AUTOSTRADA ADRIATIKO-JONIANE - investimi me strategjik ne Ballkanin Perendimor

'AUTOSTRADA ADRIATIKO-JONIANE' - investimi me strategjik ne Ballkanin Perendimor

Para disa muajsh Bashkimi Europjan morri një vendim shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor, që 9 Korridoreve Europjane, t’i shtohet edhe Korridori Adriatiko–Jonian. Programi i Rrjeteve të Korridoreve Europjane TEN-T ka qëllim ndërtimin e infrastrukturës për të forcuar dhe integruar ekonominë e Europës. Ato janë arterjet e vërteta ekonomike të Europës dhe përcaktohen mbi bazën e disa kritereve (http://ec.europa.eu/transport/themes/infrastructure/ten-t-guidelines/doc/building_infrastructure_en.pdf). Për këto korridore BE ka caktuar disa koordinatorë dhe për to duhet të bëhen konsultime publike.

Pjesë e këtij korridori është dhe “Autostrada Adriatiko-Joniane”, që në idenë e saj fillestare duhej të niste nga Trieste dhe të mbaronte në Kallamata, Greqi. Por në kushtet kur ekonomia e BE-së, e vëndeve të Ballkanit dhe sidomos Greqia janë në një krizë të tejzgjatur, kjo autostradë duhet së pari t’i shërbejë qëllimit kryesor të Kooridoreve Europjane, lidhjes së qëndrave më të rëndësishme ekonomike të Ballkanit Perëndimor, kryeqyteteve dhe porteve, se sa zonave turistike. Kështu që destinacioni përfundimtar i saj i natyrshëm është Athina e Porti i Pireut dhe kurrsesi Kallamata.

Rëndësia ekonomike e autostradës rritet ndjeshëm, pasi ajo është rruga më e shkurtër e mundëshme Trieste-Tiranë-Pire 1500km, ose 200km më e shkurtër se Trieste-Beograd-Pire. Por ndërkohë lidhja e saj në Siatista, Greqi me autostraden Egnatia – A2 (Stamboll-Igumenicë), e bën distancën Trieste-Tiranë-Stamboll 1820km ose vetëm 70km më të gjatë se sa Trieste-Beograd-Sofje-Stamboll. Përveç lidhjes së ekonomive të vogla ballkanike, autostrada i shërben flukseve më të mëdha ekonomike paneuropjane, si ai ekonomik midis BE-së e Turqisë dhe ai turistik, ku mbi 25 milionë turistë vizitojnë çdo vit Greqinë dhe 33 milionë Turqinë.

 

 

Rëndësia strategjike e Autostradës rritet në mënyrë eksponenciale, po të kihen parasysh lidhjet e saj efektive me portin e Pireut dhe Stambollin, që janë dy hyrjet e rëndësishme të “Rrugës Kineze të Mendafshit” në Europë. Sipas masterplanit kinez të “Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit”, që fillon në Kinë dhe përfundon në Roterdam dhe Afrikë, ai ka për qëllim të krijojë një infrastrukturë interkontinentale për t’i shërbyer një tregu prej 4,5 miliardë banorësh (Europë, Azi, Afrikë). “Rruga e Mëndafshit” do të jetë arterje ekonomike strategjike me dy kalime, ku mallrat e Lindjes dhe Afrikës do të vijnë në Europë dhe anasjelltas. Sipas këtij masterpani “Korridori Qëndror Tokësor i Rrugës së Mëndafshit” kalon nga Stambolli dhe “Korridori Detar” nga Pireu. Kështu që kjo autostradë duhet ndërtuar me një optikë shumë më makroekonomike dhe gjeopolitike, që ajo të jetë sa më e integruar me këta korriorë ekonomikë europjanë dhe globalë.

Pjesë shumë e rëndësishme e këtij korridori janë “Hekurudha Adriatiko-Joniane”, (Pire-Durrës-Split-Trieste) dhe “Gazsjellësi Adriatiko-Jonian”, pjesë e TAP-it.

 

Konkretisht “Autostrada Adriatiko Joniane” ka ardhur deri në Ploçe të Kroacisë dhe duhen rreth 600km autostrada të reja që të arrijë Pireun. Konkretisht në Kroaci duhen 130km (Ploçe-Ura e Peljeshacit-Dubrovnik).

 

Në Malin e Zi është pjesa më e vështirë e kësaj autostrade për arsye të terrenit malor. Qeveria e Malit të Zi ka marrë një vendim shumë të drejtë, që kjo të kalojë nga Debeli Brijeg (Kroaci) në Tivar. Por kjo nuk do të jetë një autostradë përgjatë bregdetit, por krejtësisht e fshehur pas maleve në një distancë 5 deri 10km nga qytetet kryesore bregdetare. Gjithashtu qeveria malazeze do ta lidhë këtë autostradë me Podgoricën. Ajo tashmë e ka gjetur një pjesë të finacimit në formë granti nga SOCAR i Azerbajxhanit, që po ndërton një rezort turistik. Shumë e rëndësishme është që qeveria shqiptare dhe malazeze kanë rënë dakord, që autostrada të hyjë në Shqipëri midis Muriqanit dhe Velipojës. Sipas të gjithë ekspertëve shqiptarë e të huaj, kjo është rrugëzgjidhja më e logjikshme. Kalimi i kësaj autostrade nga Buna nëpër Torrovicë dhe me tunel në Lezhë (30km) është rruga më e shkurtër e më ekonomike. Është e rëndësishme të theksohet që të dy qeveritë e braktisën idenë fillestare që ajo të kalonte nga Hani i Hotit. 75km nga Hani i Hotit deri në Lezhë do të kishtin një kosto të lartë shpronësimesh e ndërtimi, si dhe një ndikim ambjental shumë negativ në zona shumë të populluar si Shkodra, Malësia e Madhe e Zadrima.

 

Por Qeveria Shqiptare sipas infomacioneve në media, ndryshe nga vendimi i drejtë, që morri për hyrjen nga Mali i Zi, duket që pikëtakimin me Greqinë e ka vendosur njëanësisht në Qafë Botë. Për mendimin unik të të gjithë ekspertëve shqiptarë, kinezë, grekë, kroatë, malazezë, etj. që ne po bashkëpunojmë, “Autostrada Adriatiko Joniane”  në Shqipëri duhet të kalojë në gjurmën: Bunë-Lezhë-Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë Plloçë-Kapshicë-Jeropigji (kufi i ri me Greqinë), ku për 13km lidhet me Egnatia Odos, pranë Kosturit. Rrugëzgjidhja që gjithë ky korridor pan-europjan të përfundojë në Qafë Botë na duket tejet jo profesionale, pa logjike ekonomike e gjeostrategjike. Pa përmendur impaktin negativ ambjental, që një autostradë ku planifikohet të kalojnë çdo vit mbi 5 milionë automjete me mallra e njerëz mund të sjellë në zonën e mbrojtur të Butrintit.

Gjurma nga Qafë Bota, por edhe nga Kakavija, ja ul dukshëm efektivitetin autostradës. E bën Pireun 160km më larg dhe Stambollin 275km më larg. Çdo devijimi i gjurmës së Autostradës nga rruga më e shkurtër e mundshme midis Triestes, Pireut dhe Stambollit, ul gjithashtu konkurueshmërine e saj në raport me Korridorin 10 (Pire-Selanik-Shkup-Beograd-Trieste) dhe korridorin Stamboll-Sofje-Beograd-Trieste.

Impakti ekonomik që kjo arterje ekonomike të përfundojë në Qafë Botë është i papërfillshëm për Shqiperinë në raport me impaktin ekonomik të gjurmës nga Kapshtica. Rruga për në Qafë Botë mund të planifikohet si një rrugë turistike që përdoret 2 muaj në vit dhe s’ka asnjë mundësi të jetë arterje ekonomike europjane. Distanca Tiranë-Qafë Botë është 310km ndërsa Tiranë-Kapshticë 180km (gjurmë e re). Pra 130km më e shkurtër. Nga Qafë Bota deri në Athinë duhen edhe 500km, që me shumë gjasa nuk kanë për t’u bërë edhe për shumë vite, si pasojë e vështirësive ekonomike që kalon Greqia. Ndërsa Jeropigji-Athinë është 450km nga Kentriki Odos (A3), e cila është ndërtuar në pjesën më të madhe (janë në ndërtim edhe 2 segmente nga 30km). Pra në Greqi në drejtimin e Kentriki Odos (A3) duhen vetëm 70km per t’u ndërtuar, po aq sa distanca Kakavijë-Janinë. Sipas eksperteve greke, nuk ka asnjë plan zhvillimor që lidh Qafë Botën me Igumenicën. Ndërsa autostrada Ionia Odos (A5) 225km që lidh Janinën me Patran, është në pjesën më të madhe e pandërtuar.

Pra gjurma nga Qafë Bota i kushton Greqisë disa herë më shumë se sa nga Kapshtica dhe është 160km më e gjatë. Gjithashtu Greqia do të bëjë edhe një shkurtim drastik të A3 nga Lamia në Pire.

Për Shqipërinë është e domosdoshme që të bëjë lidhjen e shkurtër në jug të Kapshticës 3km me Jeropigji, Greqi. Kjo e shkurton 25km rrugën aktuale nga Kristalopigji. Greqia duhet vetëm të ndërtojë segmentin Jeropigji-Kostur 13km, që ne të lidhemi me Egnatia Odos (A2) dhe më pas me Kentiki Odos (A3) në Siatista. Qeveria Shqiptare përpara se të marrë vendimin strategjik për pikën hyrëse të autostradës në Greqi duhet të konsultohet me Qeverinë Greke si dhe të marrë mendimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për këtë çështje.

Sipas listës së botuar në media, 7 nga 11 projektet që do t’i paraqiten BE-së janë në favor të Sërbisë. Ajo krahas Korridorit 10 i ka shtuar atij edhe 5 lidhje të tjera me Shqipërinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Bosnjen, Malin e Zi e Kroacinë, duke e bërë Beogradin aksin infrastrukturor të Ballkanit. Bile aq profesionalë janë treguar planifikuesit sërbë, sa edhe Korridorit 5C boshnjak i kanë shtuar një aks për në Banja Luka. Shkurt me këtë hartë projektesh të gjitha rrugët të çojnë në Beograd.

Me që Sërbia i ka paraqitur perfekt të gjitha interesat e veta, do të qe mire që Qeveria Shqiptare të paraqesë si projekt shtesë – segmentin “Elbasan-Qukës-Kapshticë/Jeropigji (GR)” si pjesë e “Autostrades Adriatiko Joniane”, pavarësisht që pjesa “Elbasan-Qukës” është edhe pjesë e Korridorit 8. Bile ndërlidhja me Korridorin 8 ja rrit më tej efektivitetin. Ndërsa gjurmën për në Qafë Botë le ta lerë si rrugë turistike me të njëjtin standad si rruga e sapondërtuar Levan-Kakavijë. Shqipërisë do t’i duhet të përmirësojë standardet e autostradës ekzistuese Tiranë-Vlorë dhe ta kthejë në një autostradë të mbyllur për shpejtësi 130km/orë. Në se pas shumë vitesh Greqia do të ndëroje mbi 200km autostradë ende të pa bërë nga Patras në Kakavijë, mund të lindë nevoja që Shqipëria të përmirësojë në nivel autostrade 135km Levan-Kakavijë. Por në kushtet e tanishme ekonomike, çdo vendim për ta kthyer në autostradë këtë segment do të qe utopik, jorentabël dhe me pasoja të rënda për buxhetin.

Le të shpresojmë që BE në takimin e Vjenës do të japë financim të plotë për këtë Autostradë, ku vlera totale e saj është rreth 4 miliardë euro.

 

Sipas studimeve ndërkombëtare që “Autostrada Adriatiko Joniane” të jetë rentabël, do të duhet që të kalojnë rreth 15 mijë makina në ditë ose mbi 5 milionë në vit. Kjo është krejtësisht e mundshme vetëm po të ndërtohet dhe të funksjonojë autostrada në të gjithë gjatësinë e saj. Për të rritur efektivitetin e investimit ajo duhet ndërtuar paralelisht dhe sa më parë në të 4 shtetet. Në se një nga shtetet ka vonesa, kjo do të pasqyrohej në humbje financiare për të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse, siç po ndodh momentalisht në pjesën e mbaruar kroate të kësaj autostrade, ku kalojnë vetëm 7 mijë makina në ditë ose 2,5 milionë makina në vit. Autostrada është një projekt europjan dhe do një koordinim europjan dhe me kompani të specjalizuara, siç është bërë me korridoret e tjera europjane.

 

Në se BE nuk mund ta financojë 100% këtë autostradë dhe në kohë sa më të shpejtë, do të qe mirë që të 4 qeveritë pjesëmarrëse, bile edhe Maqedonia (siç shprehu vetë interesin kryeministri Gruevski), duhet të kërkojnë një investitor privat, që ta bëjë me Partneritet Publiko Privat. Faktikisht qeverive përkatëse ju janë ofruar disa kompani kineze, që duan ta bëjnë me PPP këtë autostradë. Besoj kjo do të qe rrugëzgjidhja më e mirë për të gjitha qeveritë, por dhe për BE-në, pasi “Autostrada Adriatiko Joniane” është një projekt rentabël dhe nuk ka nevojë për financimet e avashta të BE-së. Në se e bëjnë kinezët, për 4 vite kjo autostradë do të qe 100% në punë. Përfundimi i shpejtë i saj do të kishte një impakt ekonomik shumë pozitiv për Ballaknin Perëndimor. Për qeveritë ballkanike kjo autostradë do të jetë një nga vendimet e tyre më strategjike, që kërkon nivelet më të larta të profesionalizmit dhe bashkëpunimit. Mirë do të qe që këtë vendim ta merrnin në bashkëpunim edhe me një konsorcium privat, sipas modelit të TAP-it, se sa vetë qeveritë respektive apo BE. Mbase këtë projekt mund ta shqyrtojë më seriozisht dhe “Zyra e BE-së për Infrastrukturën e 6 Vëndeve të Ballkanit Perëndimor” me qëndër në Tiranë, që pritet të lançohet në gusht gjatë Takimit të Vjenës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama