Arvizu Nese mazhoranca tregohet arrogante do ta shohe veten shume shpejt ne opozite

Arvizu: Nese mazhoranca tregohet arrogante, do ta shohe veten shume shpejt ne opozite

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, i akredituar në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka qenë këtë të enjte në emisionin “Top Story”, për intervistën e fundit para largimit nga Shqipëria. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, zoti Arvizu ka hedhur dritë fillimisht mbi atë që mediatikisht u quajt “surpriza” e tij për shqiptarët dhe më pas për zhvillimet politike në vend, me një theks të veçantë tek institucionet e pavarura.

Mirëmbrëma, zoti ambasador! Faleminderit që jeni sonte me ne.

Faleminderit juve, është kënaqësi të kthehem.

Ju, sa herë keni ardhur, keni thënë se kjo është intervista e fundit, por sërish vazhdoni të vini në “Top Story”. A është kjo vërtet e fundit?

Po, kjo është e fundit.

Ju do të kishit një impenjim në një kolegj të njohur amerikan, por zgjatja e misionit këtu jua dogji. Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Do të kthehem në Uashington. Më pëlqen Uashingtoni dhe do të ndjek prej andej zhvillimet.

Kjo, mesa duket, është e treta e vërteta. Në këtë shfaqje keni premtuar se do të jepni një lajm të rëndësishëm për shqiptarët, për çfarë bëhet fjalë?

Druhem se pritjet e shqiptarëve mund të jenë pak më të mëdha.

Është diçka politike?

Jo.

Personale?

Jo.

Por prek shqiptarët, çfarë është?

Prek shqiptarët dhe është pozitive. Jam shumë i kënaqur që të njoftoj se po punohet për lehtësimin e vizave. Nëse ju, pra shqiptarët, kualifikoheni, atëherë vizat do të jenë të vlefshme për tri vite. Kjo do të kursejë para, kohë etj. Udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara do të jenë të ligjshme dhe në pjesën më të madhe të rasteve vizat do të jetë trevjeçare.

Çdo shqiptar i kualifikuar do ta marrë vizën trevjeçare nën diskrecionin e punonjësit të konsullatës, por procedurat për marrjen e vizës do të thjeshtësohen? Do të vështirësohen? Çdo të ndodhë me to?

Nuk do të ketë ndryshime sa u përket kërkesave. Për sa kohë kushtet ekonomike përmirësohen, do të shohim shumë shqiptarë që do të marrin viza. Kjo nuk do të ndikojë tek aplikimet individuale, por do ta bëjë jetën më të lehtë.

Zoti ambasador, para fushatës së zgjedhjeve të vitit 2013, Sali Berisha tha se qeveria e tij, në mandatin e ardhshëm, do të punonte për heqjen e vizave drejt SHBA-së. Mos ndoshta ai paska pasur të drejtë?

Duhet të prisni deri në vitin 2017 që ta shikoni këtë. Ajo që tha Berisha ka qenë një mister për zyrën konsullore dhe vetë ambasadën tonë. Por unë shpresoj që të vijë një ditë ku hapi tjetër të jetë lëvizja pa viza. Por, për momentin, lëvizja është shumë e kufizuar. Vetëm 34-35 vende janë që mund të vijnë pa viza te ne.

Fakti që tashmë shqiptarët që kualifikohen do të kenë lehtësi për vizat trevjeçare, a është kjo për Shqipërinë hyrja në një garë për hyrje pa viza në SHBA?

Është padyshim një hap përpara. Në 2014-n, duke hyrë në 2015-n do të ketë një ndryshim. Por si konsullata ashtu dhe Departamenti i Shtetit do të mbikëqyrin lëvizjet e shqiptarëve dhe respektimin e afateve të vizave. Por sa i përket asaj që thatë ju, ka një rrugë të gjatë që Shqipëria duhet të bëjë që të jetë në grupin e vendeve që hyjnë pa viza në SHBA.

Mendoj se duhet të meritoni një medalje për këtë, por këtë medalje Presidenti Nishani ia dha Johnathan Moore. Mendoni se do t’ju japë një edhe juve?

Jam i kënaqur që Moore është vlerësuar për kontributin për të çuar përpara marrëdhëniet mes vendeve tona. Sa herë që dikush vlerësohet, është një gjë e mirë dhe do të jem i kënaqur për ta. Kjo nuk është modesti nga ana ime, por përse duhet të marr një medalje? Kemi bërë gjëra të mira, gabime prej të cilave jemi përpjekur të mësojmë etj. Përvojat që kam përjetuar janë shpërblimi. Pastaj jam shpallur “Qytetar nderi” i Elbasanit.

Edhe ju edhe zoti Withers duhet të kënaqeni me titullin “Qytetar nderi”. Por thatë se keni bërë gabime. A mendoni se keni bërë gabim kur e keni quajtur Berishën “burrë shteti” pas ngjarjeve të 21 janarit?

Jo, nuk mendoj. E thashë atë, sepse iu referova një vendimi të tij, që ishte një vendim prej burri shteti. Unë e di që ka shumë njerëz që janë kundër Berishës dhe të tjerë pro tij, por nuk kam dëgjuar të thonë se “ky është njeriu që quan Berishën burrë shteti”. Nëse në fund dikush nuk mund ta kapërcejë këtë shprehje atëherë ky nuk është problemi im.

Me zotin Nishani, ditën që ai u zgjodh, patët një incident. Sot, pas dy vjetësh e gjysmë, mendoni se zoti Nishani është i aftë të jetë President mbi palët?

Së pari, dua të them se me Presidentin Nishani kam marrëdhënie të shkëlqyera. Ai më ka ftuar për të darkuar për herë të fundit në janar dhe do të jem aty. Së dyti, më duhet të them se ka diçka që nuk është e drejtë sa i përket sistemit të shtetit shqiptar. Në një vend si Shqipëria, ku çdo gjë duket e politizuar, nuk do të ishte mirë të mos kishte institucione të pavarura. Por, mënyra e zgjedhjes së personave të institucioneve të pavarura është politike. Pra, ka diçka që nuk përputhet. Unë mendoj se është diçka e arritshme e që mund të bëhet. Di që Presidenti Nishani është kritikuar për disa prej vendimeve, por është një President më i mirë …

Se zonja Topalli, për shembull?

Nuk dua të jap shembuj. Por do të jetë interesante të shohim 2017-n. Shpresoj që atëherë të gjendet një kandidat i mirë.

Edhe mazhoranca aktuale, duke përdorur ose duke modifikuar të njëjtin sistem, ka ndryshuar drejtuesit e institucioneve të pavarura. A shihni edhe te kjo mazhorancë tendencën për të marrë nën kontroll institucionet?

Institucionet e pavarura, nga vetë emri që mbajnë, nënkuptojnë se duhet të veprojnë në mënyrë të tillë. Nëse njerëzit mendojnë për këtë koncept, i bie të flitet për institucione jashtë qeverisë. Institucione që të jenë të pavarura nga trysnitë e qeverisë dhe trysnitë e tjera. Është e rëndësishme të pranojmë që ta shqyrtojmë këtë sistem dhe jo vetëm zotin Nishani për shembull. Për më tepër, ai është zgjedhur në mënyrë ligjore e kushtetuese dhe është ai që është. Mendoj se duhet ta pranojmë këtë, sepse ky është procesi i përzgjedhjes. Si zgjidhesh është një gjë, por sjellja kur ndodhesh në atë post, është diçka tjetër.

Për këtë ju pyeta, a është treguar Nishani i aftë si President?

Do të jenë referencat që do të shërbejnë për të treguar se si ka qenë. A ka qenë më i mirë presidenti nga PD-ja apo një tjetër nga LSI-ja, për shembull. Varet nga sjellja e tyre që të jenë të pavarur. Por, nëse institucionet e pavarura marrin urdhra marshimi nga SHQUP-i apo nga godina e ABA-s, atëherë nuk është mirë.

Këtë akuzë më të fortë e kanë marrë shërbimet sekrete. Nga përshkrimi që ju bëtë, “marrja e urdhrave nga SHQUP-i apo ABA”, ku ndodhet zyra e Sali Berishës, atëherë i bie …

Roli i mazhorancës aktuale është të garantojë institucionet e pavarura dhe kam qenë shumë i qartë për të. Nuk kemi dëgjuar ndonjë zyrtar të LSI-së apo PS-së ta thotë, por njerëz të tyre kanë thënë se ‘ndoshta duhet të largojmë Presidentin”. Ndoshta politikanët duhet të jenë të kujdesshëm kur shprehen. Të pasurit një mazhorancë të fortë është një luks politik, por edhe një detyrim, sepse atë mazhorancë e kanë votuar njerëzit. Unë kam një mesazh për mazhorancën: Mos jini shumë arrogantë, përndryshe do ta gjeni veten shumë shpejt në opozitë.

Mesazh më të qartë se ky s’ka pasur. Siç thoni ju, ka sjellje që interpretohen ndryshe nga njëra palë dhe një tjetër, si për rastin e SHISH-it?

Sa i përket SHISH-it dhe shërbimeve tona, ka marrëdhënie shumë të mira, sikurse ka me qeverinë e zotit Rama dhe me Presidentin Nishani. Ato që bëri zoti Berisha me SHISH-in i mbeten të shkuarës. Zoti Berisha më kërkoi ndjesë që emëroi Visho Ajazin në krye të SHISH pa na njoftuar. Ajo që mund të them tani, është se drejtori i SHISH-it është një shërbëtor i shtetit. Kreu i SHISH-it varet nga Presidenti, por udhëhiqet nga qeveria. Ndaj dhe zoti Lika është i detyruar t’i shërbejë qeverisë që udhëheq. Mendoj se SHISH-i sot është më i mirë, por kur të hënën do të pi kafe me të, do t’i them që duhet të fitoni besimin e qeverisë. Ndërsa mesazhi për Kryeministrin është: Bëni ç’të mundeni, por jepini atij një mundësi që të fitojë besimin tuaj. Ndoshta mund të mos ju pëlqejë, por duhet t’i jepni një mundësi, sepse kështu funksionon demokracia.

Thatë që Rama duhet t’i japë Likës një shans që të fitojë besimin. A nuk ishte një provë dosja e përgjimeve ndaj Ilir Metës dhe Edi Ramës pas 23 qershorit, që SHISH-i nuk e mohoi?

Jam në dijeni të këtyre rasteve, por vështirësia me këtë është se ka pak gjëra dhe njëra palë thotë diçka, tjetra një tjetër dhe unë nuk e di. Është një çështje që pavarësisht se si ka nisur, pavarësisht nëse është e vërtetë, qeveria dhe SHISH-i duhet ta kapërcejnë.

Flasim pak për takimin me ish-guvernatorin Fullani … Takimi juaj me të përpara mbledhjes, u interpretua si një mbrojtje? Çfarë i thatë në këtë takim?

Nëse dikush e ka parë këtë takim si përpjekje për të ndërhyrë, në asnjë mënyrë nuk ka qenë qëllimi i asaj që është menduar. Ai është një miku im, është një nga njerëzit e parë që kam takuar dhe do të jetë një mik edhe në ditën që unë do të largohem. Mendoj se ka bërë gjëra pozitive me bankën. Ka pasur disa mekanizma për mbikëqyrjen. E di që ka ende një element penal të këtij hetimi që po zhvillohet, por në asnjë mënyrë takimi i asaj dite nuk ka qenë që të shprehë një mesazh të tillë. Unë kam qenë aty si një mik. Për sa i përket kandidaturës për një guvernator të ri, mund të them se ka shumë persona të kualifikuar për këtë post. Duhet të jetë një individ me një reputacion shumë të shëndoshë dhe shpresoj që kjo të ndodhë.

Të hënën, Gjykata Kushtetuese la në fuqi ligjin për ndarjen e re administrative, aq shumë të kritikuar nga opozita?

Kam dyshuar te shpjegimi i z. Basha. Më duket pak e ngatërruar, por bie dakord me atë që PD-ja ka thënë më parë për vendimet e kushtetueses, që duhen respektuar. Mazhoranca po i respekton vendimet, kështu duhet dhe PD-ja. Ky ka qenë rast kontraversal. Nuk e kam parë ende vendimin e shkruar nga gjykata, por vendimi është marrë shtatë me dy, që do të thotë se është një mazhorancë e fortë. Vendimi është marrë me vota shtatë me dy, atëherë gjykatësit kanë ndier që ka qenë fill me Kushtetutën. SHBA-ja e ka mbështetur këtë nismë. Ne së bashku me Zvicrën kemi ofruar para të taksapaguesve. Unë kam zhvilluar biseda të zgjeruara me Kryeministrin, veçanërisht dhe me kreun e Kuvendit dhe ministrin Çuçi, që të mund të ndjekin një mënyrë të vendosur. Për çfarëdolloj arsye opozita ka vendosur që të mos marrë pjesë. Kam biseduar me zotin Meta dhe ai tha se nuk mund të presim përgjithmonë dhe i thashë që duhet ta bëni këtë, ta mbani derën hapur. Për mendimin tim, zoti Meta e përmbushi këtë premtim.

Nëse PD-ja nuk merr pjesë në zgjedhje?

Shpresoj që kjo nuk do të ndodhë. Kam besim që procesi ligjor në Shqipëri do të gjejë një mënyrë përpara dhe të shpresojmë se kjo të ndodhë, që PD-ja nuk do ta mbyllë plotësisht derën, sepse është e rëndësishme për të ardhmen e saj në politikë.

Deputetët e PD-së rrezikojnë edhe mandatet? Ka një negociatë të mundshme me ndërkombëtarët përpara se të flasim për bojkotin. Mund të ndodhë që Parlamenti të mbesë pa opozitë?

Vendimi për zgjedhjet vendore është e parakohshme. Nuk e njoh deputetin nga Gjermania, por zotin Kukan e kam takuar disa herë dhe më është dukur një person i drejtë, që i intereson shumë Shqipëria. PD-ja do ta gjejë një mënyrë për t’u rikthyer në Parlament e për të folur në emër të votuesve të tyre dhe jam plot shpresë për këtë.

A ka të drejtë PD-ja ta kërkojë këtë apo po e kalon pak kufirin e duhur kur kërkon dekriminalizimin e këtij Kuvendi sesa një masë ligjore për zgjedhjet e ardhshme?

Cilado përpjekje për të përmirësuar cilësinë e përfaqësuesve në Kuvend duhet të mbështetet. Për mendimin tim, ka probleme si në mazhorancë ashtu dhe në opozitë për sa u përket cilësive. Nuk mendoj nëse është produktive të thuash që kjo palë ka tetë individë dhe kjo palë ka vetëm dy. Le të punojnë së bashku. Le të shpresojmë që të dyja palët të bien dakord dhe t’i zbatojnë ato vendime. Fakti që Shqipëria është një vend i vogël, që e njohin njëri-tjetrin, bën që ky fenomen të zmadhohet. Për të mos vendosur presion mbi zotin Basha. Nuk mendoj të jetë një ekzagjerim të them që është një përgjegjësi e madhe, pasi partia është në kryqëzim, në udhëkryq. Kam shumë njerëz në PD që më thonë se “ne jemi në udhëkryq”. Tani PD-ja ka 45 deputetë. Numri i personave që kanë votuar për PD-në është zvogëluar. Z. Basha ka një përgjegjësi të madhe. Do të kërkoja kurajë për të. Këshilla ime është që ai duhet të hapë tendën, duhet ta zgjerojë atë. Nuk dëshiroj që të përmend emra të deputetëve të PD-së, sepse mund t’i fus ata në telashe, por do të përmend: Gjergji Bojaxhi, Selami Xhepa një ekonomist i vlerësuar, Besnik Mustafaj, një senator i vjetër, Ilir Rusmajli, një nga mendjet më të ndritura ligjore, Mark Marku, një person i zëshëm, Gazmend Oketa, një individ shumë kompetent. Këta janë personat që kam pasur mundësi t’i njoh mirë. Ata nuk u janë bashkuar socialistëve, por janë treguar kritikë dhe të hapur ndaj PD-së. Këta më duken të aftë nëse unë do të krijoja partinë, duhet të zgjidhja këta, do t’i riktheja.

Duket sikur ka kaluar një krizë mes jush dhe zotit Basha. Ka kaluar ajo? Si janë raportet mes jush?

Janë shumë të mira. Mua më kanë ftuar në takimin e PD-së rreth një javë më parë. Pres me kënaqësi ta takoj para se të largohem. Ai është shumë i zënë me punë. Nuk ka shpenzuar kohë sa do të kishte dashur në bashki. Koha e tij është shumë e zënë, sepse është i përhapur në shumë gjëra. Arsyeja e të zhvilluarit një bisede është që të shkëmbehen pikëpamjet ose të biem dakord apo jo, në mënyrë që dhe ai të mësojë të kuptuarin tim.

Z. Basha është bërë i pasjellshëm dhe hermetik ndaj jush? Mendoni se ai e mbajti premtimin që ju dha qytetarëve të Tiranës?

Kjo u përket qytetarëve të Tiranës nëse ai zgjedh që të rikandidojë.

Jeni pajtuar me zotin Berisha, keni bërë paqe?

Nuk jam i sigurt për bërjen e paqes, por e kam takuar vetëm në janar të vitit të kaluar. Kemi shkëmbyer mesazhet e Vitit të Ri. Gjithashtu e kam parë te dita kombëtare e Hungarisë, si dhe në Facebook, por s’e kam takuar shumë.

Mendoni se Berisha është ende ndikues në PD?

Mendoj që është dhe kjo nuk është gjë e keqe. Për shumë njerëz është një simbol. Ai duhet të jetë një simbol, dikush që ndoshta njerëzit të kthehen edhe për një këshillë. Por kjo dallon nga të pasurit e proceseve vendimmarrëse të partisë. Suksesi i Bashës do të varet nga puna e tij. Nëse ai tregon se është i fortë, i hapur ndaj ideve të tij, unë e mbështes atë. I përket zotit Basha, por ai duhet ta tregojë këtë.

A po qeveriset Shqipëria më mirë pas 23 qershorit sesa para tij?

Mendoj që zoti Rama ka skicuar një plan ambicioz për reformat. Meta është pragmatist dhe ata kompletojnë njëri-tjetrin, bëjnë punë të mirë së bashku.

Po, por s’po e ftoni në Uashington ama?

Ka një rreth të madh njerëzish, por do të shkojë edhe atje … Rama është një politikan shumë i mirë, ka të meta, por është një politikan shumë i mirë. Shumë prej gjërave që po përpiqen të bëjnë, nëse ia dalin mbanë, do të përmirësojnë kushtet në këtë vend. Veçoj këtu fushatën kundër vjedhjes së energjisë, reforma në energjetikë. Ka mbështetje të madhe për këto veprime. Ajo që ka ndodhur në të shkuarën për vjedhjen e energjisë, shqiptarëve duhet t’u vijë turp nga kjo, sepse nuk është e drejtë që në 2015-n të ketë këtë nivel vjedhjeje dhe mashtrimi. Ka shumë njerëz të varfër atje, për këtë arsye qeveritë duhet të hartojnë një sistem për të ndihmuar këto familje. Kjo duhet të marrë fund dhe qeveria duhet përgëzuar që po e bën këtë. Edhe ndërtimet e paligjshme të vrasin sytë. Procesi i legalizimit, rëndësia e pronave dhe reforma e pensioneve, arsimi i lartë, të gjitha këto janë hapa të vegjël, por në drejtimin e duhur. I këshilloj qeverisë te ndërtimet e paligjshme që po lëviz më shpejt se ç’duhet. Qeveria duhet të jetë pak më e kujdesshme në këtë pjesë. Sa për reformat, mendoj që qytetarët, shumica, duan që qeveria t’ia dalë mbanë.

Një pjesë e madhe mendojnë që këto aksione, në dukje antipopuliste, janë një kompensim për paaftësinë e qeverisë për të rritur ekonominë dhe se duket një tërheqje vëmendjeje nga situata ekonomike.

I keni rënë pikës. Ekonomia është thelbësore. Qeveria aktuale ka trashëguar një situatë shumë të vështirë. Kushtet ekonomike nuk janë të favorshme në rajon, Europë e botë. Mendimi im për qeverinë është që nga njëra anë të gjithë duam të paguajmë energjinë, por kur flas me njerëzit, kam përshtypjen që po zhvillohen shumë gjëra njëkohësisht. Këshilla ime për qeverinë është të ngadalësojë pak. Ka shumë njerëz pa punë dhe një nga frustrimet që unë kam dëgjuar, është se njerëzit thonë që po paguajnë më shumë taksa me premtimin e ditëve të mira që do të vijnë, por nuk po e shohin ende këtë dhe duken shumë larg. Qytetarët duhet të ndiejnë që ndryshimi është pozitiv dhe që ndikon tek ata. Qeveria ka trashëguar një borxh të madh dhe fatura të prapambetura.

Ministri që ju ka zhgënjyer më shumë deri më tani?

Mos më fusni në telashe!

Ju po ikni, ndaj po pyes …

Mendoj që dy partitë po punojnë mirë në koalicion. Kemi punuar ngushtësisht me ministren e Mbrojtjes, punojmë me të dhe gjeneral Bazon për të zbatuar strategjinë e sigurisë kombëtare dhe vijën e mbrojtjes që ta bëjmë Shqipërinë më të fortë. Ka bërë një punë të mirë. Mendoj që ministri i Brendshëm ka punën më të vështirë. Kemi punuar ngushtësisht me të në një sërë nismash, duke nisur nga trafikimi i personave, te ndalimi dhe rikthimi i atyre që u bashkohen terroristëve. Artan Didi është një drejtor shumë i mirë.

Përmendët Tahirin dhe Kodhelin si ministra të mirë, ministër që ju ka zhgënjyer?

Jam i sinqertë me ju, nuk ka asnjë person që mendoj se ka pasur ankesa. Është e vështirë të krahasohen. Mendoj që punojnë mirë si ekip.

Në këtë studio, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka thënë se po heton një ministër të kësaj qeverie nën akuza të rënda korrupsioni dhe veprimtarie të paligjshme …

E kam dëgjuar. Ishte intriguese, interesante. Nuk e kam idenë se cili është dhe cila është natyra e akuzave. Mendoj që nëse janë fajtorë, duhet të mbajnë përgjegjësi. Është e rëndësishme që prokurori të jetë i matur dhe të veprojë me kujdes në të tilla raste, pasi është në lojë integriteti i një personi.

Është Shqipëria më pak e korruptuar se para 23 qershorit?

Korrupsioni dhe informaliteti do të kërkojnë vite që të shkulen dhe mendoj që më e mira që mund të presim tani është që vendi të lëvizë në drejtimin e duhur dhe vlerësimi ynë është që ka shumë nisma të mira, plane dhe ide. Korrupsioni në gjyqësor është shumë çështje e vështirë dhe kërkon edhe opozitën.

Po përfshij tri pyetje në një: cili është momenti juaj më i keq, momenti më i mirë dhe cila keqardhja juaj më e madhe?

Keqardhje do të ishte që kam shpenzuar katër vite këtu dhe nuk do të kisha takuar Olta Gixharin. Do të kujtoj me mall që sa herë kam udhëtuar jashtë Tiranës, shpesh në shumë raste jemi ftuar në shtëpitë e njerëzve, në disa raste e kanë ditur që do të shkoja dhe kanë qenë të përgatitur, por në shumë të tjera jo. Kam vizituar shumë shtëpi të thjeshta dhe modeste, por tryeza ka qenë gjithmonë plot dhe sigurisht edhe rakia. Mënyra se si trajtohet miku … duhet ta ndiesh këtë që ta përjetosh. Janë këto kujtimet vetjake në harkun katërvjeçar që unë do t’i marr me vete. Më vjen keq që është e turpshme që gjithçka politizohet këtu. Politika në SHBA e në shumë vende mund të jetë e shëmtuar, por këtu është konsumuese, të gërryen, të ha dhe është diçka që largohem me keqardhje. Kam parë imazhet e njerëzve që kanë valëvitur flamurin në shesh në 100-vjetor, pas ngjarjes së Beogradit dhe kam thënë që kjo është e shkëlqyeshme. Ka shumë pasion dhe ky pasion duhet përdorur për gjëra të mëdha për vendin. Përse nuk mund ta zbatosh këtë krenari dhe ta bësh vendin tënd një shembull të shkëlqyer për të tjerët? Nuk e di përgjigjen e kësaj.

Si i lini marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi ka pasur një çështje krize, si armët kimike?

Mendoj që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Armët kimike kanë qenë shumë për qeverinë. Do ta kishim bërë me sigurinë maksimale. Fakt është që Shqipëria ka bërë përparim drejt BE-së dhe anëtarësimit, ndërsa lidhja afatgjatë që ekziston mes dy vendeve tona, që zoti Lu do të përjetojë, nuk ndryshon. Marrëdhëniet … vështirë që nuk do të bëhen më mirë.

Një kërkesë për zotin Lu që të vijë në “Top Story” sapo të mbërrijë në Tiranë. Atij do t’i duhet që të marrë vendimet e tij. Unë i kam vlerësuar gjithmonë ftesat këtu.

Ambasadori i ri amerikan kryen betimin
Lu: Shqipëria, një aleate e afërt e SHBA-së


Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu, i cili do të zëvendësojë ambasadorin Aleksandër A. Arvizu, u betua gjatë një ceremonie zyrtare në Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Lu tha se, “Shqipëria është një aleate e afërt dhe një mike e Shteteve të Bashkuara. Unë do të punoj çdo ditë, në mënyrë që të sigurohem që kjo aleancë dhe miqësi të arrijë pritshmëritë ambicioze që amerikanët dhe shqiptarët ndajnë me njëri-tjetrin. Ne jemi dhe gjithnjë do të mbetemi dy popuj pafundësisht të përkushtuar ndaj demokracisë, lirisë së qytetarëve dhe sundimit të ligjit”, tha ambasadori Lu.


Donald Lu ka lindur në Huntington, California. Është graduar në Princeton University në fushën e arteve dhe më pas ka kryer masterin për marrëdhënie ndërkombëtare. Karriera e tij diplomatike në DASH ka nisur në vitin 1990, duke shërbyer në Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgizstan, Azerbajxhan dhe Uashington. Ndërsa mësohet se ambasadori Donald Lu do të vijë në Tiranë vetëm në fillim të janarit të vitit 2015. Në javët e para të janarit, diplomati amerikan do të nisë zyrtarisht detyrën e re dhe të parë në një shtet të Ballkanit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama