At Nikolla Marku Ndikimi i Kishes greke ne Shqiperi me i rrezikshem se ai islamik

At Nikolla Marku: Ndikimi i Kishes greke ne Shqiperi, me i rrezikshem se ai islamik

Prifti shqiptar ortodoks në dioqezën e Shën Mërisë në Elbasan rrëfen dhe një episod nga viti 1992, kohë kur kuptoi qëllimet antishqiptare të të zgjedhurit në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Janullatosi është shprehur për Nolin: Ai është përbindësh, një satana

At Nikolla Marku, prifti shqiptar ortodoks në dioqezën e Shën Mërisë në Elbasan, në intervistën e tij për Mapo-n At Nikolla 2shprehet me bindje se ndikimi i Kishës greke në Shqipëri përbën rrezik më të madh se ndikimi islamik, sepse ajo mbështetet dhe udhëhiqet nga një shtet që ka jo vetëm pretendime territoriale në Shqipërinë e Jugut, por që po punon fort për të ndryshuar rrjedhën e historisë së ortodoksisë shqiptare. At Marku rrëfen dhe një episod nga viti 1992, kohë kur kuptoi qëllimet antishqiptare të atij që do të vendosej shumë shpejt në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. 

At Nikolla Marku, ju jeni një nga ata që gjithmonë keni qenë kritik ndaj ndërhyrjes së Kishës greke në Shqipëri. Mendoni se kjo është kthyer në një problem për ne shqiptarët?

Ndërhyrja e ortodoksisë greke në ortodoksinë shqiptare nuk lindi sot. Ajo është 100 vjet luftë për të veçuar Vorio-Epirin dhe për t’ia bashkangjitur shtetit grek. Kësaj i shërben edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatosi. Shteti grek dhe kisha greke janë një, dhe këto 100 vjet kanë thurur lloj-lloj planesh për të aneksuar Jugun e Shqipërisë. Qëllimi i tyre është që të gjithë ortodoksët shqiptarë, të quhen ortodoksë grekë. Kjo u vulos njëherë e mirë e përgjithmonë me ardhjen e Janullatosit në Shqipëri, ku autonomia e Kishës Ortodokse Shqiptare humbi. Janullatosi ka mbjellë anarshi në Kishën Ortodokse, duke ngritur një principatë, një shtet brenda shtetit shqiptar, një kishë filial të Kishës Greke. Ai është aty për t’i shërbyer shtetit grek.

Ju personalisht keni kaq vite që ngrini akuza ndaj Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Keni fakte për këto akuza, apo janë thjesht aludime tuajat? Vetë Kryepeshkopi flet dhe për ju në librin e tij “Ringritja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012)”, edhe pse jo me emër dhe shprehet me pak fjalë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe që rrjedhin vetëm për shkak të origjinës së tij greke?

Së pari, njerëzit që ai ka afruar janë të dyshimtë. Kur punon me njerëz të tillë, arsyeja të çon tek ky përfundim. Ai ka mbështetur dhe mban rreth vetes njerëz pa principe, pa identitet, të shitur, antishqiptarë. Bindja ime për rolin e Janullatosit në Shqipëri është e hershme që kur kam qenë student në Greqi dhe ngrita flamurin shqiptar. Tre priftërinj grekë në mes të natës më kanë sulmuar barbarisht, më thyen dhëmbët. Qysh atëherë Janullatosi më futi në rreth të kuq. Ai është shprehur në atë kohë për Nolin: Ai është përbindësh, një satana. Atje kuptova se ai ishte antishqiptar.

Kur dhe ku është shprehur kështu?

Në vitin 1992, në Kastoria. Përpara një përfaqësie studentësh shqiptarë, ku mes tyre isha dhe unë. Ne ishim 16 shqiptarë që kishim shkuar për të studiuar për priftërinj në Kastoria. Para se të niseshim për në Shqipëri u zgjodh një përfaqësi e jona prej 4 vetësh për të shkuar në Athinë e për të takuar Janullatosin. Me sa u kuptua, po përgatitej terreni për ardhjen e tij në Shqipëri. Në atë takim, ai jo vetëm u shpreh ashtu për Nolin, por i quajti shqiptarët një popull me bisht që kishte sulmuar Zotin për vite me radhë. Madje përkthyes kishte Vangjel Dulen. Ai ishte njeriu më i dyshimtë në atë kohë dhe nuk e di sesi arriti aty ku është.

Ju e keni lidhur Kryepeshkopin Janullatos edhe me partinë naziste “Agimi i Artë”?

Ai atë parti e ka bekuar dhe gjithë anëtarët e saj i ka miq. Prania e Janullatosit në disa takime të kësaj partie në Greqi është fakt. Edhe kur përfaqësues të kësaj partie kanë ardhur në Shqipëri, ata janë pritur dhe përcjellë nga ai.

Përse sipas jush, ai tregoi kaq vendosmëri për të qëndruar e për t’u njohur si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?

Pyetja që shtrohet tani është se, përse Janullatosi do t’i mbyllë ditët e fundit të jetës në Shqipëri? E pra, djallëzia e Kalit të Trojës grek po punon që ai të bëhet shenjtor në Shqipëri, që eshtrat e tij përfundimisht të prehen në tokën shqiptare dhe ai të shpallet martir i shenjtë i Kishës Ortodokse, që është filial i Kishës greke. Kjo bëhet që, në historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare të thuhet e të shkruhet në përjetësi se kjo kishë është vazhdimësi e ortodoksisë greke.

Kjo do të thotë të falsifikosh historinë. Një tjetër akuzë për të cilën besoj se keni argumente dhe fakte?

Ata në themelet e kishave ortodokse nëpër Shqipëri kanë vendosur shishe me letra të vjetra të falsifikuara, që gjoja ato i përkasin kishës greke, që brezat e mëvonshëm të “zbulojnë” në rrënojat e tyre se ortodoksia shqiptare paskësh rrjedhur nga ajo greke dhe se ortodoksët shqiptarë në fakt janë grekë, që ne nuk kemi identitet. Kisha ortodokse shqiptare është pushtuar nga grekët, statuti u hodh në koshin e plehrave, vepra e arkitektit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Fan Noli, po ashtu u hodh në koshin e plehrave. Historinë e ortodoksisë shqiptare kisha e Janullatosit e ka fshirë përgjithmonë me bojë të zezë. Është investuar në botimin e veprave të tij, duke e zëvendësuar bibliotekën e Fan Nolit me atë të Janullatosit. Indiferentizmi i politikës shqiptare dhe i akademikëve shqiptarë i ka hapur rrugë këtij përçudnimi.

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi është shprehur një ditë më parë në një intervistë se ndërhyrja e Kishës greke është më problematike se ajo islamike. Ju si e komentoni këtë?

Unë nuk mendoj se është ndikim, por pushtim. Shteti grek, përmes Kishës Ortodokse Shqiptare me Janullatosin në krye, e ka pushtuar Shqipërinë. Politika shqiptare është dorëzuar para presionit grek, ashtu si dhe një pjesë e komunitetit ortodoks. Ndërhyrja greke është më e rrezikshme se ajo islamikë. Këta të fundit ishin ca djem të rinj që u lidhën me njëri-tjetrin, shkelën Kushtetutën dhe ikën për të luftuar në Siri në emër të besimit. Ata nuk ishin të organizuar, ata nuk mbështeten nga ndonjë shtet që ka pretendime territoriale në Shqipëri, ata nuk përpiqen të falsifikojnë historinë etj., etj, kurse Kisha Ortodokse Greke është institucion dhe mbështetet e udhëhiqet nga shteti grek. Ata organizohen dhe financohen nga grekët dhe kanë qëllime antishqiptare, synimi i tyre është të marrin Vorio-Epirin.

Thatë se të gjithë janë dorëzuar. Ju vetë jeni dorëzuar?

Unë nuk dorëzohem kurrë derisa kjo çështje të marrë zgjidhje. Janullatosi ka ngritur kultin e individit në Shqipëri. Shqiptarët ortodoksë mund të shkojnë te mbretëria e perëndisë vetëm nëpërmjet gojës së Janullatosit. Mua besimin ma kanë dhënë prindërit e mi dhe do vazhdoj t’u shërbej ortodoksëve shqiptarë dhe të vërtetës së ortodoksisë shqiptare.

Jeni ndjerë i kërcënuar?

Unë jam dënuar me vdekje nga Kisha Greke, nga “Agimi i Artë” etj. Kam marrë telefonata kërcënuese, më kanë kërcënuar fëmijët etj.

I keni denoncuar?

Në organet kompetente të segmentit të shtetit i kam denoncuar. Por gjithçka është lënë në heshtje.

Pse akuzat tuaja publike kanë rënë në vesh të shurdhët?

Djallëzia e Janullatosit dhe e Kishës Greke është të afrojë, e të punojë me njerëz që kanë vende kyçe në institucionet shqiptare. Deri dje pjesa më e madhe e shqiptarëve ishte e paditur sesi ishte formuar Kisha Ortodokse Shqiptare dhe si është e organizuar ajo. Në momentin që ne i informuam për këtë, gjetëm mbështetje. Por sot jemi në situatën që shteti grek dhe Kisha Ortodokse kanë investuar miliarda euro në Shqipëri. Kisha Ortodokse jo më kot investon në spitale, rrugë etj., edhe pse kurrë nuk i bëjnë të ditura se nga vijnë këto investime. Pra nevoja ekonomike e shtypu popullin dhe sidomos disa kuadro që ta përqafojnë atë. Tashmë ata janë bërë ushtarë të bindur të Janullatosit. Me pak fjalë, janë të kapur.

Edhe politika shqiptare është e kapur?

Unë kam një kritik shumë të ashpër ndaj tyre. Politika është e kapur jo vetëm nga kisha greke, por dhe shteti grek. Politika është gjunjëzuar në mënyrën më të turpshme, sepse është nënshtruar përballë investimeve të shtetit grek në Shqipëri.

Ju thjesht i keni bërë publike, apo keni vepruar edhe ligjërisht?

Unë i kam bërë një letër Patriarkanës së Stambollit, ku japim informacion se Janullatosi është agjent i Shërbimit Informativ kombëtar grek. Ne si komunitet dhe unë si drejtues i Kishës së Shën Mërisë, ia kemi bërë të qartë dy herë Ambasadës amerikane këtë çështje; një herë ambasadorit Withers dhe më pas Arvizusë. I kemi ftuar dhe në kishën tonë që ta shohin nga afër problemin. U kam dërguar letra shumë ambasadorëve. Ia kemi bërë të ditur shqetësimin tonë edhe kryeministrit Rama, të cilit i kërkuam publikisht që të mos e merrte bekimin e Janullatosit. U kemi shkruar më parë ish-kryeministrit Berisha, presidentëve Moisiu e Nishani.

Çfarë përgjigje morët prej ambasadorëve, ju mbështetën?

Ata thjesht konstatuan se është shkelur ligji, por nuk është se më dhanë mbështetje.

Kush ka përgjegjësi, sipas jush, për rritjen e ndikimit grek në Shqipëri?

Përgjegjësia më e madhe është e politikës shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama