Dita kur Papa Françesku ka vendosur të vizitojë Shqipërinë, është një ditë e shënuar dhe domethënëse edhe për vetë Papën ashtu si për të gjithë shqiptarët. Koordinatori i vizitës së Papa Françeskut, Albert Nikolla, në një konferencë të Kishës Katolike deklaroi se më 21 shtator të vitit 1953, Papa Françesku i cili ishte vetëm 17 vjeç, iu dorëzua Zotit. Zgjedhja e datës së vizitës nga kreu i Vatikanit, duket se ka shtuar edhe një aspekt simbolik që rrit rëndësinë e kësaj vizite që do të zhvillohet të dielën e ardhshme më 21 shtator. Udhëtimi apostolik i Papa Françeskut në Shqipëri do të zgjasë 12 orë.
Sipas agjendës se publikuar nga krerët e Kishës Katolike, Ati i Shenjtë shkel tokën shqiptare në aeroportin e Rinasit në orën 9:00 të mëngjesit të 21 shtatorit. Për mbërritjen e Papa Franceskut do të organizohet në aeroportin “Nëne Tereza” një pritje zyrtare nga kryeministri Edi Rama, dhe më pas Ati i Shenjtë do të niset drejt Tiranës me eskortën e tij. Për të përgatitur këtë vizitë të rëndësishme, qeveria shqiptare ka marrë masa të shumta, ndër të cilat vlen të theksohet restaurimi i sheshit “Nënë Tereza”, i aeroportit “Nënë Tereza” dhe rrugëve ku do të kalojë Papa.