vezët. Mielli futet pak nga pak dhe duhet të shikohet kur mplekset gjalpi me sheqerin dhe me miellin dhe më pas janë nënat elbasanase që e kuptojnë sa duhet dhe më pas i pjekin me furrë druri. Vërtet tani kanë filluar të gjithë të bëjnë bollokume por patentën për këtë e kanë vetëm nënat elbasanase të cilat e kanë trashëguar brez pas brezi dhe bëjnë bollokumet më të mira dhe të paarrira nga të gjithë duke ia lënë fëmijëve të tyre mjeshtërinë. Edhe vajzat e mia sot edhe pse ndodhen në Amerikë kanë recetën dhe dinë të bëjnë bollokume.

Orkestrina që lajmëronte e para festën

Më të vjetrit kujtojnë se në ato vite pa Usta Isufin nuk mund të kishte Ditë Vere.  Ai ishte analfabet por kjo nuk e pengoi që ai të bëhej “gjeni” në lëmin e muzikës popullore qytetare. Hapin e parë të një pune të mirfilltë të organizuar në fushën e muzikës e hedh në vitin 1905 kur ai themelon orkestrinën popullore të Elbasanit e cila fillimisht këndonte dhe përhapte folklorin e zonës dhe traditën shqiptare. Grumbullon në orkestrën e tij instrumentistët më në zë të kohës si Thoma Priftin në klarinetë, Musa Bebetin në mandolinë,Simon Velën më cyr, Mahmud Ashikun dhe Mehmet Balashin në lahut, Arif Çermën (Topallin) në darje etj.

Isuf Myzyri ishte udhëheqës dhe “dirigjent” i orkestrinës. Me këtë orkestër u bë i famshëm në të gjithë qytetin dhe zonën përreth. Me orkestërn e tij merrte pjesë në dasma e gëzime familjare. luante në sheshe dhe në pika turistike sidomos në ditë festash si kjo e Ditës së Verës. Këngët elbasanase ishin kolonë zanore e festës së madhe që vinte pas Bajramit për elbasanasit. Siç mund ta vemë re dhe e kemi parë kjo festë festohet në vende të hapura në natyrë, çka përputhet me panteizimin pangan që adhuronte vetëm natyrën dhe fenomenet natyrore.

Ndër vendet më të preferuara të elbasanasve ishin Rrapi I Mansit, Busheku, Kroi i Kalit, Ulliri i Qejfit, Teferiçi, Burimi i Ali Xhinsit, Burimi i Bangës etj. Por vendi më I preferuar sidomos për ditën e Verës ishte Ullini i Qejfit, ndoshta për bukurinë e kodrës së gjelbëruar, ndoshta për historinë idilike por ky vend si me magji tërhiqte qindra qytetarë. Edhe sot elbasanasit e vjetër e gjejnë rrugën drejt zonave të preferuara. Repertori i orkestrinës ishte shumë i gjërë. Tradita gërshetohej me këngët e reja të krijuara nga vetë ustai të cilat pëlqeheshin më shumë se folku më i mirë i grumbulluar nga thellësia e viteve. Më muzikën e tij arriti të cekë në zemër të gjithë në vendin që ai e dëshironte aq shumë e ku Elbasani shikohej në pëllëmbë të dorës, tek Ullini i Qejfit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama