Arti i te fotografuarit dhimbjen e te tjereve

Arti i të fotografuarit dhimbjen e të tjerëve

Monetskje i ka kushtuar një libër të tërë "Shpirti i ligjeve", në të cilin shpjegohet edukimi sipas formave të ndryshme të qeverisë, përfshirë këtu edhe demokracinë. Elitat politike gjithmonë kanë pasur shkollat e mendimtarët e tyre, duke filluar nga sofistët grekë; edhe sot ekzistojnë shkolla të veçanta për formimin e elitës, të kulturës dhe të teknikës. Demokracia është regjimi në të cilin qeveria është e hapur për kërkesat e të gjithëve. Demokracia ka pedagogjinë e saj. Kujtojmë këtu katekizmi konstitucional dhe të famshmet manualet e të drejtave dhe detyrave të qytetarëve të epokës jakobine. Pas atyre tentativave, që sot shfaqen si një racionalizëm i thjeshtë, mungon një pedagogji autentike demokratike. Shkollat e edukimit popullor të formuara në ‘800 nga lëvizjet socialiste dhe katolike për shkak të përhapjes së tyre të limituar, ishin instrument emancipimi i klasave vartëse; ato nuk synonin që të zgjeronin bazën e tyre në jetën politike. Edukimi i qytetëruar ka treguar se është më tepër se një informacion në bazë të intuitës, i cili është përpjekur që të shkojë më larg, në mbështetje të demokracisë ka qenë më tepër një mbrojtës dhe një propagandë sesa një pedagogji. U shtuan në numër politologët dhe konstitucionalistët, por nuk mjaftonin. Detyra e tyre ishte studimi dhe shpjegimi i rregullave strikte, por ajo që ka rëndësi dhe që mungon është faktori shpirtëror që nuk gjendet tek ata. Duke qenë se demokracia po përhapet sa më shumë mund të themi se kjo e fundit kryeson mbi të gjitha sistemet e qeverisë, duket si një lloj kërkese për të shpjeguar anën shpirtërore. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, shkenca politike amerikane u mor me edukimin e shtetasve, por nuk duket që ka lënë shenja, të paktën te ne. Duhet të kishte qenë instrument pohimi dhe konsolidimi i demokracisë në vendet që ishin në duart e diktaturës totalitare me konsensusin e pjesës më të madhe të popullsisë, e cila ishte mësuar që të sillej pasivisht dhe të mos ishte kritike(në Gjermani) ose të ishte skeptike në Itali përballë shtetit. Në përgjithësi, në hipotezat më të mira mbizotëron një topos në ideologjinë demokratike: është e nevojshme që të përhapen të drejtat e pjesëmarrjes demokratike, të drejtat politike dhe mbi të gjitha e drejta e votës. Në fjalë të tjera, virtyti demokratik që në esencën e tij përbëhej nga dashuria për të mirat publike dhe disponueshmërinë për t‘i dedikuar energjinë dhe të vinte në përdorim një pjesë të burimeve të saj. Në këtë mënyrë do të zhvillohej e vetme, sa më shumë që të zhvillohej demokracia, aq më shumë zhvillohet shpirti demokratik dhe ky zhvillim bën që të ketë një rritje të ndjeshme të demokracisë.
Kjo karakteristikë e mrekullueshme do e bënte demokracinë një formë qeverisëse të ndryshme në krahasim me të tjerat, sepse ajo e vetme, do të ishte e mjaftueshme nëse do ta krahasojmë me atë që Monteskje e përcaktoi si principin e saj ose ressort, stimulimi shpirtëror. Ky besim ishte i ushqyer nga ideja se qeniet njerëzore kanë qenë për një kohë të gjatë të përjashtuara nga pjesëmarrja në jetën politike. Shkurtimisht: besimi ishte se demokracia kishte virtyte që transformonin subjektet në qytetarë. Shprehja aktuale: "Demokracia në rrezik mbrohet me më shumë demokraci" është një nga bindjet që vjen nga ky besim.

Ndër të tjera, çdolloj sistemi qeverisës, edhe pse jo demokracia mund të përdorin propagandën. Çdo propagandë përmban një presion, një dhunim të së vërtetës nga bindjet e tjera. Çdo shoqëri ka një mënyrë të vetën qeverisëse, ka ethosin e saj që duhet të informojë shpirtin e individëve që qeverisin. Problemi i shpjegimit të demokracisë qëndron këtu, në identifikimin dhe specifikimin e ethosit që i korrespondon dhe që duhet të jetë i shpërndarë te të gjithë dhe kjo gjë konfirmon demokracinë ideale në një shoqëri ku politikanët janë aktivë. Demokracia është forma e vetme e regjimit politik që respekton dinjitetin personal. Asnjë regjim tjetër nuk arrin ta realizojë këtë gjë, atë që është më e rëndësishmja: respekti për veten. Por nuk mjafton vetëm respekti për veten, duhet të ekzistojë edhe respekti për të tjerët. Motoja e demokracisë duhet të ishte: "Respektoje tjetrin ashtu siç respekton veten", sepse respektimi i vetes dhe përçmimi që u bëhet të tjerëve nuk është cilësi e demokracisë, por e luftës për pohimin e autokracisë.

Pas këtij shpjegimi filozofik, le të kalojmë te fotografia.

Të gjitha fotot kanë diçka të përbashkët me gjuetinë. Ushqimi i portretistit janë portretet. Fotografia arrin të "kapë" një pjesë të çfarëdoshme të individit. Fotografia qëndron përgjithmonë. Atë çfarë e fiton fotografi, e humbet subjekti i fotografuar; makinat fotografike, ashtu si frika, hanin shpirtin.

Në rast se besoni te gjuha - gjuha në vetvete nuk gënjen kurrë, edhe pse shumë shpesh gënjeshtarët zotërojnë gjuhët më të gjata - atëherë aparati fotografik është një armë: fotografia një e shtënë, shërbimi fotografik një gjuhë dhe portreti mund të jetë fare mirë preja me të cilën gjuetari kthehet nga gjuetia. Një kokë e balsamosur të cilën mund ta varësh në mur.

Zakonisht, fotografët janë njerëz të sjellshëm, mundohen që të të mbushin mendjen se duhet të fotografohesh patjetër për ta. Mundohen me të gjitha forcat të të bëjnë të dukesh më mirë, gjë që nuk është gjithnjë e lehtë. Kërkojnë ndonjë mendim mbi ndonjë gjë të caktuar.

Secili prej fotografëve sjell risi në punimet e veta. Autorët më të mirë të kohëve tona janë ata që fotografojnë të përditshmen, varfërinë, luftën. Nëse një foto bëhet bukur, atëherë ajo vlen sa mijëra fjalë. Nëpërmjet saj mund të transmetohet gëzimi, vuajtja, dhimbja, trishtimi, inati dhe shumë gjendje të tjera shpirtërore. Në këto dy faqe janë paraqitur disa nga punimet më të mira të fotografëve të ndryshëm nga e gjithë bota. E përbashkëta e këtyre fotove është dhimbja, vuajtja që transmetohet më së miri nga këto fotografi. Josef Kouldelka ka realizuar një fotografi, e cila është bërë në Pragë në gusht të 1968 pas pushtimit. Subjekti kryesor është një i ri çekosllovak që sfidon sovjetikët. Një tjetër fotografi e realizuar në Georgia në SHBA në vitin 1910 nga Lewis Hine paraqet dy fëmijë që po punojnë në një fabrikë tekstile. Fotoja e realizuar nga Jacob Riis ka në qendër të saj tre fëmijë të rrugës që kërkojnë në të ftohtë një cep në rrugën "Mulberry". Fotografia është realizuar në Nju-Jork në 1890. Në Japoni në vitin 1971 W. Eugene Smith ka realizuar një fotografi të Tomoko Uemera, viktimë e helmatisjes nga merkuri. Një fotografi shumë e arritur është realizuar nga Igor Kostin, në Ukrainë në 1986: një burrë në fshatin e pushtuar të Tatsenkit. Në Algjeri në 1960 është realizuar një fotografi nga Marc Garanger. Në fotografinë e tij ai ka paraqitur një femër, e cila ka qenë e detyruar që të fotografohet e pambuluar në fytyrë për të bërë dokumentin e identifikimit. Bob Adelman ka realizuar në Atlanta në vitin 1968 fotografinë e përshëndetjes së fundit të Martin Luther Kingut në kolegjin "Spelman". Në Mali në vitet 1984-1985 Sebastiao Salgado ka fotografuar një grua dhe dy fëmijë teksa po linin zonën në liqenin Faguibin për shkak të thatësirës.

David Setmour ka realizuar një fotografi në Napoli në 1948 ku janë kapur fëmijë të varfër duke punuar. Luciano D‘Alessandro ka realizuar në Salerno në vitin 1965-68 një fotografi në çmendinën e qytetit. Në vitin 1957 në Johannesburg është realizuar një fotografi nga Peter Magubane ku është paraqitur shërbimi higjenik në minierën e City Deep Mine. Në Vietnam në vitin 1967 është fotografuar nga Philip Jones Griffiths, një femër e cila paraqitet si "civile vietnameze". Raghu Rai në Bhopla, Indinë e vitit 1984 ka realizuar një fotografi të të mbijetuarve nga lufta. Ata janë fotografuar para një fabrike. Momenti i kapjes së fotografisë është shumë i rëndësishëm. Profesionalizmi i fotografëve qëndron në kapjen e momentit që ka ndodhur ngjarja. Shpeshherë këto fotografi duan shumë teknikë, por mund të ndodhë që teknika e përdorur të jetë shumë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë.

Geri Uinograd, i cituar në librin "Mbi fotografinë" të Suzan Sontag, thotë se fotografon për "për të kuptuar ç‘pamje do të ketë diçka pas fotografimit", dhe këta subjekte janë zënë në kurth në mënyrë të ngjashme, nuk arrijnë kurrë të dalin jashtë fotogramës. Bëhen citime të vetvetes, deri në çastin e pashmangshëm kur nuk përbëjnë më asnjë lloj interesi për objektivin dhe atëherë veniten për t‘u zhdukur më pas krejtësisht. Në një shërbim të kohëve të fundit, modelja e famshme, Nadia Auerman, shfaqet e veshur me stilimet e emrave më në zë të kësaj fushe, në një përqafim surreal me një skelet të animuar që është, padyshim, një fotograf. Vdekja dhe vajza, një spektakël madhështor, i veshur nga stilistët më të mëdhenj të botës.

Kontrasti me portretet që realizon nuk ka si të jetë më i madh. A mos ndoshta është e domosdoshme që këtyre bukurive të pazakonta u duhet bërë patjetër diçka - t‘u mbulosh fytyrën me akull, t‘i bësh të kërcejnë me skeletet - për t‘i bërë interesante, ndërkohë që ato jo të bukurat, fytyrat e jetës reale, janë të denja për t‘u kushtuar vëmendje edhe (vetëm) pa i veshur me të tilla gjëra?

Një portret i madh tregon intimen. Cartier-Bresson dhe Elliot Erwitt kapnin foto të çastit, foto në ajër siç thuhet në gjuhën artistike. Shpesh puna e tyre është treguese, sepse subjektet janë marrë papritur.

Fotografët profesionistë e dinë ekzaktësisht se çfarë dëshirojnë dhe për këtë ndihen të lumtur. Disa fotografë ofrojnë më shumë se të tjerët, por vlerësimi i fotos dhe i fotografit është diçka që na përket vetëm neve (jo profesionistëve) që ta bëjmë të njohim më tepër anën e brendshme sesa atë të jashtmen.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama