1913 Viti i pare i ekzistences se shtetit te pavarur shqiptar

1913 Viti i pare i ekzistences se shtetit te pavarur shqiptar

Nuk ka diskutim që Vendimi i datës 29 korrik 1913, megjithë kufizimet, pati një rëndësi të veçantë për fatet e pavarësisë shqiptare. Atë nuk e gëzuan më se gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare. Me vendimet që u morën për kufijtë e shtetit shqiptar këta mbeten nen sundimin e katër shteteve fqinje. Vendimi i 29 korrikut nuk ka pse ngatërrohet me vendimet dhe protokollet për caktimin e kufijve të shtetit shqiptar

Shteti shqiptar ka hyrë në 100-vjetorin e vitit të parë të ekzistencës së tij. Referimi te veprimtaritë e atij viti dhe viteve pasues i shërbejnë pasurimit të përvojës historike te popullit tonë. Kjo kërkon trajtimin shkencor të traditave tona shtetërore në të gjitha fushat: politike, administrative, juridike, financiare e diplomatike, letrare, shkencore, artistike etj.


Bie në sy që objekt përkujtimesh bëhet, natyrshëm, Konferenca e Londrës. Është fjala për një forum të diplomacisë evropiane, i cili edhe pse në rang ambasadorësh, për të parën herë u mor me trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare.


Në Londër u morën vendime jetike për fatet e shqiptarëve pasojat e të cilëve i përjetojmë dhe sot e kësaj dite, qoftë për mire qoftë për keq, E theksoj, se Konferenca duhet kujtuar, në fund të fundit, edhe për mirë dhe jo vetëm për të keq. Sepse, pikërisht më 29 korrik 1913 datë nga e cila merret shkas për t’iu referuar Konferencës së Ambasadorëve të  Londrës, pjesëmarrësit e saj ndryshuan vendimin e 17 dhjetorit 1912. Para afro shtatë muajsh, duke injoruar vendimin e Kuvendit të Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, ata njohën vetëm autonominë Shqipërisë sërishmi nën sundimin e sulltanit.


Më 29 korrik 1913 përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të Evropës me vendim të posaçëm   njohën Shqipërinë të pavarur, asnjanëse dhe nën kontrollin e tyre kolektiv. Kontrollin do ta ushtronte një Komision Ndërkombëtar për dhjetë vjet. Në krye të shtetit të porsa njohur do të vihej një princ i huaj.


Nuk ka diskutim që Vendimi i datës 29 korrik 1913, megjithë kufizimet, pati një rëndësi të veçantë për fatet e pavarësisë shqiptare. Atë nuk e gëzuan më se gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare. Me vendimet që u morën për kufijtë e shtetit shqiptar këta mbeten nen sundimin e katër shteteve fqinje. Vendimi i 29 korrikut nuk ka pse ngatërrohet me vendimet dhe protokollet për caktimin e kufijve të shtetit shqiptar.


Kemi të bëjmë me një kompromis të Fuqive të Mëdha në një kohë kur ata po përgatiteshin në mënyrë të ethshme për luftën botërore. Ky kompromis më së shumti u ndje në pazarllëqet lidhur me kufijtë. Edhe pse Shqipëria u copëtua rëndë, fqinjët, në fund të fundit,  nuk arritën ta zhbënin.


Shqiptarët përgjithësisht e kanë vlerësuar drejt këtë date. Porse, nuk kanë munguar edhe nga ata të cilët e kanë mbiçmuar, duke e propozuar si datën e themelimit të shtetit shqiptar.
Vlerësimi që i ka bërë kësaj date historiografia jonë e kaluar mbetet, përgjithësisht, realist. Njohja e pavarësisë së Shqipërisë nuk qe dhuratë e Evropës. Ajo qe, në se mund të shprehemi kështu, dhuratë e “Shën Adriatikut”. Fjala ishte për një popull evropian të ngritur mbi dallimet fetare edhe pse në shumicë mysliman.


Në shkrimet kushtuar Konferencës së Londrës këto ditë vërehet një trajtim kinse i aktualizuar, i politizuar në një sens të gabuar. Bie në sy një shkrim në të cilin, shkruhet për Konferencën, në mënyrën më paradoksale duke përzierë keqas dhe ne mënyrë të papranueshme historinë e shqiptarëve me aktualitetin e saj, duke i bërë dëm dhe vetë çështjes kombëtare:


“Kur mora vesh se ish-kryeministri anglez Toni Bler do të jetë këshilltari personal i Edi Ramës në cilësinë e kryeministrit të ardhshëm, shkruhet në gazetën “Metropol”, përnjëherë vetiu më erdhi në mendje fakti se pikërisht në këtë muaj 100 vjet më parë u vendosën fatet e kombit shqiptar që të ndahej në 6 pjesë. A do të bëjë një gjest të tillë, pra të kërkojë të falur ky përfaqësues i shtetit anglez, që ka qenë kryeministër për disa mandate? Ende nuk di gjë, por për hir të së vërtetës po bëj me dije faktin se, nëse një gjerman i thjeshtë vjen një ditë të bukur pas 70 vjetësh që t’u kërkojë falje një fshati dhe në tërësi shqiptarëve për një vrasje me 100 viktima, (është fjala për viktimat e Borovës-g.sh.) Konferenca e Londrës kreu një krim shekullor dhe vrau një komb të tërë për 100 vjet.”


Pra, në ditët tona i kërkohet Toni Blerit t’u kërkojë falje shqiptarëve. Madje atij i ngarkohet të mbajë përsipër dhe “gjynahet” e burrave të sotshëm të Gjermanisë, Francës, Austrisë (përfshijë dhe Hungarinë), Rusisë dhe Italisë për vendimet 100-vjeçare të paraardhësve të tyre. Një “partishmëri” e tillë e mprehur në zjarrminë e fushatës zgjedhore nuk merr parasysh fare se çfarë përfaqëson Toni Bleri për shqiptarët e veçanërisht për Kosovën. Ai është nga ata burra shteti që i ka kërkuar ndjesë me vepra mbarë popullit shqiptar.


 Sigurisht që edhe ngjarjet e vitit 1913 kanë nevojë të studiohen në dritën e dokumentacionit të ri dhe interpretimit të tij në përqasje me arritjet e deritashme. Kjo është rruga më e sigurt për të arritur në përfundime shkencore në trajtimin edhe të këtyre ngjarjeve. Porse vihet re se po i jepet shumë përparësi kujtimeve pa i ballafaquar me të dhënat dokumentare, duke hyrë në hollësi dhe kuriozitete që nuk ndihmojnë për sqarimin e ngjarjeve dhe të profileve të personaliteteve të kohës.


Një problem që meriton të sqarohet për shkak të një aktualizimi shpërfytyrues është lindja e të ashtuquajturit “dumbabizëm”. Ndryshe nga sa paraqitet nuk kemi të bëjmë me një dukuri me bazë krahinore dhe aq më pak fetare. Përfaqësuesit e tij u bënë ithtarë të kërkesës për një princ mysliman. Ata më të avancuarit  dhe që nuk donin të kuptonin pasojat e luftrave ballkanike dhe vendimet e Konferencës së Londrës shkuan dhe më tej dhe kërkuan dhe ribashkimin e Shqipërisë me Turqinë. Rebelizmi esadist dhe ai vorioepirot iu kundërvu qeverisë së Isamil Qemalit. Përkrah Esadit  u rreshtuan dhe mjaft atdhetarë të angazhuar deri më atëherë në Lëvizjen antiosmane, midis tyre shquan Faik Konica. Fillimisht ithtarë të një princi mysliman u treguan dhe priftërinjtë katolikë. Përballë kandidaturës së një princi ortodoks apo protestan ata parapëlqenin princ Fuadin e Egjiptit. Përpjekjet e tyre u fashitën menjëherë nga konti Berhtold, i  cili problemin e shihte, më gjerë, në përputhje me interesa më të rëndësishme, jo vetëm në rrafsh fetar.
 
 
A kanë frikë historianët tanë prej 28 Korrikut 1913?!


Viti i largët 1913 është etiketuar gjithnjë si viti i ndarjes së madhe të shqiptarëve. Dhe, është i tillë, pasi për hir të së vërtetës, duhet të kujtojmë se 29 korriku i këtij viti, është koha kur Shqipërisë iu njoh dhe de jure pavarësia, por e gjymtuar në shifra të frikshme


Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbajtur gati për një periudhë të gjatë në kryeqytetin britanik, e njohu Shqipërinë si shtet të pavarur nën kontrollin e Fuqive të Mëdha, por i bëri një copëtim të tillë vendit, saqë i la brenda kufijve vetëm zonat më pa zhvillim, kryesisht Ultësirën tonë, atëherë një moçalishte e pafundme dhe malet e larta kudo. Të kujtosh deri në atë kohë, popullsia shqiptare jetonte e ndarë në katër vilajete, dy prej të cilave veç e veç ishin më të mëdha se Shqipëria e sotme dhe dy të mbeturat ishin gati sa ajo e sotmja. Respektivisht vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 32.000km2 , ai i Shkodrës mbulonte një hapësirë prej 10.987 km2 , i Manastirit ishte plot 28.500 km2 , kurse i Janinës i fundit shtrihej me 17.900 km2 . Sipas llogaritjeve të burimeve osmane, vërtetohej se popullsia e Shqipërisë në prag të Luftës Ballkanike numëronte afërsisht 3.000.000 banorë shqiptare. Nga këto sipërfaqe iu dhanë Serbisë 34.000 km2 me 1.090.000 banorë, Greqisë 10.794 km2 me 425.000 banorë dhe Malit të Zi 7000 km2 me 260.000 banorë...


Nëse do të shikosh dokumentet në dritën e sotme do të befasohesh realisht nga ndryshimet e mëdha, që pësonte Shqipëria prej aparatçikëve ndërkombëtarë. Lëvizjet e Fuqive të Mëdha në interes të aleatëve më të vegjël ballkanikë ishin gati ditore dhe në çdo moment kishte nga një përpjekje që të mos kishte hatërmbetje të malazezëve, serbëve apo grekëve. Ku këta dy të fundit, madje e kishin marrë vetë në dorë fuqinë e tyre. Serbët duke marrë pjesën më të begatë të shqiptarëve, krahinën e Kosovës, që nuk e lëshuan për dekada me radhë dhe grekët Jugun, që etiketohej si Epiri i Veriut.


Vendimi i 29 Korrikut 1913 ishte një vendim i cili vazhdoi të negociohej në terren për shumë e shumë javë e muaj. Deri më atëherë, pavarësia e Shqipërisë ishte menduar të kishte sovranitetin e sulltanit, por në fund vendi u etiketua si tërësisht i pavarur, me të vetmen klauzolë që do të qeverisej nga një princ i zgjedhur nga vetë Fuqitë e Mëdha! Ashtu si edhe ndodhi në të vërtetë.
Në letërkëmbimet e shumta të sekretarit të jashtëm britanik, shpirtit të kësaj konference, Sir Edward Grey me homologët e tij perëndimorë, por edhe zyrtarët e departamentit të tij, ne mësojmë shumë për sjelljen e Fuqive të Mëdha dhe mendimin e tyre për Shqipërinë. Por, nëse deri më 1990 e kishim shumë të lehtë që t’i quanim të gjithë armiq, sot është e vështirë që Fuqive të Mëdha t’i etiketosh të tilla ose t’u japësh realisht notat e duhura. Arsyeja vetëkuptohet. Shqipëria ua ka shpesh nevojën atyre dhe historia zakonisht përsëritet me të njëjtat fatkeqësi. Si për ironi të fatit, Shqipëria u gjend edhe njëherë në udhëkryq në vitin 1997, kur austriakët negociuan për t’i kthyer Shqipërisë identitetin shtetëror, pas katrahurës që ngjau.


Duke u kthyer në argumentin tonë, të bën shumë përshtypje se prononcimet dhe shikimet e ndryshme prej historianëve tanë për këtë ngjarje nuk ishin shumë të veçanta. Shumë syresh as nuk u prononcuan dhe nuk e dhanë imazhin e duhur se çfarë përbën realisht kjo ngjarje për shqiptarët. Të frikësuar, besojmë prej realitetit për të dhënë imazhin e vërtetë të Fuqive të Mëdha, shumë nga historianët iu druajtën këtij realiteti. Ashtu si edhe politikanët, që nuk lanë gjë pa thënë për Zogun dhe Enver Hoxhën, do e kishin shumë të vështirë për të treguar një realitet të së Drejtës Ndërkombëtare të 100 vjetëve të shkuara. Por, duam apo s’duam ne: viti 1913 përbën një vit të papërsëritshëm, sa i përket mundësisë se ku ne mund të mësojmë për konjukturën që ka lidhje me qëndrimin ndaj Shqipërisë së Fuqive të Mëdha, por edhe shumë të vërteta historike, që do mbizotëronin në jetën politike të vendit. Nuk ia vlen të harrohen lehtë jo vetëm ato që bënë grekët ndaj Jugut, por edhe aktet e padrejta të fqinjëve të tjerë shovinistë sllavë.


Aq e vështirë ka qenë kjo konferencë, sa sot e kësaj dite e kujtojmë si të veçantë, atë çfarë bënë të gjithë personazhet e historisë që do të merreshin me administrimin e Shqipërisë. Madje, edhe vetë fuqitë evropiane e patën shumë të vështirë: Mes tyre, kujtojmë suedezët që u tërhoqën menjëherë nga administrimi për t’ua lënë barrën e administrimit të xhandarmërisë holandezëve. Ministri amerikan në Greqi në atë kohë do ta quante këtë plan “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absolutisht të papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”. Kjo ishte e vërtetë moralisht por jo praktikisht, pasi shqiptarët edhe sot e kësaj dite janë në këto kufij me përpjekje shumë të mëdha për të ruajtur identitetin e tyre. A thua e dinin mirë këtë? Po, por janë disa vende, mes tyre dhe Shqipëria, që duket sikur kurrë nuk do shikohen të mirëseardhura në Evropë!


Në fund, kompromisi i madh evropian për ta ndarë Shqipërinë ishte në mënyrën më të ashpër: duke i lënë në masë vetëm moçale dhe male pa hesap. Kjo nuk duhet të harrohet. Edhe pse me konjukturat e reja, ne jemi pjesë e Aleancës së NATO-s, padrejtësia shekullore ka mbetur e fiksuar thellë në memorie dhe mbi të gjitha vendimet e atyre muajve mbeten thelbi i pavarësisë së vërtetë të Shqipërisë, ajo që nuk ç’bëhet dot edhe sot e kësaj dite. Por, për këtë, shumica e njerëzve të historisë nuk kanë gojë. Jo sepse nuk e dinë, apo se nuk duan të rrëfejnë diçka, por u bëhet më mirë të mos artikulojnë gjëra që t’u djegin përfaqësuesve të vendeve të Mëdha. Interesi s’pyet për atdhe. Kjo të vjen keq dhe hidhur në këto ditë vere të tmerrshme të vitit 2013, ku të gjithë kinse janë me leje...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama