10 vite pa Adin plage qe nuk me la pasardhes

10 vite pa Adin, plage qe nuk me la pasardhes

Ndërsa nis të bisedoj me të, lotët kanë zënë vend në sytë e tij. Kanë kaluar 10 vjet tashmë që nga dita kur i dhanë lajmin e hidhur se diçka kishte ndodhur me djalin e tij, por vitet nuk e kanë fshirë dhimbjen, mungesa është më e fortë se vitet që ikin. Por pavarësisht dhimbjes zoti Alfred Moisiu nis të më rrëfejë për djalin e tij, - këto kujtime më trazojnë shpirtin dhe mendjen, por njëkohësisht më vjen mirë që edhe kam mundësi t’i shpreh, njeriu ka nevojë të shprehet, - pohon ai. Ish-Presidenti në një intervistë për “Shekullin” rrëfen 10 vitet pa djalin e tij, Admirin i cili humbi jetën në një aksident, e ndërsa iu rikthehet me nostalgji dhe momenteve nga jeta me të.

Zoti Moisiu tashmë u bënë 10 vjet që djali juaj është ndarë nga jeta. Si kanë qenë këto vite pa të?

Në radhë të parë unë falënderoj gazetën tuaj që ka mbajtur në evidencë këtë rast tragjik në familjen time. Për vetë faktin se vërtet kanë kaluar 10 vjet, por ajo është për mua një ngjarje shumë e hidhur dhe e rëndë, që kërkoi vërtet një përballim të veçantë nga ana ime për vetë faktin se unë isha në detyrën e Kryetarit të Shtetit. Kisha kaluar një vit e gjysmë në detyrë.

Gjithmonë më duket   sikur Admiri nuk është këtu në Tiranë, por ka shkuar diku për ndonjë punë, me shërbim. Vetëm kur vete në varreza, atje ndesh me realitetin që ai nuk është më në këtë jetë. Sigurisht që ne në familje e kujtojmë në vazhdimësi, është normale për çdo familje, sepse iku dhe në moshë shumë të re, por jeta kështu është, njeriu detyrohet ta përballojë atë ashtu si i vjen, sepse nuk ka fuqi të ndikojë në ndryshimin e rrjedhës së saj. Dikush thotë se këto gjëra janë të caktuara nga Zoti.

E kuptoj këtë shprehje, megjithëse nuk e besoj që të jetë fare kështu, por njerëzit gjejnë një ngushëllim me këtë shprehje. Dhe vërtet thuhen disa gjëra që të bëjnë të besosh se vërtet kështu ka qenë shkruar. Dhe mua kështu më ndodh sigurisht, si gjithë njerëzit e tjerë. Admiri ishte djali im i vetëm. Për fatin e keq në familjen tonë Moisiu, dhe vëllait tim disa vite më parë, i vdiq djali i vetëm. Dhe ai ka një vajzë, unë kam 3 vajza kështu që është direkt një problem që lidhet me trashëgiminë se Admiri nuk më la as një pasardhës dhe e kam plagë. Është peng i madh për mua.

Shkoni shpesh në varreza?

Shkoj, megjithëse vajzat nuk më lënë që të shkoj shpesh. Shkoj sipas rasteve, kur ka ditëlindjen, kur përkujtoj time shoqe, është aty pranë dhe ajo. Sigurisht, kur njeriu shkon në varreza,    shkon për të respektuar kujtimin e atij që është aty, por në të njëjtën kohë ndjen një farë lehtësimi kombinuar dhe me hidhërimin bashkë.

 Do doja të riktheheshim dhe njëherë para 10 vitesh kur ju morët lajmin. Kush ua përcolli atë?

Unë isha në zyrë, duke punuar sigurisht. Ora ka qenë rreth 10:00. Më mori kryeministri Nano dhe më tha që kishte ndodhur një aksident me djalin tim, por dhe ai si duket nuk e kishte informacionin e plotë se më tha që ka ndodhur në Urën e Mifolit, kjo në fakt ka ndodhur në dalje të Tepelenës, sapo kalon burimet e Ujit të Ftohtë. Dhe pastaj më erdhën dhe disa miqtë e mi. Erdhi Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Pandeli Majko. Erdhi në zyrë dhe i ndjeri Sabri Godo dhe disa të tjerë, sepse ende nuk ishte gjetur trupi dhe nuk dihej se çfarë kishte ndodhur.

Megjithëse është e çuditshme, por e ndjeva menjëherë që djali kishte mbaruar, sepse ai ishte dhe notar i mirë, i fuqishëm fizikisht dhe, po të mos kishte ndodhur ndonjë vdekje e menjëhershme, ai do ta kishte përballuar.E çuditshme është, se unë kam qenë disa herë atje (në vendin ku ndodhi aksidenti), është një boshllëk që nuk ka pemë, sepse po të kishte pasur pemë mund të ishte penguar makina. Pikërisht për vendin ku ka ndodhur, sikur e ka çuar njeri me dorë makinën atje. Sigurisht, sa herë kaloj atje, vë një tufë me lule, qoftë unë, qoftë vajzat e mia. Në mënyrë të veçantë Rubena, të cilës i takon të lëvizë më shpesh. Kaq mund të bëjë njeriu, më shumë nuk ka çfarë bën. 

Si kanë qenë marrëdhëniet e Admirit me motrat e tij?

 Lidhjen më të veçantë e mbante me Rubenën, sepse ajo e ndihmonte të ëmën derisa ai u rrit, e kishte si nënë të dytë. Kujdesohej shumë për motrat, por në mënyrë të veçantë për mbesat. Ishte shumë xheloz si natyrë, mund të themi gjysmë fanatiku, gjë që femrat nuk para e pëlqejnë sot. Por motrat e ndjejnë shumë mungesën e tij, dhe mbesat po ashtu. Kishte dhe një zemër shumë të dhimbsur dhe gjithmonë përpiqej që të bënte mirë. Thonë që njeriu që bën mirë ka jetë sa më të gjatë, por nuk qenka kështu. Ai ka qenë zemërmirë, donte të bënte mirë për njerëzit, ishte dhe shumë i sjellshëm në shoqëri. Interesant ishte fakti se kishte lidhje me një grup shokësh që kishin profile të ndryshme të punës, por në mënyrë të veçantë u lidh me ata të muzikës, si me djem dhe me vajza.

 Ishte shumë i shoqërueshëm. Kishte një vesh shumë të mirë për muzikë. Por dinte dhe të imitonte shumë mirë dhe për këtë bënin shaka shoqëria dhe motra e vet, - dukesh që je Moisi- i thoshin. Duke pasur parasysh ngjashmërinë me Aleksandër Moisiun, sigurisht që ishte larg ajo punë. Mbase po të kishte ndjekur atë rrugë mund të kishte dalë një artist i mirë por fati i tij ndodhi që unë në atë kohë kisha probleme në biografi, e çova në shkollën e Mjeshtërisë Sportive duke menduar se vetëm nëpërmjet futbollit mund të bënte vend në jetë.

Keni një peng të mbetur?

Pengu i madh është që unë nuk e kam më, çështja e mbiemrit është derivat, jo se nuk ka rëndësi dhe ajo por sigurisht unë nuk e kam dhe më mungon shumë. 

 Kujtimet

Adi ka pasur një fëmijëri të vështirë për shkak të problemeve shëndetësore. Që në moshën dy vjet e gjysmë është bërë operacion sepse ka pasur një ndërlikim të zorrëve, ileus. Më kujtohet, kishim tre ditë që e kishim shtruar në spital dhe nuk dinim se çfarë po i ndodhte. Erdhi doktoreshë Bafturi Çela, të cilën unë e njihja, dhe më thotë që djali nuk ishte mirë. Po, - i them - por mjekët nuk po thonë gjë. Shkuam dhe morëm në shtëpi doktoreshë Rushenën e cila sapo e pa djalin vendosi ta fuste në sallën e operacionit. E operuan, nga ora dy e gjysmë e natës mbaroi operacioni dhe sigurisht qe një gëzim që shpëtoi por ishte ende shqetësim mirëfunksionimi zorrëve. Të nesërmen e morëm vesh që sistemi i zorrëve kishte funksionuar mirë. Qe një gëzim, më kujtohet im atë që në atë kohë ishte gjallë, ishte shumë i shqetësuar për shëndetin e Admirit. Më kujtohet gjithashtu kur unë në vitin ’82 u shkarkova nga detyra si zëvendësministër dhe u ula në përgjegjësi, më dërguan në Burrel.

Djali në atë kohë ishte në klasën e pestë. Kur ishte kthyer nga shkolla i kishte thënë të ëmës: “Çfarë ka ndodhur se më thonë shokët e klasës që babai yt është armik”. Ajo ia shpjegoi situatën, por kjo ishte shumë e rëndë për një fëmijë. Ambienti i diktaturës ishte shumë i rëndë në atë kohë. Kur mbaroi 8-vjeçaren erdhi koha për ta çuar në shkollën e mesme. Por unë u bëra me cen në biografi dhe e dija se po të   shkonte në shkollën e mesme, nuk do ti dilte e drejta e studimit. Duke parë dhe prirjet që ai kishte për sportin, e çova në shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”. Më pas e regjistrova në Juridik megjithëse me vështirësi sepse kishte mbaruar një shkollë që nuk kishte profil të përgjithshëm. Pasi mbaroi fakultetin filloi të punonte tek Avokati i Populli, më pas në Prokurorinë e Përgjithshme. 3-4 punoi atje deri sa ndodhi aksidenti. Por mbaj mend diçka, ai ishte shumë i ndjeshëm ndaj njerëzve që flisnin keq për mua.

Njëherë jam frikësuar shumë sepse dikush kishte shkruar në gazetë një shkrim që më kritikonte rëndë, siç është lufta politike këtu në vendin tonë. Jo mua, por i kishte thënë të ëmës: - Ku e ka shtëpinë ky? Mu desh të ndërhyja, ta frenoja se djem të rinj. Ka pasur dhe shumë shoqëri. Më kujtohet njëherë që kishte një shenjë në sy, me sa duket ishin zënë. Çfarë ke - i thashë? Nuk kam gjë - tha - jam përplasur. E kuptova që nuk më tha të vërtetën, por nuk e ngacmova më tej. Por shokët e donin pikërisht sepse ishte shumë i hedhur, i gatshëm për të ndihmuar shokët e tij dhe për t’i mbrojtur. Më pëlqenin këto cilësi, sepse njeriu, kur jeton në shoqëri, nuk mund të jetë amorf se ndryshe dhe shoqëria nuk të pranon. Sigurisht në të njëjtën kohë kisha kujdes që mos kalonte caqet e lejuara të shoqërisë, sepse dhe fizikun e kishte goxha, ishte më i gjatë nga unë, rreth 1 e 90. 

Makina doli nga kthesa, ra 100 metra poshtë, në lum 

Aksidenti tragjik që i mori jetën Admir Moisiut ndodhi mëngjesin e 10 marsit 2004, pranë Ujit të Ftohtë të Tepelenës. Rreth orës 09.40, të asaj dite të mërkurë, automjeti fuoristradë tip "Mitsubishi" me targë 387E659, me tre persona në të, doli nga rruga nacionale, Tepelenë- Gjirokastër (20 metra larg fabrikës së ujit "Tepelenë") dhe ra në ujërat e lumit Drino, nga një lartësi prej rreth 100 metrash. “Pashë makinën të ecte me shpejtësi të madhe. Pothuaj me të njëjtin hov u fut në kthesë. Pashë që makina nuk e mori dot kthesën dhe doli nga rruga.

 Gjithçka ndodhi shumë shpejt…", -deklaronte atë ditë njëri prej dëshmitarëve okularë të ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së Admirit, djalit të vetëm të ish- Presidentit Alfred Moisiu. Ai udhëtonte me një automjeti tip "Mitsubish Pajero" me targa të huaja 387E659 në drejtim të Gjirokastrës. Së bashku me Admirin, i cili prej pak muajsh ishte Drejtori i Kontrollit Financiar në Prokurorinë e Përgjithshme, udhëtonte edhe Rrahman Jata, financier, si dhe shoferi Artan Shijaku. Sipas ekspertëve, dy viktimat, djali i Presidentit dhe shoferi që ndodheshin në sediljet e para të makinës, nuk kishin vënë rripat e sigurimit, ndërsa Jata, ishte në sediljen e pasme.

Admiri dhe shoferi mund të jetën goditur disa herë fort pas makinës në momentin që ajo ka dalë nga rruga, duke u përmbysur disa herë. Ajo nuk e kishte xhamin e përparmë dhe dyshohet se dy trupat e humbur, ai i djalit të Moisiut dhe i shoferit, të kenë dalë prej andej dhe t'i ketë marrë uji dhe trupi i Admirit u gjet poshtë rrjedhës pas 5 orësh kërkime. “Di vetëm që jam mbajtur fort pas sediljes para meje, ndërkohë që makina rrokullisej nga një lartësi rreth 100 metra në lum"-do të deklaronte më pas Rrahman Jata, revizori prej 10 vitesh në Prokurorinë e Përgjithshme.

 Ai tregonte se ishin nisur rreth orës 6.30, së bashku me Admir Moisiun me automjetin që drejtohej nga Artan Shijaku, në drejtim të Prokurorisë së Gjirokastrës, për inspektim. “Rruga ishte e lagësht nga shirat që kishin rënë ndërkohë që pashë se automjeti i doli nga kontrolli në kthesën e parë pas godinës së lokalit "Uji i Ftohtë" ata janë rrokullisur për në lum. Nuk kam parë asgjë tjetër pasi isha mbrapa, ndërkohë që për pak sekonda ndjeva ujin të vinte deri në brez. Më kanë nxjerrë brenda 3 minutash ndërkohë që u desh kohë që të kuptoja ç'kishte ndodhur”-tregonte Jata.  

“Doja të ishte ushtarak, por shkarkimi im i la mbresa jo të mira”

Të pasurit një baba ushtarak krijonte një vështirësi në komunikimin mes jush, kam parasysh këtu se figura e ushtarakut është gjithmonë serioze madje dhe për familjarët?

Është e vërtetë, unë që në moshë shumë te re kam hyrë në udhën e disiplinës ushtarake, por dhe babai im ka qenë ushtarak. Me thënë të drejtën, kam qenë i angazhuar shumë me punë dhe fëmijët nuk më shihnin shpesh, sepse kur vija i gjeja në gjumë, kur ikja i lija në gjumë dhe barra kryesore i binte sime shoqeje. Sigurisht që kjo krijon një farë distance mes babait dhe fëmijëve megjithëse unë mundohesha që kjo distancë mos trashej, por, dashje pa dashje, ajo krijohej.

 Dihet që në familjet tona shqiptare zëri i babait është më i fuqishëm se zëri i nënës, për faktin se nëna është në kontakt të vazhdueshëm. Unë kur dola në pension mundohesha që t’i thoja se ne jemi shokë tani. Ishte i vogël, unë dola në pension në '85, ai ishte 14-15 vjeç, akoma në adoleshencë. I vinte mirë që e trajtoja në këtë mënyrë dhe unë përpiqesha që me të të kisha kontakte të vazhdueshme. Kishte shumë qejf të më prezantonte me shokët, gjatë gjithë kohës, jo vetëm kur isha në Krye të Shtetit se ai një vit e gjysmë jetoi me mua kur isha President. Janë kujtime të paharrueshme për mua, por, siç thashë dhe pak më parë, ne shqiptarët kemi një fjalë “i bie fatkeqësia drurit e djeg, i bie gurit e shkërmoq, i bie njeriut e duron”.

Ka pasur ndonjë moment kur ka shprehur dëshirën për të ndjekur tjetër profesion?  

Në fakt unë e pata dërguar në vitin '93 për të ndjekur shkollën ushtarake në Modena. Por djem të rinj, shkoi me dëshirë, mirëpo kishte një shoqe të tij këtu, komunikonte me të dhe nuk rezistoi të rrinte larg. (Buzëqesh). U rikthye në Shqipëri, devijoi nga tradita familjare. Por ajo është një moshë që shpesh njeriu e ka të vështirë të marrë drejtimin, prindi mundohet ti japë një rrugë por nganjëherë fëmija nuk e pëlqen. Unë për shembull kam ndjekur rrugën ushtarake, e kam kërkuar vetë ndërsa ai me sa duket ishte i pezmatuar shumë dhe nga ngjarja që ndodhi me mua kur unë isha në ushtri, nga zëvendësministër u dërgova komandat kompanie në Burrel.

 Si duket ajo la tek ai mbresa jo të mira për të qenë ushtarak. Vërtet mund të arrish diku, por pa pritur e pa kujtuar degdisesh në një hiç. Sigurisht unë desha t'ia jap këtë rrugë, por nuk ndodhi. Këto kujtime më trazojnë shpirtin dhe mendjen, por njëkohësisht më vjen mirë që edhe kam mundësi që t’i shpreh, njeriu ka nevojë të shprehet. Më kujtohet që kur po e përcillnim në varrezat e Sharrës njerëzit kishin dalë rrugës, kjo nuk ishte e organizuar dhe unë i falënderova me shpirt nëpërmjet medias banorët e Tiranës për pjesëmarrjen në hidhërim e familjes sonë. Dhe me këtë rast do ta falënderoj dhe njëherë popullin e Tiranës për atë që shfaqi. Shumë njerëz të thjeshtë, qytetarë të zakonshëm morën pjesë në hidhërimin e familjes sime. Mënyra se si njerëzit ishin rreshtuar rrugës për ta përcjellë, e vlerësova unë dhe familja ime.   


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama