A po i dhuron qeveria Rama kromin klientit te Berishes?

A po i dhuron qeveria Rama kromin klientit të Berishës?

Qeveria Rama vendosi, javën e shkuar, të shtyjë me 10 vjet afatin e kontratës koncesionare të kompanisë ACR Holding për shfrytëzimin e minerës së kromit në Bulqizë, vendburimi më i madh i kromit në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë.

Kontrata e mëparshme koncesionare përfundonte në vitin 2031, kohë kur miniera duhej t'i kthehej shtetit shqiptar, ndërsa tani ajo do të shfrytëzohet nga konçesionari deri në vitin 2041.

Justifikimi i qeverisë është se koncesionari ka marrë përsipër të investojë 15 milionë euro mbi planin e mëparshëm të investimeve, ndaj ky premtim është shpërblyer me zgjatjen me 10 vjet të kohëzgjatjes së konçesionit.

Qeveria ka marrë, sot, një vendim që mund të konsiderohej në vitin 2031. Për më tepër, ajo ka vendosur mbi bazën e një premtimi në letër për një investim të pritshëm mbas shumë vitesh nga sot.

Nga pikëpamja ekonomike veprimi i qeverisë është absurd, edhe për faktin se ai i "dhuron" koncesionarit të paktën 300-400 milionë euro të ardhura për një investim minimal--aktualisht, koncesionari deklaron 30-40 milion euro të ardhura në vit.

Vendimi ngre shumë dyshime edhe për ligjshmërinë e tij. Koncesionari ACR--fillimisht, në vitin 2001, në pronësi të kompanisë italiane Darfo; pastaj në vitin 2007, në pronësi të një konsorciumi austriak-rus; dhe së fundmi nga viti 2013, nën pronësi të biznesmenit shqiptar Samir Mane--ka shkelur vazhdimisht kushtet e koncesionit për realizimin e investimeve dhe për kriteret e operimit të minierës së Bulqizës, që ndër te tjera kanë çuar në humbjen e jetës nga të paktën 7 minatorë deri më sot.

Për këto arsye, në nëntor 2013, pak muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama pezulloi në mënyrë të pjesëshme licensën e minierës. Ndërkohë, që priteshin masa të ashpra ndaj koncesionarit për ta detyruar të plotësojë kushtet e koncesionit dhe të shfrytëzimit të minierës, papritmas qeveria ka vendosur për shtyrjen e afateve të koncesionit pa dhënë asnjë shpjegim për justifikimin e këtij veprimi.

Veprimi i qeverisë është edhe më i papritur në kushtet kur Partia Socialiste në opozitë ka qenë një kritike e ashpër e ndaj qeverisë Berisha në raportet me biznesmenin Samir Mane, një nga oligarkët më të mëdhenj në vend i cili ushtron prej vitesh kontroll të madh mbi qeveritë e të gjitha partive. Në mënyrë të veçantë, socialistët opozitarë dënuan ashpër lejimin nga qeveria Berisha të blerjes së kompanisë koncesionare nga Zoti Mane në janar të vitit 2013.

Një grup deputetësh socialistë i dërguan, në atë kohë, një letër të ashpër Ministrit Edmond Haxhinasto, më anë të së cilës ata dënonin dorëzimin e një nga pasurive më të mëdha natyrore të vendit biznesmenti Mane dhe kërkonin shpjegime për këtë vendim.

Ministri Sajmir Tahiri ishte një nga zërat më të fortë që kundërshtoi blerjen e kompanisë koncesionare. Më poshtë është një nga deklaratat e tij të kohës, në të cilën Zoti Tahiri ngriti një sërë pyetjesh të rëndësishme.

Mbas vendimit të qeverisë Rama, pjesë e së cilës është tashmë Zoti Tahiri, pyetja e natyrshme eështë:a ia bëri Ministri Tahiri të njejtat pyetje Kryeministrit Rama para se të ngrinte dorën për të votuar pro zgjatjes së afatit të koncesionit për Zotin Mane?

Në shkurt 2013, Zoti Tahiri deklaroi:

Zoti Tahiri i kërkoi publikisht Ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto dokumentat dhe informacionin e mëposhtëm:


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama