Misteri i avionit MH370 A Dalin llogarite?

 Misteri i avionit MH370: A 'Dalin llogarite'?

Në misterin e avionit që ka “shastisur” botën, një pyetje themelore vazhdon të vërtitet pa u ndalur: A i ka të sakta shifrat Inmarsat? Ishin këto llogaritje që udhëhoqën kërkimin për avionin MH370 larg prej rrugëtimit origjinal të avionit nëpër Azinë Juglindore dhe thellë në jug të Oqeanit Indian, pranë brigjeve perëndimorë të Australisë. Në kërkimin për avionin, asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se sa këto të dhëna.

Unë pata takime ekskluzivë me eksperitë të satelitëve që bënë punën më të madhe në terren. Herë pas here, u bëja të njëjtën pyetje: “A mendoni që e keni të saktë?”

Por përpara se të shkojmë atje… Si dolën në dritë të dhënat që në krye të herës?

Sapo avioni humbi, stacioni në terren në Perth kontrolloi të dhënat dhe zbuloi që, ndërkohë që komunikimi nga avioni ishte ndërprerë sepse aparaturat ishin fikur, avioni dhe satelitët vazhdonin të thonin “hello” drejt njëri-tjetrit, çdo një orë. “Më e pabesueshmja qëndron në faktin që ka patur mesazhe deri gjashtë orë pas zhdukjes”, pranon zëvendës presidenti i Inmarsat, Mark Dickinson. Këta mesazhe janë të dhënat mbi të cilat është ngritur gjithçka tjetër.

Të dhënat

Pasi ishte dhënë alarmi në zyrat qendrore të kompanisë në Londër, inxhinieret nisën të interpretojnë me urgjencë të dhënat e para që kishin. Dickinson shpjegon: “Ne përpunojmë informacionin, na duhet pak kohë për të gjetur distancën nga sateliti… si dhe për të kryer disa matje të frekuencave”. Duke përdorur mospërputhjen e frekuencave satelitore që njihet si Efekti Doppler, ekipi punoi për dhjetë ditë me radhë përpara se të informonin kryeministrin e Malajzisë, Najib Razak, i cili habiti të gjithë botën duke deklaruar se avioni kishte përfunduar në jug të Oqeanit Indian.

Dickinson thotë se kur kuptoi atë që ndoshta kishte ndodhur, reagimi i tij ishte: “Le ta kontrollojmë përsëri, sepse duhet të jemi të sigurtë kur të mbërrijmë në një konkluzion të tillë. Si inxhinierë të mirë ne jemi trainuar të kontrollojmë në mënyrë të vazhdueshme punën tonë”.

Atëherë, përse është i sigurtë Dickinsoni, se ka të drejtë? Sepse modeli që ata krijuan duke marrë leximet e arcs dhe Doppler u testua në mënyrë rigoroze, fillimisht me avionë të tjerë dhe satelitë në të njëjtën kohë, dhe më pas me të dhënat e fluturimeve të mëparshëm të të njëjtit avion. Me pak dallime, si pozicioni edhe leximi i efektit Doppler, u parashikuan me saktësi nga ekspertët.

Organizata të tjera krijuan modelet e tyre, bënë krahasimet dhe mbërritën në të njëjtët konkluzione. Eshtë thelbesore të kuptojmë: Kjo nuk është një “lodër” vetëm e Inmarsat. “Askush nuk ka nxjerrë një arsye përse diçka që ka funksionuar me avionë të tjerë, nuk duhej të funksiononte me MH370”, më tha Dickinson. “Eshtë e rëndësishme të thuhet se kjo nuk është një punë vetëm e Inmarsat”.

Atëherë përse nuk e kanë gjetur avionin atje ku Inmarsat ka thënë se ka rënë? E thënë thjeshtë, është një oqean i madh, shtrati i tij është shumë i thellë, me lugina dhe kodra në fund. Në fakt, kërkimi vetëm sa ka nisur.

Familjet kanë kërkuar nxjerrjen e këtyre të dhënave të para prej javësh.

Kompania satelitore ka nxjerrë linjat kryesore nga informacioni dhe i ka publikuar bashkë me shpjegime dhe analiza. Ata nuk kanë publikuar faqet kompjuterike të informacioneve të parë bruto, gjë që ka ngritur pyetjen përse jo.

Inmarsat thotë se nuk është lënë jashtë asgjë e rëndësishme, por se ato të dhëna bruto nuk do të ishin të kuptueshme pa shpjegimet. Qëllimi i publikimit është transparenca dhe jo verifikimi.

“Ajo që këto të dhëna ofrojnë është një farë transparence për komunikimin mes avionit dhe stacionit në tokë… Këto të dhëna janë përdorur më vonë në mënyrë të tillë që njerëzit të shohin teknikën. Une shpresoj se kemi ofruar shumë transparencë”, thotë Dickinson.

Atëherë, a do e zbusë krizën publikimi i tyre? Ndoshta jo. Ata duan çdo informacion të mundshëm me qëllim që të rikrijojnë modelin, diçka që është e pamundur pa njohuri të detajuara të modemit të avionit, lëvizjeve të satelitit dhe performancës së Boeingut 777.

Duke qenë se e kam mbuluar këtë lajm që kur humbi avioni, unë e di shumë mirë se çdo gjë varet nga të dhënat e Inmarsat.

A mund të jetë i gabuar Dickinson? Si inxhinier, sigurisht që është i hapur ndaj kësaj mundësie, por ai këmbëngul se të dhënat e tij janë “kontrolluar e kontrolluar dhjetëra herë… për t’u siguruar që janë të sakta. Janë kontrolluar me avionë të tjerë që ndodheshin në zonë në po atë kohë. Janë kontrolluar me fluturime të mëparshëm të këtij avioni. Për momentin nuk ka asnjë arsye për dyshim”.

Dhe ky është thelbi. Inmarsat dhe të tjerët nuk do të thonë asnjëherë që janë të bindur, nuk janë nga ata lloje njerëzish. Sigurisht, është detyrë e ne të tjerëve që jemi trainuar me më pak rigorozitet, që të mendojmë për gabueshmërinë. Inxhinierët e Inmarsat do vazhdojnë t’u besojnë numrave.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama