85 njerëzit më të pasur të planetit kanë akumuluar më shumë pasuri sesa gjysma e popullsisë së botës, thuhet në një raport që u shpreh shqetësim liderëve politikë dhe ekonomikë që do të mblidhen në Davos.
Elita e vogël multimiliardere, e cila mund të grumbullohet në një autobus dykatësh, ka pasuri sa 3.5 miliardë njerëz të varfër në botë, tregon një analizë e “Oxfam”.
Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, ku një numër i vogël ka miliarda dhe një numër i madh njerëzish nuk ka asgjë, mund të shkaktojë trazira sociale. Nga Forumi Botëror i Ekonomisë, ky problem shihet si shqetësimi më i madh i botës sot për sot.
“Oxfam” thotë se, 85 njerëzit më të pasur kanë një pasuri prej 1.7 trilionë dollarë, ku në krye qëndron meksikani Carlos Slim, që sipas revistës “Forbes” numëron një pasuri prej 73 miliardë dollarë. Ai ndiqet nga Bill Gates me 67 miliardë dollarë.
Në listën e 85 personave më të pasur bën pjesë dhe Larry Page, bashkëthemeluesi i Google, i cili ka një pasuri prej 23 miliardë dollarë.
“Oxfam” përllogarit se, gjysma e pasurisë së botës posedohet nga vetëm 1% e popullsisë. Ndërsa, 70% e njerëzve jetojnë në vende ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në 30 vitet e fundit është thelluar.
“Përqendrimi i burimeve ekonomike në dorën e disa njerëzve është një kërcënim, përfshirë dhe për sistemin politik dhe ekonomik”, thuhet në analizën e “Oxfam”. “Njerëzit gjithnjë e më shumë janë të veçuar nga fuqia ekonomike dhe politike, që pashmangshmërisht rrit tensionin social dhe riskun e shkatërrimit të shoqërisë.”
Winnie Byanyima, drejtore ekzekutive e “Oxfam”, e përshkruan hendekun mes sektorëve të shoqërisë tronditëse.
“Nuk mund të fitojmë luftën kundër varfërisë pa luftuar pabarazinë. Rritja e pabarazisë krijon rreth vicioz ku gjithnjë e më shumë pasuria dhe pushteti po përqendrohen në duart e pak njerëzve, duke na lënë neve të tjerëve të luftojmë për thërrimet e tyre”, thotë ajo.
“Oxfam”, që është një konfederatë ndërkombëtare e 17 organizatave që punojnë në 90 vende të botës për të gjetur zgjidhje për varfërinë dhe padrejtësitë në botë, u bën thirrje drejtuesve të biznesit që do të mblidhen në Davos, që të mbështesin taksimin progresiv dhe të mos shmangin taksat e tyre si dhe të shmangin përdorimin e pasurisë në funksion të favoreve politike dhe kompanitë e tyre të paguajnë paga që mbulojnë jetesën.