Asnje shqiptar sduhet te shkoje ne Siri

'Asnje shqiptar s'duhet te shkoje ne Siri'

Ahmed Kalaja, imami dhe ligjëruesi i njohur fetar është i bindur se konflikti sirian nuk duhet të pëfshijë shqiptarë të asnjë treve. Kalaja thotë gjithashtu se bashkëjetesa fetare është një vlerë bazë për Shqipërinë. "Problemi ynë kryesor si komunitet - pronat"!

Zoti Kalaja së fundmi po flitet shumë në media për pjesmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Si e konsideroni këtë tendencë, nëse mund ta quajmë kështu, të daljes vullnetarë në një luftë që zhvillohet disa mijëra kilometra larg territoreve të banuara nga shqiptarët?


Në rradhë të parë do të dëshiroja t’ju falenderoja për mundësinë që të ndaj me ju mendimet e mia rreth kësaj cështje, e cila ka kohë që flitet ne media. Me të drejtë ju ngrini një pyetje mbi pjesmarrjen e shqiptarëve larg territoreve te banuara nga shqiptarë. I ngacmuar nga pyetja do të dëshiroja të shih­nim disa fakte historike mbi Sirinë. Pa asnjë dyshim shqiptari më i njohur në Siri është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ky vuri nën administrimin e tij gati të pavarur gjithë Sirinë e sotme. U njoh për reformat e thella mes të cilave edhe lirinë e fesë. Vetëm nën sundimin e tij të krishterët mund të hipnin në kalë dhe të mos vishnin rrobat detyruese që i diferenconin ata nga shumica myslimane. Një nga të krishterët më të njohur të vendit, Hana Bahkri, ishte i pari ndër ta që jo vetëm u bë ministër i Financave, por edhe mori titullin bej. Gjë e padëgjuar deri më atëherë në Sirinë e kohës. Në periudhën e sundimit të Ibrahim Pashës kemi shtimin më të madh të pranisë shqiptare. Në 1832 numërohen rreth 15 mijë shqiptarë në ushtrinë e Ibrahim Pashës. Në 1844 duket se ata ishin aq shumë saqë një kryengritje kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak që ndodhi në 1844 është quajtur si “kryengritja e shqiptarëve”. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë sonë, 1912-1914. Nga komuniteti “arnaut” shqiptar kanë dalë shumë njerëz të njohur të arteve dhe politikës. Shumë vepra duke përfshirë edhe Ismail Kadarenë janë risjellë për publikun sirian të përkthyera nga shqiptarët atje. Do të doja të sillja edhe shembullin e luftëtarëve tanë në Spanjë duke iu bashkuar luftës për liri të popoullit spanjoll.
 
Sa e saktë është teza se Xhihadi po fillon të gjejë përkrahësit e tij mes shqiptarëve? Sa ndryshim ka mes Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë, sa i përket përfshirjes së shqiptarëve në të tilla misione?


Jemi ndeshur shpesh në media me termin “xhihad” e cila për fatin e keq ka humbur kuptimin e vërtetë të fjalës. Nga arabishtja fjala Xhihad vjen nga fjala xha-ha-da që do të thotë pëpjekje dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me luftën. Ajo është vetëm një pjesë shumë e vogël e kësaj fjala e cila përfshin gjithcka duke filluar që nga vetvetja. Xha-ha-da përpjekje për të rregulluar vetveten, familjen, shoqërinë. Pra cdo qeveri në cdo vend të botës perpiqet të luftojë dhe të sjellë të mira për popullin i cili e ka votuar, në platmormën që ajo mendon ta cojë vendin përpara. Ndaj xhihadi jonë si shqiptarë është rregullimi i vendit tonë, rregullimi i imazhit përballë sfidave europiane të cilat na presin. Harmonia fetare që padyshim është vlerë e të gjitha feve në shqipëri, tradita më e vyer, është padyshim dhe roli konstruktiv i myslimanëve si maxhorancë e këtij vendi. Sfidat tona janë edukimi i shoqërisë,të kemi më pak krime, më pak dhunë në familje, të kemi më pak pyje që na digjen, të kemi më pak njerëz të varfër nëpër rrugë. Ne duam që kjo harmoni fetare të shtrihet mes shtresave të shoqërisë, sepse sic thotë Profeti yne “ Bamirësia asnjëherë nuk e varfëron atë që jep … “ Ndaj ne si xhami “xhihadin” tonë e kemi përqendruar në ndihmë të komunitetit dhe njerëzve në nevojë. Ne kemi marrë pjesë në akt-dhurime duke iu bashkëngjitur thirrjeve në kohën e përmbytjeve, të bllokimit nga dëbora dhe për këtë nuk kemi kërkuar asnjëherë media sepse qëllimi ynë gjithmonë ka qenë ndihma, edhe pse jemi të varfër, ne nuk duam askënd ta shohim të vuaj.
Kemi mbështetur në mënyrë demokratike dhe me lutje që ato pamje të fëmijëve të vrarë në mënyrë barbare nga rregjimi i Asadit të marrin fund, për këtë kemi mbështetur dhe përpjekjet e cdo qeverie për t’i dhënë fund kësaj dhune të pashoq. Komuniteti Mysliman ka qenë më se i qartë dhe në prononcimin në media që asnjë shqiptar nuk duhet të shkojë Siri. Cilado qofshin arsyet, historike, ekonomike apo fetare, Siria e ka humbur tashmë busullën e saj dhe askush nuk duhet të përdoret për t’u dërguar dhe luftuar në një vend të huaj. Për Kosovën dhe Maqedoninë vende të cilat kanë kaluar dy konflikte nuk mund të them se cilat janë arsyet, por mendoj se edhe atje komunitetet fetare kanë qenë të qartë në qëndrimet e tyre.


Si i komentoni zërat për shfaqjen edhe në Shqipëri të tendencave të para të një islami integralist? Sa prezent është sot ky fenomen mes besimtarëve islamë shqiptarë?


Në përgjithësi ne po punojmë shumë me institucionin e Komunitetit Mysliman dhe deri tani në të gjitha xhamiat e Tiranës që njihen nga komuniteti Mysliman nuk kemi shfaqje të tilla. Mundohemi t’u shpjegojmë njerëzve se feja është paqe dhe thelbi i saj është rregullimi i vendit ku jetojmë. Tradita jonë e harmonisë fetare e burrave patriotë si Vehbi Dibra, Ibrahim Balliu, Zyber Hallulli duhet të jenë shembujt e islamit në Shqipëri. Ne gëzojmë akoma veprat patriotike apo bamirësisë së tyre që nga shtet-formimi shqiptar deri tek normalja Elbasanit apo shtepia e fëmijës, të cilat as dikatura nuk mundi t’i zhdukë. Falë atyre burrave ne sot gëzojmë një tolerancë fetare unike që e gjithë bota nuk e ka. Dua të përmend një thënie të kryeministrit të Malit të zi Mark Milani. “Sa herë që u munduam të fusnim konflikt në Shkodër ndermjet katolikëve dhe myslimanëve apo e kundërta gjithmonë kemi dështuar”. Ndaj trashëgimia e jonë është sfida e të gjithëve së bashku për ta ruajtur të pastër këtë vlerë hyjnore të tolerancës dhe synimi i ynë i përbashkët janë arritjet e vendit tonë, të cilin Zoti na e ka falur aq të bukur dhe të begatë…
 
Nëse do t'ju duhej të jepnit një mesazh për ata të rinj që mund të tentohen eventualisht nga dalja vullnetarë në një konflikt si Siria apo diku tjetër ku luftohet, çfarë do t'u thonit?


Ne jemi një vend demokratik me rregulla të qarta në respektim të ligjit të Zotit dhe të shtetit, kemi një institucion që na udheheq. Të gjithë besimtarët duhet të dëgjojnë Institucionin dhe imamët e xhamive përkatës dhe mos humbin në thirrje që u drejtohen nëpërmjet internetit dhe as mos emocionohen përballë padrejtësive të rregjimit të Basharit, me qetësi vuajtjeve të popullit sirian t’u përgjigjen me lutje që Zoti t’ua lehtësojë. Xhihadi i gjithsecilit fillon nga vetja e tij, me rregullimin e familjes se tij, komshiut, lagjes ku jeton, qytetit dhe mbarë vendit. Nëse ne si popull do të besojmë më shumë do të kemi më pak krime, më pak dhunë, më pak aksidente, ndaj detyrë e cdo myslimani është të jetë model në shoqëri, të ndalojë një të keqe, të mbjellë një pemë, të shpëtojmë një jetë, të ndihmojmë një të varfër, ta duam njëri-tjetrin, keto janë porositë hyjnore që Zoti dëshiron nga ne, ndaj sukseset e Shqipërisë janë sukeset e kujdo i cili ka kuptuar mirë islamin, si fe e paqes dhe bashkëjetesës fetare…
 
Si e gjykoni bashkëjetesën fetare në Shqipëri? A vijon ajo të jetë një vlerë bazë e shoqërisë tonë?


Bashkëjetesa fetare në Shqipëri jo vetëm që është vlerë bazë e shoqërisë por edhe një pasaportë me vlera për mbarë botën. Të jeni të sigurtë që askush nuk e ka, Shqipëria është vendi që nuk ka njohur asnjëherë konflikte fetare. Teologët tanë në histori kanë ditur ta ushqejnë këtë harmoni dhe detyra jonë si komunitete fetare është t’i promovojmë këto figura për t’i kthyer në referencë për rininë. Këtu do të ndalesha dhe do të kërkoja dhe mbështetjen e politikës, të mediave për të pasqyruar vlerën e këtyre figurave fetaro-patriotike. Ata janë dhe duhet të kthehen në referencë e të ardhmes fetare në vendin tonë. Sa më shumë ne do të promovojmë harmoninë dhe figurat tona aq më e pacënueshme do të jetë harmonia fetare. Ne si xhami në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman kemi zhvilluar shumë aktivitete për Ibrahim Dalliun, Vehbi Dibrën, Ali Korcën dhe tek rinia jonë është shfaqur një interes i jashtëzakonshëm për t’u njohur me kontributet e tyre për vendin.
 
Një çështje delikate për komunitetet fetare ka qenë ai i përdorimit të simboleve fetare nëpër institucionet arsimore e shtetërore. Ju çfarë qëndrimi mbani, për shembull, për përdorimin e perçes në shkolla dhe institucione?


Qëndrimi i komuniteteve fetare ka qenë mjaft i qartë pasi këtu ka një specifikë të vecantë. Ajo që në media quhet simbol, në të vërtetë është komponent i besimit dhe si pjesë e saj nuk mund të quhet thjesht simbol. Psh rasti i perçes i trajtuar në media duhet të sqarohet se nuk bëhët fjalë për perçe pasi me të njihet mbulimi i fytyrës, ndërsa ajo që ne diskutojmë është shamia, e cila mbulon vetëm kokën. Është e ngjashme me shaminë e Nënë Terezës e cila mbahet në zyrat e institucioneve shqiptare. Ndaj unë laicitetin e shikoj në programet e institucioneve dhe jo tek individët në besimin e tyre. Pasi në institucion njeriu mund të sillet si laik dhe nuk i lejohet të bëjë propogandë fetare, por cdo kujt i lejohet të shfaqë fenë e tij e cila mbrohet me kushtetutë. Unë arrij të kuptoj që vendi ynë vjen nga një ateizëm i pashoq dhe laicizmi ndonjëherë merr dhe ngjyra ateiste, mendoj që ka ardhur koha ta kalojmë këtë moment të errët të diktaturës. Në shtëpinë e Bardhë kemi këshilltare me shami, në parlamente të ndryshme, në forume ndërkombëtare Në vende të zhviluara si anglia kemi police femra të cilat brenda uniformës mbajnë shami…etj. Sot ne diskutojmë mbi sirinë por nëse ne nuk do t’u japim mundësi femrave të shkollohen do të na prodhohet një brez i pashkolluar që do të përdoren lehtësisht në të ardhmen. Shqipëria është një vend me traditë dhe harmoni të shkëlqyer dhe historia ka treguar që feja gjithmonë i ka ardhur në ndihmë vendit dhe asnjëherë e kundërta.
 
Ka pasur dhe ka një debat në lidhje me ndërtimin e xhamisë së re. Cili është pozicioni juaj ndaj projektit aktual të mbetur në mes? Si do t'i përgjigjeshit atyre qytetarëve që kanë shprehur shqetësime për zhdukjen e parkut që gjendej pranë Kuvendit?


Historia e xhamisë së madhe daton që nga viti 93’ dhe historia e saj ka patur zhvillime të ndryshme por asnjëherë ndërtimin e saj. Në xhaminë tonë njerëzit fallen në trotuar, duke u kërkuar ndjesë qytetarëve për bllokimin e trotuarit gjatë minutave të predikimit të së premtes. Ne nuk kemi ku të falemi. Xhamia e re do të zhbllokonte situatën e rënduar të shumë xhamiave, besimtarët e të cilave falen nëpër trotuare. Por pyetja që shtrohet do ta analizoja në një aspekt tjetër, a ka nevojë shoqëria shqiptare për një xhami? Them se po. Xhamitë janë institucione paravepruese dhe edukuese, ne jemi dëshmitarë të shumë të rinjve të cilët më parë kanë patur një jetë jo të rregullt dhe shteti ka shpenzuar shumë për edukimin e tyre, ndërsa xhamia e ka bërë shumë thjesht këtë nëpërmjet besimit, duke normalizuar jetët e tyre. Ata sot punojnë punë të ndershme dhe kjo është një fitore për të gjithë shoqërinë. Para se të flasim për ndotjen e ambjentit apo të pemëve, për cilësinë e jetës duhet të flasim për garancinë për të jetuar. Shumë krime na ndodhin në fshatra si shkak i formimit, por pemët atje edhe pse janë të shumta nuk e ndalojnë dot krimin në masë. Ne si xhami kemi një projekt për mbjelljen e 1000 pemëve në kodrat e Tiranës, sepse më shumë se kushdo ne e kuptojmë dobinë e një peme. Profeti i Zotit a.s thotë : “Edhe nëse e shikon që po ndodh Kijameti (fundi i botës) vazhdo dhe mbille pemën”. I mirëkuptoj ambjentalistët por shumë qytetarë janë pro dhe pas ndërtimit të dy kishave, ndërtimi i xhamisë do të mbyllte trekëndëshin e tolerancës fetare. Kam bindjen se sot ndërtimi i xhamisë ka vullnetin e të gjitha palëve, ndaj xhamia është ogur i mirë i harmonisë në të gjitha aspektet e jetës.
 
Cilat janë problemet kryesore që shqetësojnë sot komunitetin musliman të Shqipërisë?


Komuniteti Mysliman i ka shfaqur shpesh në media problemet, por ai më kryesori janë kthimi dhe kompesimi i pronave. Nëse duam një komunitet të fortë ,do të duhet që ai të jetë i fortë ekonomikisht cka do të sjellë një komunitet më afër traditës shqiptare, asaj të dhurimit, të dashurisë. Askush nuk mund t’i kuptojë shqiptarët më mirë se ata njëri-tjetrin ndaj fuqizimi i institucionit i shërben vendit dhe të ardhmes, i shërben synimeve të vendit në rrugën e saj të nisur drejt Europës…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama