Agolli Berisha te terhiqet Meta dhe Arbnori te merren si shembull

Agolli: Berisha te terhiqet, Meta dhe Arbnori te merren si shembull

Shkrimtari shprehet se bojkoti i Kuvendit cenon integrimin e vendit në BE, ndërsa qeverisë, sipas tij në këto muaj i është dashur që të mendojë më shumë për rrugën ku do të ecë

Shkrimtari Dritëro Agolli, i njohur edhe si patriarku i socialistëve, apelon politikën shqiptare për të lënë mënjanë të shkuarën dhe për të punuar për të ardhmen e shqiptarëve. Në një intervistë për ‘A1 Report’, Agolli duke komentuar zhvillimet politike në vend gjatë këtyre muajve ka vlerësuar se palët merren më shumë me debate boshe sesa me problemet e shqiptarëve. Kështu sa i përket rolit të mazhorancës, ai thekson se PS dhe LSI, si dy forcat kryesore të saj duhet të tregojnë një stil tjetër pune në Kuvend.

 

“Tani, ishte çfarë ishte, që nga këto kohë që ka marrë drejtimin Partia Socialiste me LSI-në t’i lëmë këto gjëra, duhet të fillojë një periudhë e re e punimit të Parlamentit”, – thotë Agolli. Por për realizimin e kësaj, ai thekson se është e nevojshme që tashmë të mos punohet më me figurat e vjetra, pasi ka ardhur koha për një ritëm të ri. “Jo me të vjetrit. Duhet t’i përmbysim ato. Përmbysja është edhe dhimbje, se jam mësuar kështu do thotë tjetri, si ta prish këtë traditë që kam dhe vazhdojnë po me atë traditë. Por duhet bërë”, – tha Agolli. Ndërkohë që nga ana tjetër ai i përcjell një mesazh edhe opozitës, e cila sipas tij duhet të bëhet më bashkëpunuese dhe të flasë për problemet konkrete të shqiptarëve dhe jo thjesht të bëjë zhurmë. “PD duhet të diskutojë më konkretisht, dhe të mos dalë nga tema dhe të bëjë sensacione. Të fillojë drejtpërdrejtë me gjendjen e shoqërisë sonë, pasi nuk diskutojnë problemet tamam. Të thonë kemi këto probleme, vëllezër jemi, miq, nuk jemi të vendeve të huaja, jemi bashkërisht dhe të mendojnë sesi do ta rregullojmë këtë Shqipëri”, shprehet shkrimtari..

 

E në këtë linjë ai shton se edhe bojkoti i opozitës duhet të ketë një masë, pasi në të kundërt ai bëhet dëmtues për interesat e vendit. “Edhe bojkotimi është forma e demokracisë, por kur bëhet vend e pavend, bojkotimi e humb vlerën e tij. Pasi siç thotë populli ‘gjella me kripë, e kripa me karar’; këta duke i hedhur shumë kripë gjellës, e prishin shumë gjellën”, – thekson ai. I pyetur nëse kjo lloj sjelljeje i dëmton shpresat për integrim të Shqipërisë, ai u përgjigj: “Po, e cenon. Lëre se ç’thonë se edhe në BE ka të majtë, ka dhe të djathtë. Edhe ata kështu bëjnë. Por nuk është gjë e mirë”. Agolli ka një mesazh edhe për ish-kryeministrin Berisha, i cili sipas tij duhet të largohet nga politika aktive, madje edhe nga Parlamenti. Kjo pasi sipas tij, Berisha nuk ka çfarë t’i japë më këtij vendi veçse të ribëjë ato që ka bërë më parë. Për këtë ai sjell rastin e dy drejtuesve francezë, Napoleon Bonaparti e Sharl De Gol, të cilët sipas tij, kur tentuan të bënin të njëjtat veprime që kishin bërë më parë, dështuan.

Qeveria

Ndërkohë që nga ana tjetër ai nuk harron të vlerësojë me nota pozitive punën e qeverisë Rama, si përsa i përket përbërjes, ashtu edhe përpjekjeve për të ndryshuar gjendjen e vendit. “Në këto pak muaj i është dashur qeverisë që të mendojë shumë për rrugën ku do të ecë. Do të thoni ju, që ajo mund t’i mendonte këto edhe para tre-katër vjetësh, kur synonte të merrte pushtetin. Edhe atëherë mund t’i bënte. Por nuk i kishte shumë të qarta, nuk e dinte se çfarë trashëgimie i la qeveria e kaluar dhe kur erdhi tani në pushtet pa se i mungonin shumë gjëra dhe duhet të mendonte sesi t’u hynte këtyre gjërave, kësaj zbrazësie.

 

Dhe prandaj duket sikur nuk ka bërë shumë në këto 6 muaj. Por ata të tjerët e kishin 8 vjet për ta bërë dhe e patën të vështirë. Një nga meritat e vetë Edi Ramës është se ka vënë njerëz të rinj të në drejtimin e qeverisë dhe të problemeve shoqërore”, – vlerëson Agolli. Ai nuk nguron që të vlerësojë lart edhe figurën e kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili sipas tij i përngjan Pjetër Arbnorit në drejtimin me urtësi të Kuvendit. “Unë mendoj se Ilir Meta drejton shumë mirë.

 

Ai nuk zemërohet shumë, nuk hidhet përpjetë si të tjerë që kemi parë kryetarë parlamenti. Është një njëri i qetë dhe ua jep fjalën gjithë atyre që kërkojnë të thonë diçka, pavarësisht se përfundimi mund të jetë se ata nuk thonë gjë. Nga ana demokratike, ai është njeri i matur në të folur dhe ndjehet ajo përvojë që ka patur si drejtues që kur ka qenë djalë fare i ri”, – ka theksuar në fjalën e tij shkrimtari Agolli. Unë di dy kryetarë Parlamenti, që janë me të vërtetë njerëz të matur dhe të kulturuar dhe që e njohën edhe psikologjinë e vendit. Pjetër Arbnori dhe Ilir Meta. Edhe Pjetri kur drejtonte ishte njeri i qetë. Të dy këta, unë jam i bindur që kanë qenë njerëz që duhet të merren shembull edhe nga ata që vijnë”, – tha Agolli.
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama