Ana tjeter e frikes

Ana tjetër e frikës

Provokon ankth dhe paralizë. Por nëse mësojmë si ta përballojmë, mund të na ndihmojë të çlirojmë mendimet dhe ta transformojmë në frymëzim


Në vitin 1900, William James Sidis ishte vetëm 2 vjeç, por dinte të lexonte shumë mirë anglisht (kjo ishte gjuha e nënës së tij),

ndërsa në moshën katërvjeçare shkruante shumë mirë frëngjishten. Në moshën 5-vjeçare ai shpik një formulë matematikore, sipas të cilës tregohej dita në të cilën kishte ndonjë ngjarje historike, e cila sinjalizohej sipas llogarive të bëra nga djali. Në moshën 12-vjeçare u pranua në Universitetin prestigjioz të Harvard-it, ku çuditi pedagogët dhe studentët e tjerë me teorinë e tij mbi lëndët e ngurta.

William nuk ishte i dhënë vetëm pas matematikës: teksa studionte në Harvard, fliste dhe shkruante në 7 gjuhë të ndryshme: frëngjisht, gjermanisht, rusisht, greqisht, latinisht, armenisht dhe turqisht. Aftësitë dhe sukseset që merrte gjatë shkollës e kthyen atë në një gjeni të vërtetë. Gazetarët viheshin në radhë për ta intervistuar, njerëzit dëshironin të dinin gjithçka mbi "metodën Sidis", ndërsa Universiteti i Harvardit krenohej me studentin e tij gjeni.

Por diçka nuk shkoi ashtu siç duhet: duke filluar nga mosha 12-vjeçare, William kishte një lloj "ezaurimi nervor", episode të përkohshme depresive, të cilat do ta shoqërojnë përgjatë gjithë jetës së tij. Filloi të ndjente frikë mbi suksesin, mbi presionin që ushtronte tek ai babai i tij. Në fund të fundit, vendosi të hiqte dorë nga gjithçka, për të mos ndjerë më suksesin, i cili po e lodhte. Kështu, zuri vend në një zyrë, e cila merrej me marrëdhëniet me publikun.

Rasti i Sidis tregon se ekziston një lidhje ndërmjet kreativitetit dhe emocioneve, suksesit dhe frikës. Që në fillim të fëmijërisë tonë përpiqemi të kërkojmë siguri dhe duke qenë se kjo siguri na jepet shpesh, atëherë mundohemi që ta përsërisim herë pas here: për këtë arsye fëmijëve u pëlqen të dëgjojnë e ridëgjojnë përrallat herë pas here. Për të njëjtën arsye ndonjëherë na pëlqen rutina e ditëve. Në të njëjtën kohë ekziston një forcë e kundërt, e cila na shtyn drejt risisë dhe të panjohurës. Kjo forcë është e dukshme te të porsalindurit, të cilët mundohen të eksplorojnë me shikim hapësirat dhe objektet që kanë përreth. Frika dhe kurioziteti janë dy anët e së njëjtës medalje: nga njëra anë ekziston frika nga e panjohura dhe e reja, e ndryshme dhe pjesërisht e rrezikshme; nga ana tjetër është emocioni i asaj që kemi zbuluar dhe rrezikuar, kënaqësia e realizimit të gjërave të panjohura dhe të paparashikuara, duke vënë në provë kurajon. Pakëz frikë na shtyn që të mos futemi në gjëra të cilat nuk i kontrollojmë dot. Kurioziteti është kënaqësia e marrjes së një informacioni, i cili edhe pse mund të mos ndikojë direkt te ty, mund të krijojë diskutim.

Një bazë sigurie është thelbësore për të marrë iniciativën. Por të zgjedhësh gjithmonë besimin mund të sjellë herët ose vonë mërzitje, pakënaqësi, mbyllje ose konformizëm. Megjithatë ka shumë mundësi që jeta të bëhet më e pasur dhe më interesante. Çështja është më e ndërlikuar sa mund të duket në pamje të parë. Frika, një nga emocionet primare, e cila është e gjindshme te të çdo person, nga njëra anë luan rol pozitiv, sepse mund të të krijojë tension, emocion i cili mund të jetë më shumë produktiv se joproduktiv. I ashtuquajturi "triller" gjen terren te një gjendje fizike dhe emotive, që ka efekt të aktivizojë procesin mendor, e jo ta ndalojë atë.

Kur ndjejmë frikë, sistemi ynë nervor aktivizohet plotësisht dhe me një shpejtësi marramendëse mendja "skanon" të gjitha të dhënat në dispozicion: mbi gjendjen aktuale, qëllimet e tjetrit, zgjidhjet e mundshme dhe të pamundshme. Regjisori i madh, Alfred Hitchcock, tregon në biografinë e tij një pasazh shumë interesant. Kur ishte i vogël, babai i tij, për ta ndëshkuar ra dakord me një mikun e tij polic, që ta frikësonte djalin. Ata e frikësuan duke i thënë se do e kalonte natën në polici. Alfredi parashikonte ushtarë, policë të cilët mund të ishin të pranishëm dhe kjo gjë ka qenë frymëzimi i tij kryesor për të shkruar skenarët e librave të tij policeskë. Ashtu si Hitchcock, shumë shkrimtarë të tjerë e kanë gjetur frymëzimin te frika dhe kanë "luajtur" me këtë ndjenjë duke realizuar filma të famshëm. Që nga Edgard Allan Poe dhe Stephen King, Steven Spielberg e deri te Dario Argento, frika ka qenë një nxitje që ka shtyrë producentët të krijojnë vepra të mëdha. Nga ana tjetër, ashtu si edhe lexuesit e librave, apo shikuesit e filmave të letërsisë dhe kinematografisë "së verdhë", ndjejnë një lloj "kënaqësie" kur frikësohen, sepse kjo e fundit thyen monotoninë dhe shton nivelin e përqendrimit. Kur frika bëhet intensive dhe kronike, ka efekte paralizuese në veprim, në mendim, në emocion dhe kreativitet. Mund të krijojë një gjendje ankthi (ose depresive), e cila ul besimin në vetvete, ul ndjeshëm sigurinë, dëshirën për të eksperimentuar. Atletja mund të ketë frikën e të mos qenit në lartësinë që është një rekordmen, shkrimtari ka frikën e fletës së bardhë, mësuesi ka frikën e bllokimit sa herë që hyn në klasë, etj.

Në bllokimin e shprehjes së mendimit dhe të veprimit mund të ndikojnë faktorë të ndryshëm. Duke qenë se njerëzit kanë karaktere të ndryshme, duhet të ekzistojë edhe dëshira për t‘i kuptuar ata. Shumë njerëz kanë frikë të gabojnë, për shkak të paragjykimit nga superiorët e tyre, ose për shkak të kritikave apo nga mungesa e motivimit. Shumë kritika dhe ndëshkime të bëra gjatë fëmijërisë mund të krijojnë në të ardhme vend për pasiguri, gjë që bllokon spontanitetin dhe iniciativën. Në planin edukativ të kreativitetit duhet të krijohet një klimë e përshtatshme për eksperimentimin, respektimin e ideve të njëjta ose të kundërta, të përdorësh gabimet në mënyrë konstruktive, të favorizosh kuriozitetin, të pranosh pikëvështrimet e kundërta, si dhe së fundmi të mos ushtrosh presion aq të madh mendor, si në rastin e anormalit William Sidis.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama