"Dior", një nga shtëpitë e modës franceze më të njohura në botë, vetëm një ditë më parë ka festuar ditëlindjen e 60 të saj. Për të festuar këtë ngjarje të rëndësishme, si vend ideal ishte menduar kështjella e Versajës. Në pasarelë, rreth 130 metra e gjatë, ku mbizotëronin trëndafilat, shatërvanët dhe pemët, janë ngjitur rreth 45 modele të "haute couture", secila e frymëzuar nga një gjeni i artit. Në të vërtetë, kësaj radhe kishin qenë piktorët e famshëm si Rembrand, Pikaso, Karavaxho, Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi apo Botticelli ata që kishin ngacmuar imagjinatën e John Galliano-s. Dizajnuesi anglez, pikërisht i frymëzuar nga arti i këtyre gjenialëve anglezë, kishte "prodhuar" një koleksion të pasur e pompoz të klasit të lartë. Faktikisht, ky koleksioni ka qenë i një rëndësie të veçantë për të, pasi koincidonte jo vetëm me 60-vjetorin e "Dior", por edhe me përvjetorin e dhjetë të tij në krye të saj. Çdo veshje frymëzohej nga artistë e periudha të ndryshme: nga arti modern i Pikasos, mjeshtri i rilindjes, Mikelanxhelo, dhe stili i Leonardo da Vinçit. Veshje plot lara, xixa, temina, rripa të mëdhenj, por edhe veshje të frymëzuara nga stili i epokës viktoriane. Përveçse shfaqi një tendencë plot ngjyra, Galliano u shfaq më eksperimental se kurrë, duke krijuar silueta të mrekullueshme me modelet e tij. Koleksioni u prezantua nga modelet më të famshme në fushën e modës. E para që ka hapur sfilatën ka qenë Gisele Bunchen, e cila u ndoq nga modele të kalibrave të tillë si: Naomi Campbell, Linda Evangelista, Ambber Valletta dhe Stela Tenat, që mbanin veshur fustane të mëdha të mrekullueshme stofi, të dizajnuara me një bukuri të rrallë.
Të shumtë në numër kanë qenë edhe miqtë, adhuruesit dhe yjet nga e gjithë bota si: Juliette Binoche, Charlize Theron, Kate Hudson, Olivier Martinez, Pedro Almodóvar, Afef e Diego Della Valle.
Natyrisht që nuk mund të mungonte në këtë show të modës Monica Bellucci, e cilësuar ndryshe edhe si "kumbara" e shtëpisë prestigjioze të modës. "Jam shumë e lumtur që mora pjesë në një spektakël të tillë. Kanë kaluar 10 vjet dhe John Galliano është shumë i talentuar. Çdo shfaqje e tij paraqet një surprizë të madhe", tha ajo. Ndërkohë, edhe aktorja Kate Hudson u shpreh:
"Jam mjaft e emocionuar, sot pashë një shfaqje të vërtetë spektakolare. John është i mrekullueshëm".
Koleksionet mondane pompoze, vërtet nuk janë fitimprurëse, por ato u japin mundësinë dizajnuesve të ripërcaktojnë kufijtë e kreativitetit të tyre. Edhe kjo sfilatë e "Dior" vërtetoi të njëjtën filozofi që përshkruan pasarelat dhe koleksionet e tij prej dhjetë vitesh: veshje të jashtëzakonshme, që pak, shumë pak gra mund t‘i veshin, por që duke parë frymëzimin askush nuk guxon ta vërë në dyshim se janë më tepër afër artit se modës. Në fund, pas magjisë që dhuruan 45 modelet, që parakaluan në pasarelë, atmosfera u bë edhe më e nxehtë nga vallëzimet e flamengos dhe nga këngëtarët e muzikës gospel.
Pas show-t u organizua një festë e madhe për gjithë të ftuarit.
Stilisti
John Galliano, artisti dhe stilisti është ai që padyshim ka meritën e dhjetë viteve të fundit të suksesit të padiskutueshëm të "Dior". Ndërsa të gjithë pyesnin veten se si do të dilte në skenë kësaj radhe, si astronaut, zog, Napoleon apo Çarli Çaplin, pasi nga ai mund të presësh gjithçka, stilisti anglez e
ka mbyllur sfilatën nën tingujt e flamengos dhe i veshur si toreador, duke krijuar në këtë mënyrë një homazh si për shtëpinë e modës, ashtu dhe për rrënjët e tij spanjolle.
John Galliano, emri i plotë i të cilit është Juan Carlos Antonio, ka lindur më 28 nëntor të vitit 1960 në Gjibraltar. Babai i tij ishte hidraulik dhe nëna shtëpiake me origjinë spanjolle. Kur ishte 6 vjeç u transferua në Londër dhe frekuentoi "Wilson‘s School" në Uellington. Në 1984-ën u diplomua si dizajnues mode në të famshmen "Central Saint Martins College of Art and Design" me një koleksion të frymëzuar nga revolucioni francez i quajtur "Les Incroyables", që mori shumë kritika pozitive. Ky koleksion u shit sa hap e mbyll sytë, sapo u ekspozua në butikun londinez "Browns". Në vitet ‘90 u transferua në Paris, ku në fillim firmosi për "Givenchy". Në më pak se dy vjet Galliano u shkëput prej aty për të firmosur për "Dior" më 14 tetor të vitit 1996. Në këtë mënyrë ai u bë i pari stilist britanik në krye të një shtëpie mode franceze. Sfilata e tij e parë për "Dior" koincidoi me përvjetorin e 50 të kësaj shtëpie, më 20 janar të 1997-ës. Është përmendur shpesh për dashurinë e tij për teatrin dhe për feminilitetin në qendër të krijimeve të tij. "Roli im është të josh", thotë gjithmonë ai. Në të vërtetë, me këtë frazë i referohet Charlize Theron, muzës së tij, të cilës i stilon vazhdimisht veshjet e çuditshme dhe të mrekullueshme që ajo mban nëpër evenimentet e rëndësishme ku merr pjesë.
Marre nga : Gazeta Shqip











