Arbereshet kujtojne pervjetorin e Skenderbeut

Arbereshet kujtojne pervjetorin e Skenderbeut
Arbëreshët e Vultures janë mbledhur për të kujtuar 544-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Siç raporton “Albanianews”, kjo veprimtari është organizuar nga shoqata “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, drejtuar nga prof. Donato Mazzeo, me bashkëpunimin edhe të autoriteteve lokale. Pas një meshe të mbajtur në nder të heroit kombëtar, prof. Mazzeo ka bërë një profil të shkurtër historik të Skënderbeut, ndërsa ka folur edhe për faktin se zotëron një dokument historik të vitit 1463 në të cilin vërehet se Papa Pio II e rreshtonte Skënderbeun në grupin e kristianëve për meritat dhe përpjekjet e shumta për mbrojtjen e fesë kristiane.

Ndërkohë që në përshëndetjen e tij, bashkiaku Giuseppe Pepice kishte shënuar se, “këto aktivitete janë të nevojshme për të rivlerësuar kulturën e vendeve tona, me shpresën se Regione Basilicata do të ketë më shumë kujdes ndaj arbëreshëve, sepse përndryshe ky komunitet do të humbasë”. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Këshillit Bashkiak të Regione Basilicata ka shtuar: “Gjuha arbëreshe nuk do të humbasë.

Duhet një bashkëpunim i madh mes qendrave ku ata janë vendosur, dëshmi e një kulture të hershme. Kujtimi i Skënderbeut është ende i gjallë. Objektivat realizohen nëse te ne, përveç propozimeve, ka edhe pasion për t’i realizuar ato dhe besoj se ai gjendet”. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe Giorgio Maria Castriota Skanderbeg, pasues i familjes nga rrënja e Napolit, i cili gjatë verës ishte i pranishëm edhe në Shqipëri.

“Privilegjet familjare nuk janë asgjë krahasuar me një privilegj të vetëm: të përfaqësosh në ditët e sotme një burrë krenar, të pathyeshëm, të ndershëm, të njohur në Shqipëri dhe Europë. Nuk do të krahasohemi asnjëherë me heroin, por mund të tentojmë të jemi ambasadorë të denjë në Itali, Shqipëri dhe Europë”, - ka thënë ai. Pikërisht sot shënohet 544-vjetori i vdekjes së Skënderbeut.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama