Votimet e 21 qershorit u quajtën historike, për shkak se qytetarët shqiptarë votuan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale. Rezultatet rikonfirmojnë edhe një herë për pushtetin e së majtës, ndërsa në Tiranë udhëheq Veliaj. Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës është drejt një rekordi të ri.
Rezultatet e deritanishme nxjerrin fitues me një diferencë të thellë koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, ku 47.49 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote iu janë drejtuar dje kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në 61 bashki.
08:48 – 37 kuti pa numëruar, mbi 41,000 vota më shumë për Veliajn
Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj është drejt një rekordi të ri. 37 kuti e ndajnë shpalljen e rezultatit të votimeve për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që diferenca mes dy kandidatëve është 41,633 vota për Erion Veliajn.
Në numërimin e 827 kutive të votimit, nga 864 gjithsej, kandidati i majtë, Erion Veliaj, ka siguruar 152483 vota (53.59 %), kundrejt kandidatit të tij të djathtë, Halim Kosova, i cili ka marrë 110850 vota (38.96 %).
Në vend të tretë renditet kandidati i pavarur për Tiranën, Gjergj Bojaxhiu, me 15283 vota (5.37 %), për të vijuar me Sazan Guri me 3166 vota (1.11 %), Arben Tafaj me 1872 vota (0.66 %) dhe Dhimitër Muslia me 871 vota (0.31 %).
02:50 - Edhe në Tiranë procesi i numërimit të votave po shkon drejt përfundimit, me kandidatin e ASHE-së Erjon Veliaj që po thellon diferencën e votave me rivalin e tij Halim Kosova.
Nga 864 kuti, deri më tani janë numëruar 801 të tilla, ndërsa për t’u numëruar janë ende 63 kuti të tjera.
Deri në këto momente Veliaj udhëheq me një diferencë prej 39.169 vota kundrejt Kosovës.
Rezultati:
Erjon Veliaj (ASHE) – 147.153 vota ose 53.43%
Halim Kosova (APPD) 107.984 vota ose 39.21%
Gjergj Bojaxhi – 14.512 vota
Sazan Guri – 3059
Arben Tafaj 1832 vota
Dhimitër Muslia 825 vota