Fol Dritan, tregoi shokët!

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Kikia
Fol Dritan, tregoi shokët!

Ta dish që e ke gruan të përdalë, natyrisht që është e rëndë. Por ta shikosh me sytë e tu kurvërinë, kjo është shumë më e rëndë. Në një farë mënyre këtë përjetuam të gjithë, ndërsa pamë me sytë tanë një ministër dhe zëvendëskryeministrin që, ulur në kolltukun e qeverisë, diskutonin, ose më saktë bënin pazare, se kujt i duhen dhënë licencat dhe tenderët dhe si duhen ndarë paratë. Në fakt ne e dinim edhe më parë, madje qëkurse në fjalorin e gjuhës shqipe u fut fjala “tender”, se pas çdo konkurrimi kishte një vjedhje, pas çdo tenderi ka një gjobë, pas çdo emërimi nuk vjen profesionalizimi, por partizanizmi politik. Me pak apo shumë fakte, ne e dimë se pasuritë kombëtare të shqiptarëve janë shitur si ka dashur Kryeministri apo ministri përkatës.

Po ashtu, ne e dimë se çdo ministër, ish-ministër, deputet, ish-deputet, zyrtar çfarëdo e madje edhe gazetar lapangjoz i politikës, kanë sot shtëpi e vila në zona turistike, edhe pse nga babai trashëguan vetëm mbiemrin dhe në bordero firmosin vetëm një pagë. Pra, ne i dimë të gjitha këto. Por shija ishte e hidhur, helm kur ne pamë me sytë tanë se si burrat e shtetit sillen me pasurinë tonë sikur të jenë në tregun e gjësë së gjallë, kur flasin për mijëra e qindra mijëra euro sikur të flisnin kokrra patatesh.

Në këtë rast të paprecedent ne kemi dy personazhe dhe një histori: i denoncuari, denoncuesi dhe arsyet e denoncimit.

I denoncuari, zëvendëskryeministri që u shfaq me bllok në dorë si tregtar bulmeti, pasi tha fillimisht se videoja është montazh, të nesërmen iu dorëzua të vërtetës së përgjimit, ngriti duart lart dhe tha se tani është prokuroria që duhet të vendosë. Në fakt çdokush, me njohuritë elementare në fushën e drejtësisë dhe kujtesën e hollë, parashikon se çështja do të mbyllet. Kjo, për faktin se prokuroria asnjëherë nuk ka preferuar të merret me tema të tilla të forta dhe, siç dëshmoi pak ditë më parë, kur vulosi akuzat dramatike mes PD e PS, ky organ dhe e gjithë drejtësia, preferon ta ketë mirë me politikën e aq më shumë me pushtetin. Gjithashtu, çështja mund të mbyllet edhe për faktin se një video e regjistruar ilegalisht dhe pa vendim gjykate, nuk konsiderohet provë nga drejtësia. Dhe Ilir Meta do të jetë kështu i pafajshëm penalisht. Por ai është deri në fyt i fajshëm moralisht e politikisht dhe për këtë arsye, minimalisht ai duhet të japë dorëheqjen sa më parë dhe ta vazhdojë koalicionin me një tjetër pasues në zyrën e tij të ministrit.

Denoncuesi, Dritan Prifti, ministri më i akuzuar që nga koha kur qeverinë e drejtonte Adil Çarçani, tashmë ka kaluar në anën tjetër të llogores. Zor se mund të gjesh të dytë zyrtar të akuzuar publikisht se është pasuruar brenda një viti me 1.8 milionë euro. Po t’i referohesh arkivit opozitar zbulon se deri gjashtë muaj më parë ai ishte shënjestra e të gjitha sulmeve dhe akuzave për korrupsion, deri te më të padëgjuarat për përfitimin e 4 milionë eurove për 3 ditë.

Ndërsa thashethemet e salloneve të politikës (të paregjistruara as video e as audio) flasin për zullume edhe më të mëdha. Megjithatë, tashmë zoti Prifti ka filluar të bashkëpunojë me njerëzit që përgjigjen për të bërë drejtësi dhe të mërkurën ai ishte në prokurori ku rrëfeu çka i kishte kërkuar Meta të bënte në mënyrë të padrejtë. Disa muaj më parë ishte sërish për të denoncuar kontrabandën e karburanteve, ku ai implikon drejtpërdrejtë një nga zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit.

Pyetja që shtrohet tashmë nga të gjithë është se përse u prodhua kjo histori, shokuese në të gjitha drejtimet. Ose më qartë, përse Dritan Prifti e përgjoi Ilir Metën? Përse ai e publikoi dhe iu drejtua prokurorisë gati një vit pasi e kishte realizuar dhe a e përdori ai videon për tjetër gjë para se ta publikonte? Përse ai nuk e bëri këtë gjë kur ishte ende në karrigen e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës por, pasi Meta e shkarkoi?

Në fund të fundit, a e bëri ai këtë gjë për të denoncuar korrupsionin apo për të tjera arsye? Kronologjia e ngjarjeve dhe vetë reputacioni publik i Dritan Priftit na thonë se akuzat e tij nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë dhe po ashtu, përpjekjet dhe gatishmëria e tij për të dëshmuar nuk kanë të bëjnë fare me të bërit drejtësi. Ato janë thjesht armë që ai tani po i përdor kundër Ilir Metës, i cili e dëboi nga qeveria, sepse nuk po “rakordonin” për tenderët. Me pak fjalë ata të dy nuk po merreshin vesh për ndarjen e aferave. I theksuam këto, pasi askush prej nesh, ndërsa shikon Dritan Priftin me kaseta në duar para prokurorisë, të mos mendojë se ka përpara një engjëll që lufton dhe rrezikon jetën e tij e të familjes për të bërë drejtësi në këtë vend. Jo, ai është thjesht një matrapaz që sot po tregon shokët, në emër të hakmarrjes për prishjen e pazareve. Dhe këtë opozita nuk duhet ta harrojë, por ta hapë dhe rilexojë herë pas here arkivin e saj, nëse Prifti do të kërkojë strehim politik në selinë rozë.

Megjithatë drejtësia duhet ta shfrytëzojë “pendesën” apo hakmarrjen e Priftit, pasi një njeri që di dhe ka vendosur të flasë, është një resurs shumë i çmuar për të. Gjithashtu, kjo luftë e paprecedentë brenda llojit po na jep mundësinë ne të tjerëve të shikojmë e dëgjojmë me sytë tanë monstruozitetet që bëhen në kupolën e politikës dhe pushtetit në Shqipëri. Në fund të fundit, në mungesë të drejtësisë penale, zyrtarët e korruptuar kanë filluar t’ia bëjnë vetë gjyqin njëri-tjetrit, pavarësisht arsyeve. Dhe kjo është pozitive, gjithsesi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama