Muri sovjetik i Berlinit kishte rënë në Gjermani, dhe Bukureshti ishte përfshirë prej kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”. Gjithçka po lëvizte zhurmshëm, por timpanet e alarmit ende nuk kishin mbërritur në veshin e izoluar të shqiptarëve. Ndërsa, ata të cilët e kuptuan se gjithçka dogmatike kishte marrë fund, ishin dhe të parë që iniciuan lëvizjet për demokraci. Studentët e shpërthyen zemërimin e mbledhur prej kohësh. Kordoni i policisë blu pa grada dhe për më tepër e ushtarëve të veshur me uniforma jeshile e mburoja plastike, nuk mund t'i bënin më ballë uraganit të saponisur. Qëndresa për ta mbajtur Shqipërinë, “as me Lindjen dhe as me Perëndimi” kishte marrë fund. Arian Manahasa, një prej organizatorëve të Lëvisjes Studentorë ’90, rrëfen për “Shekullin” atmosferën e atyre ditëve të mbushura me emocionet e një ndryshimi të aqpritur:
Cila ishte situata mes të rinjve kryeqytetas dhe atyre të ardhur nga rrethet në fundin e vitit 1990?
-Sigurisht që kishte një farë ndryshimi midis studenteve Tiranës dhe studenteve që vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë e që krijonin komunitetin e Qytetit Studenti por ky ndryshim sipas mendimit tim, në atë kohë ishte thjeshtë një diferencë në mënyrën e jetesës së përditshme. Është afër mendjes që studentet e ardhur nga rrethet kishin një nivel jetese më të vështirë së studentet e Tiranë për vetë faktin që kushte që shteti i kalbëzuar i asaj kohe ofronte ishin në limitet e mbijetesës. Përsa i përket diferencave të tjera të natyrës kulturale apo sociale, ishin krejtësisht të pa përfillshme. Nuk do të ndaja dot këto dy kategori studentesh të asaj kohë. Gëzimet, hallet dhe gjykimet e natyrshme të brezit, ishin tejet të binjakëzuar.
Ishit student i Tiranës. Çfarë u shtyu të bashkoheshit me revoltën që nisi në konviktet e Qytetit Studenti?
–Ajo që shtyu dhjetëra e qindra moshatare të mij në atë kohë. Ajo që bashkoi një popull të tërë. Dëshira për të folur i lirë, për të jetuar i lirë, për të rindërtuar dhe trashëguar një dinjitet njerëzor të nëpërkëmbur ndër vite. Nga ballkoni i shtëpisë time tek një nga rrugicat e Rrugës se Kavajës, dëgjoheshin qartë thirrjet që vinin nga Qyteti Studenti ku sapo kish nisur revolta. Ishte e pamundur për një si unë të mos u vidhesha prindërve e mos dilja atë natë nga shtëpia për t’u bashkuar me shokët e mi. S’do ta harroj kurrë vështrimin aprovues të përzier me frikën e natyrshme prindërore të tim eti kur më pa tek porta e oborrit. E kuptoi që tashmë asgjë s’do më ndalonte.
Cilat ishin pretendimet e studentëve, vetëm ekonomike apo dhe politike?
-Të duash te ndash karakterin e kërkesave të revoltës së studenteve të Dhjetorit 90 është njësoj si të gënjesh veten. Thelbi i ç’do veprimi, i ç’do kërkesë, i ç’do sakrifice ishte një dhe i vetëm ... përmbysja e sistemit diktatorial. Fakti qe brenda pak orëve që nga nisja e revoltës u kristalizua dhe u bë qëllim kryesor Pluralizmi Politik nuk le vend për shume interpretime për karakterin e kërkesave te studenteve.
Si u përzgjodh delegacioni që shkoi në takim me Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor?
-Fusha e sportit e qytetit studenti atë mëngjes ishte shndërruar në “agora”-në më të bukur dhe më emocionuese që kam parë e jetuar. Fjalët lapidar të Ardian Klosit, i panjohur në atë kohë, kur ngriti një librezë personale kursimesh në ajër dhe thirri “e fal për JU”, fleta e daktilografuar me 11 kërkesat e studenteve që bridhte dorë më dorë për t’u lexuar më pas me zë të lartë para tyre, fakti që fjalë të tilla thuheshin publikisht dhe me entuziazëm për herë të parë... janë elemente që mjaftojnë për të përshkruar gjendjen shpirtërore të studenteve dhe situatën e atyre ditëve.
Ndofta për herë të parë, në një kohë rekord, pa e kuptuar as ne vete, u zhvilluan zgjedhje të ndershme. Ç’do fakultet u mblodh rreth vetes ne atë fushë e në ato shkallare për të zgjedhur përfaqësuesit e vet qe do te shkonin përballë komunistit të fundit të mbetur në institucion, e t’i hidhnin dorezën e sfidës. Sot kujtoj me bindje se edhe pse ata që u zgjodhën, midis studente e pedagogë, ishin ndofta të panjohur me njëri – tjetrin, për këdo që do t’i vështronte nga larg, do te dukeshin sikur jo vetëm njiheshin prej kohësh por ishin tejet të lidhur e të sinkronizuar në atë që po bënin. Ishte një ideal që i amalgamonte.
Çfarë u diskutua pasi u dëgjua nga qendra e zërit biseda e studentëve dhe pedagogëve me Ramiz Alinë?
-Përcjellja e autobusit me shokët dhe pedagogët tanë drejt takimit me Alinë ishte përsëri një nga ato çaste që jetohen vetëm një herë. Një entuziazëm i shfrenuar përzier me një ndjenje të natyrshme frike e mosbesimi tek fitorja ndaj regjimit ishin elementet skenografike të asaj nate kur për herë të parë në historinë e Shqipërisë një grup djemsh e vajzash me moshë mesatare 22 vjeç, u vunë përballë njërës nga diktaturat më të egra të botës.
Nuk besoj se është e rëndësishme të komentohen hollësitë e atij takimi. Askush nuk mund të zbehë guximin e fjalëve të Azem Hajdarit ne atë takim. Askush nuk mund të kritikojë urtësinë dhe logjikën e Shenasi Ramës, zgjuarsinë e Arben Likës, ironinë e Blendi Gonxhes, shpërthimin e Mimoza Ferrës, vendosmërinë e Arben Demetit etj. etj. ajo që u tha përballë Alisë, ajo që u diskutua e u brohorit gjatë dhe pas kthimit të atyre djemve nga takimi dhe ajo që ndodhi në orët në vijim kishte vetëm një emër … Shqipëria u ngrit, djemtë e rinj të saj dinin se ç’po bënin dhe ishin gati për sakrificë sublime për ta kryer deri në fund atë që kishin nisur.
Krijimi i partisë politike jo detyrë vetëm studentëve
Por si precipitoi situata për të krijuar për herë të parë një parti politike, pas 45 vitesh monizëm?
Arjan Manahasa thotë: “Erdhi krejt natyrshëm. Si në ç’do lëvizje politike, pas uraganit të parë, lind nevoja e një lidershipi si në aspektin fizik ashtu edhe në aspektin organizativ dhe politik. Asgjë më shumë se krijimi i një force politike të ndryshme nga PPSh nuk do të mund të kurorëzonte atë revolte që tashmë kish marrë përmasa mbarë kombëtare. Nuk ishte e vështirë të arrihej në idenë e krijimit te një partie të kundërt me PPSh e cila te vihej në krye të kësaj lëvizjeje popullore.
Pluralizmi i kërkuar dhe fituar nga studentet duhej konkretizuar. Sigurisht që një ndërmarrje e tillë, krijimi i një partie politike në një vend ku vetëm ta mendoje mund të kishe probleme serioze, nuk ishte diçka e lehtë dhe nuk ishte diçka që i përkiste si detyrë vetëm studentëve të Dhjetorit. Po kaq natyrshëm erdhi dhe përfshirja e organizimi i një grupi më të gjerë njerëzish të cilët gjithashtu në një kohë rekord proklamuan, mundësuan dhe legjitimuan të parën forcë opozitare shqiptare të historisë së pas luftës.
Diktatura tashme ishte mundur. Ndër vitet që pasuan, komentet mbi kush, pse, si etj për ata që krijuan e drejtuan PD, u stërholluan tepër. Për mendimin tim asgjë nuk është me e rëndësishme se ajo që realisht ndodhi. Të tjerat janë nën gjykimin e kohës dhe të njerëzve, nën gjykimin e një shoqërie me kapacitetet dhe rregullat e saj. Nga grumbullimet tek godina 15 e grupit nismëtar, tek kati nën tokë i shtëpisë se Gramoz Pashkos ku shtypej një program politik e deri tek salla e kinoklubit te Qytetit studenti ku atë mbrëmje Alfons Gurashi solli lajmin e legalizimit nga ministria e regjimit të Partisë Demokratike Shqiptare nuk kishin kaluar më shumë se disa dhjetëra orë. Pikërisht ky vrull është thelbi i asaj që ndodhi e që u vazhdoi deri në rrëzimin e monumentit të Hoxhës në shkurt ‘91”.
Drejtimi i revolucionit
Studentët ishin të parët, por menjëherë marrja e frenave në dorë prej njerëzve që erdhën nga jashtë radhëve të tyre. Por si u prit kjo nga studentët? Arian Manahasa e shpjegon kështu: “ - Studentet nuk pritën që dikush të merrte në dorë frenat drejtuese të asaj lëvizjeje mbarë popullore. Vrulli i atyre ditëve dhe rrjedha e ngjarjeve ishin aq te shpejta dhe aq të paparashikuara sa nuk mund te ndash një çast të tillë kur dikush ose disa erdhën dhe morën në dorë drejtimin e revolucionit. Ç’do gjë, ç’do pjesëmarrje apo ndërhyrje ishte tejet e mirëpritur mjaft që ishte nën të njëjtin ideal.
Mos harrojmë se studentet ishin në një moshe tepër të re dhe nuk besoj se dikush mendon se ata mund të vazhdonin të vetëm të udhëhiqini edhe politikisht këtë revolucion mbarë kombëtar. Koha dhe historia kanë nxjerrë në pah një sërë faktesh e kanë zbardhur një sërë ngjarjesh që sot do të interpretoheshin shumë më ndryshe se në ato kohë por mos harrojmë kushte dhe kapacitete e asaj kohe.
Sot mund të gjykojmë ose të kritikojmë një sërë veprimesh dhe një sërë personazhesh të asaj kohe që në një mënyrë ose në një tjetër morën në dore frenat e situatës por ... në asnjë çast nuk mund të hedhim asnjë fije dyshimi mbi ç’ka studentet e Dhjetorit dhe populli shqiptar vendosi të bënte dhe e bëri”.
Azemi kish lindur lider
Duke folur për rolin e Azem Hajdarit në lëvizjen studentore, Arian Manahasa thotë: “Ju pyesni se cili ishte roli i Azem Hajdarit në Lëvizjen Studentore? Shumë e thjeshte përgjigjja ... roli i një lideri. Siç dihet botërisht lider lind, nuk bëhesh dhe Azem Hajdari kish lindur lider qe në çastin kur thirri me zë të lartë gatishmërinë për te sakrifikuar veten e familjen për kauzën e studenteve e deri kur mbylli sytë ai ishte një figurë tejet e spikatur dhe me vlera të patjetërsueshme. Ai ishte dhe do të mbetet personifikimi i demokracisë së re shqiptare”.
Iu largova politikës
Edhe pse një nga organizatorët e Lëvizjes, Arian Manahasa nuk u përfshi në politikë, ashtu siç bëri shumëkush që ishte në mesin e saj. Ai thotë: “-Duke hequr mënjanë pjesëmarrjen aktive në organizimin e revoltës së ditëve të dhjetorit njësoj si dhjetëra bashkëmoshatarë, në krijimin e Partisë Demokratike njësoj si shumë shokë të mij, në organizimin dhe drejtimin e shkurtit 91 ku hodhëm poshtë monumentin e Hoxhës si qindra studente si unë ... nuk e kam ndjerë veten kurrë si të përfshirë “in primiss” në politike.
Ne ishim studente dhe siç e kam thënë dhe herë të tjera detyra jone ishte të mbaronim studimet. Ngjarjet e Dhjetorit ‘90 krijuan një pauzë në kalvarin tonë didaktik, pra ne duhet t’i ktheheshim mbarimit të shkollës. Personalisht, në kohën e duhur, ju ktheva përfundimit të studimeve edhe pse diku tjetër, në një vend të Evropës Perëndimore, bashkëmoshatarë të mij të asaj kohe u përfshinë në strukturat politike të Partisë Demokratike, në radhët e parlamentit të parë pluralist e kështu me radhë. Edhe kjo për mendimin tim ishte një diçka e natyrshme, ishte një rrjedhë që nuk mund ta ndaloje”.
Sakrificat për ta bërë Shqipërinë si Evropa
Pas 23 vitesh, të rinjtë e djeshëm nuk janë më të tillë. ndërsa aspiratat e vitit 1990, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, ka mbetur në kufi. Duke folur për këtë çështje Arian Manahasa thotë: “-23 vjet për mendimin tim janë shumë pak për të pasur një shtet dhe një shoqëri siç ne shohim rreth e rrotull në botën e zhvilluar. Ne thërrisnim “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa” por vërtetë shpejt u kuptua se Shqipërinë duhej ta bënin si gjithë Evropa. Askush nuk dhuron asgjë.
Një jetë ka kuptim kur atë e jeton dhe e ndërton. Po ashtu edhe një shoqëri nuk mund të pretendojë që t’ia dhurojnë ndryshimin e dëshiruar. Atë duhet ta bëjë vetë me sakrificat e nevojshme. Nuk është entuziazëm ose optimizëm bosh fakti që personalisht quaj progres ecurinë e shoqërisë shqiptare në këto 23 vite por njëkohësisht pranoj evidencën e nevojës për shumë, shumë punë, përpjekje e kohe për të mundur të krahasohemi e shoqëri tek të cilat aspirojmë. Sot studentët e djeshëm që ishin iniciatorët kryesorë të lëvizjes për demokraci janë kudo.
Ata janë aq shumë sa është e pamundur të listosh ku janë e ku jetojnë. Ata ishin një kur ideali i lirisë i bashkoi. Ata ishin në të njëjtin vend kur dëshira për të jetuar të lirë i ndriti deri në vetëmohim. Ata sot janë kudo. Kudo ku jeta dhe shoqëria i ka vendosur. Janë nga yje mbi lapidarë, heronj të një kohë të lavdishme deri tek burra shteti. Ajo që i bashkon akoma, në ç’do kohë, moment dhe moshë është ndjenja që kanë kur thonë ... “ne ishim fatlum që jetuam ato ditë...”
Koha për ndryshim, sistemi komunist ishte vetkalbur
Në 8 dhjetor studentët u bënë të “pabindur” në kërkesat e tyre. Por në çfarë kushtesh nisi revolta studentore e dhjetorit 1990? Arian Manahasa, një prej organizatorëve të kësaj Lëvizje thotë: “-Do të theksoja faktin se nuk kishte rëndësi se si nisi revolta por pse nisi ajo. Sistemi diktatorial i Hoxhës ishte në një dekadencë të plotë dhe kishte kohë që lëkundej në themele.
Nga njëra ane ishin ngjarjet përreth nesh, në Evropë, që nuk mund të kalonin pa u vënë re edhe nga nje shoqëri tejet e izoluar dhe tejet e kontrolluar si Shqipëria. Rënia e murit te Berlinit, revoltat ne Rumani etj. Shënuan kthesën e madhe historike të një shoqërie që tashme hidhte poshtë me forcë koracën e rendë të një sistemi komunist tejet të vetkalbur. Nga ana tjetër, gjendja ekonomike e një vendi të vogël si Shqipëria, e mbetur vetëm tashme fale politikave të izolimit që prodhoi regjimi komunist, ishte drejt kolapsit total. Shenjat e para të një revolte ndryshe nga përpjekje të vazhdueshme sporadike të ndodhura në vite u panë që nga fillimi i vitit ‘90.
Rebelim të heshtur në ambiente e qytete të ndryshme të Shqipërisë gjithmonë e më shumë komentoheshin me një lloj entuziazmi nga shoqëria e sidomos të rinjtë. Korriku ‘90, muaji i famshëm i ambasadave, ishte preludi i një historie të re e cila përgatitej të shpalosej vrullshëm. Tirana, por edhe qytete të tjera të rëndësishme si Shkodra, Durrësi, Kavaja manifestonin dukshëm ç’do ditë akte e gjeste të ndryshme të cilat kundërshtonin hapur diktaturën e Hoxhës.
Revolta e studentëve të dhjetorit nuk ishte asgjë me shumë se shkëndija që shërbeu për të ndezur atë zjarr të madh të ndryshimit për të cilin një popull i tërë ishte jo vetëm gati por edhe tejet i dëshiruar. Si në çdo revolucion, është rinia ajo që hedh hapin e parë duke marrë mbi vete kostot dhe rreziqet e frontit.
Në qytetin studenti, ata djem, jo vetëm ndezën këtë shkëndije por i dhanë jetë zjarrit duke e furnizuar me idealin e tyre tashmë të konsoliduar, dëshirën e tyre vetëmohuese për të jetuar e folur në liri. Nuk kanë rëndësi emrat, numrat, hollësitë. Një gjë është e ma tjetërsueshme. Ata djem e vajza hynë më forcë, të bindur në misionin e tyre të drejte, dhe u bënë pjesë e rëndësishme e historisë së një vendi”.