Programi i Al Gorit dhe Raxhendra Paçorit në Oslo është mjaft i ngjeshur: takime me qeverinë norvegjeze, me përfaqësues të organizatës për mbrojtjen e ambjentit Greenpeace si dhe me median ndërkombëtare.
"Ne kemi të bëjmë me një gjendje alarmante në të gjithë planetin. Duhet të limitojmë në të gjithë botën çlirimin e gazrave të dioksidit të karbonit dhe brenda kuadrit ligjor të secilit vend duhet të vihen tatime mbi dioksidin e karbonit." - tha Al Gore. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës që të marrin pjesë në përpjekjet për mbrojtjen e klimës.
Raxhendra Paçori (Rajendra Pachauri), që u nderua me këtë çmim si kryetar i këshillit botëror për klimën, tërheq vëmendjen se lufta kundër transformimit klimatik është një garë me kohën. "Bali nuk do të sjellë asnjë rezultat, por ne të paktën presim që të hartohet një plan kohor për arritjen e marrëveshjes." - theksoi Paçori.
Gore dhe Paçori duan të ushtrojnë më shumë presion ndaj vendimmarrësve. Pas Oslos ata do të shkojnë në Bali për të ndjekur gjysmën e dytë të punimeve të konferencës botërore për klimën. Shpresat ndaj kësaj konference u zbehën qysh të djelën, kur ministrat e tregtisë nuk arritën të bien dakord për të hequr barrierat për t'u hapur rrugën teknologjive që ruajnë mjedisin.
Alexander Rosenberg : DwWorld.de











