10 arsyet per te mos emigruar

10 arsyet per te mos emigruar

Organizata Joqeveritare për Integrime Evropiane- Change, ka hapur sot kampanjën “10 arsye për të mos emigruar”, që ka të bëj me vetëdijesimin e qytetarëve për migrimin ilegal dhe rreziqeve të tij.

Qëllimi i kësaj kompanie sensibilizuese ishte që t’i informojnë qytetarët cilat janë arsyet pse ata duhet të rrinë në Kosovë e jo të ikin në vende të huaja.

Blerina Krasniqi, kryetare e kësaj organizate, tha se përmes kësaj fushate ne po ju tregojmë qytetarëve që ka shumë arsye që të qëndrojnë këtu. Dhe po ashtu sipas saj, nëse rinia largohet atëherë ky vend do të mbetet i pashpresë.

“Ne e kuptojmë shumë mirë gjendjen e qytetarëve tanë edhe ne jemi qytetarë të këtij vendi, edhe ne po përballemi çdo ditë me ato sfida, por prapë duhet të gjejmë një arsye për të qëndruar në vend…

Qëllimi jonë është që të bashkëbisedojmë me qytetarët dhe këto arsye të bien në duart e qytetarëve dhe të reflektojnë e të mendojnë pak më gjatë se çfarë i pret ata kur të migrojnë”, tha Krasniqi.

Po ashtu, kjo organizatë po mundohet t’iu tregojë qytetarëve që edhe shtetet e Evropës janë në një gjendje të rëndë ekonomike.

“E dimë se vendi jonë gjendet në një krizë shumë të rëndë financiare, mirëpo edhe vendet në të cilat ata po migrojnë, janë në krizë shumë të rëndë dhe nuk e di sa kanë mundësi t’i ndihmojnë qytetarët tonë.

Vendet e BE-së, po ashtu vendet që nuk janë anëtare e BE-së e kanë ndihmuar shumë vendin tonë kur kemi qenë në krizën më të madhe, kur kemi qenë në luftë, kur kemi qenë në kushtet më të vështira financiare na kanë ndihmuar, mirëpo nuk mund të na ndihmojnë të ikim nga vetvetja”, tha ajo.

Ajo tha se e vetmja mundësi që të përmirësohet ndonjë gjë, është që qytetarët të mos ikin, por të qëndrojnë këtu për të luftuar për të drejtat e tyre.

E qytetarët të cilët interesoheshin për këtë fushatë, kanë thënë se për këtë gjendje të mjerueshme që ndodhet vendi ynë, fajtor janë qeveria.

Muhamet Caka, ka shprehur keqardhjen e tij për ikjen masive të qytetarëve në vende të ndryshme të Evropës, duke thënë se edhe 11 anëtarë të familjes së tij tashmë kanë ikur.

Por, ai thotë se jo 10 por janë një mijë arsye pse nuk mundet populli të qëndroj këtu.

“Qeveri e poshtër jo e nderuar, por e poshtër, bëj diçka, hapu punë dhe jepu kushte të paktën le të kanë me ngrënë dhe me pi njerëzit e të mos ikin.

Se është lehtë të dilni në televizione ju me miliona në xhepa dhe nëpër kartela bankare e me thënë mos ikni, e me thënë kriminelët po e bëjnë këtë punë se me parë po i qojnë njerëzit.

Jo me para, por, njerëzit po ikin edhe pa para, njerëzit po flenë dhe po vdesin kufijve për ta gjetur kafshatën e gojës. E ju qeveri e poshtër, qeveri e hajdutëve, ju e keni bërë popullin për të ikur”, tha Caka.

Xhemajl Osmani, thotë se askush nuk duhet të ikë por të qëndrojnë këtu për të luftuar për të drejtën e vet.

“Nuk duhet me ik, ata kanë gabuar, jo me i mbyt fëmijët e vegjël rrugëve, por me ardhë e me vdekë këtu e me duke punuar duke siguruar kafshatën në vendin tuaj, të drejtën e vet që me shekuj e kemi pritur. Jo me ikë,  po hajde këtu nëse është nevoja”, tha Osmani.

E një ligjërues në Kolegjin ISPE, Lirim Zorra, thotë se për këtë gjendje fajtor janë politikanët dhe se nuk po ndërmerr asnjë hap për t’i parandaluar këto ikje.

“Politikanët janë shkaktar për këtë gjendje. Politikanët janë ata që duhet të reflektojnë.

Merr një shtet Evropian, nëse 1 mijë gjerman largohen brenda një dite ose një jave prej Gjermanisë, patjetër që Merkeli mbledh qeverinë e vet.

Dhe kjo tregon që patjetër politikanët janë shkaktarët numër një që po largohen, mirëpo edhe nuk po dëshirojnë që ta zgjidhin këtë çështje”, tha Zorra.

Kjo fushatë sipas organizatorëve të saj, do të vazhdoj për disa ditë, e po ashtu, do të ketë edhe aktivitete të tjera ditëve të ardhshme, me të njëjtën arsye, për ta ndaluar migrimin ilegal.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama