Alarmi i gjykatës: Krimi na sfidoi

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 9 vite më parë

Mentor Kikia
Alarmi i gjykatës: Krimi na sfidoi

Gjykata e Krimeve të Rënda iu drejtua sërish për ndihmë medias dhe publikut për të kërkuar zgjidhje për gangrenën që ka bllokuar një nga proceset më të rëndësishme sot në duart e drejtësisë, atë të akuzuarve për vrasjen e katër policëve në Durrës. Si kurrë më parë, gjykata deklaron hapur se ndihet e sfiduar, e nëpërkëmbur, e pamundur të bëjë drejtësi dhe e dorëzuar para krimit. Dhe, për këtë arsye kërkon ndihmë publikisht. Përmes një komunikate për shtyp, kjo gjykatë njoftoi të enjten se procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, njeriut që akuzohet se ka vrarë katër agjentë policie, është shtyrë sërish. Dhe janë sërish avokatët ata që e kanë sabotuar gjyqin, ashtu siç kanë bërë për gati tre vjet me radhë. Dhe nuk është vetëm ky gjyq. I tërë sistemi është vënë nën kontrollin e mekanizmit të avokatëve. Skema është shumë e thjeshtë. Avokatët nuk paraqiten në gjyq.

Gjykatësit janë përpjekur t’i zëvendësojnë, duke marrë avokatë kryesisht, por këta ose nuk pranojnë t’u hyjnë në pjesë padronëve të avokatisë, ose kërcënohen dhe tërhiqen në heshtje. Përmes këtij mekanizmi u zvarrit për katër vjet gjyqi i Gërdecit. Përmes kësaj skeme tërhiqen zvarrë dhjetëra procese të rëndësishme në Tiranë dhe rrethe të tjera. Avokatia në këtë vend nuk është një hetim paralel për të siguruar provat e pafajësisë së të pandehurit, por shpesh një punë sekserësh që negociojnë me prokurorin dhe gjykatësin për të shkëmbyer me para vitet e burgut.

 Ata që paguajnë, ne nuk i shikojmë dhe nuk i njohim. Ne shikojmë dhe mësojmë vetëm produktin e tyre, pra njerëzit që janë me një barrë akuzash për krime dhe që përfundojnë ose të lirë ose me aq vite burg si të kishin vjedhur një lopë. Në këto raste nuk bëhet zhurmë, pasi të gjitha palët janë të kënaqura, si krimineli, si gjykatësi, si prokurori, si avokati. Ndërsa në disa procese të mëdha, ku vëmendja e publikut dhe medias është e madhe, paraja nuk konvertohet dot në favore (ç’dreq favori mund t’i bësh një njeriu që ka vrarë katër policë) futet mekanizmi i bllokimit, me shpresën se koha do ta ndryshkë realitetin dhe do të përfitohet nga lehtësira që sistemi ligjor i ofron (siç janë skadimi i afateve të gjykimit). Detyra e avokatit është të mbrojë të pandehurin dhe në këtë kuadër veprimet e tyre mund të klasifikohen si të justifikueshme në çdo rrethanë. E drejtë kjo, por në këtë rast avokatët nuk po bëjnë mbrojtje, ata po shkelin ligjin duke sabotuar dhe deformuar drejtësinë. Dhe këta njerëz nuk përballen me ligjin. Këta njerëz nuk përballen me asnjë masë administrative. Nuk ndëshkohen, nuk u hiqet licenca, nuk gjobiten, nuk përjashtohen, nuk u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit. Këta vazhdojnë ta ndërtojnë karrierën e tyre në kurriz të ligjit dhe drejtësisë. Këta vazhdojnë të shtojnë kreditet e tyre të suksesit matur me dozën e agresivitetit që demonstrojnë në shkatërrimin e proceseve gjyqësore. Dhe sot, soji më i paguar dhe padyshim më i suksesshëm i tyre është ai që ka nxjerrë nga burgu më shumë kriminelë, jo mbi bazën e hetimit, por si sekser dhe sabotues i drejtësisë.

Sot, avokatia është bërë prodhuesja më e madhe e korrupsionit dhe barriera më e madhe e drejtësisë së vërtetë. Pak ditë më parë, gjykatës nga shumë vende të Europës u mblodhën në Tiranë dhe shumë prej tyre u shprehën të alarmuar mbi atë që ndodh me zvarritjen e gjyqeve në Shqipëri dhe rolin e avokatëve në këtë sabotim. Nuk duam të anatemojmë të gjithë avokatët, pasi ka mes tyre njerëz që punojnë dhe besojnë te ligji. Sikundër nuk duam të anatemojmë të tërë njerëzit e drejtësisë si të korruptuar. Vetë alarmi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda është një klithmë për drejtësi dhe dëshmi se njerëzit që e duan ligjin janë ende në këmbë. Por kjo klithmë është sot një sinjal shumë i rëndë dhe për fat të keq shumë i dëshpëruar. Pasi u është drejtuar disa herë me radhë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe “Dhomës Kombëtare” të Drejtësisë (Ministrisë së Drejtësisë), Gjykata e Krimeve të Rënda i është drejtuar për të katërtën herë medias dhe publikut, me shpresën se do të marrë vëmendjen e saj për të prodhuar tinguj për daullen e shurdhër të Ministrisë së Drejtësisë, Shoqatës së avokatëve, Parlamentit, partive politike dhe dreqit bashkë me to. Por shteti dhe politika kanë të tjera halle sot dhe klithma e gjykatës që nuk bën dot gjyqin, nuk do të marrë asnjë vëmendje. Kur katër policë mbetën të vrarë në krye të detyrës, qokaxhinjtë e shtetit dhe politikës shkuan me radhë të qaraviten para arkivoleve të tyre, duke ngushëlluar vejushat me të zeza dhe duke premtuar hakmarrje të ligjit. Që nga kryetari i KLD-së, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, kryetari i opozitës, kryetarët e partive dhe deputetë u vunë në radhë të fshinin lotët para kamerave.

Ata do ta bëjnë sërish këtë, nëse ndonjë polic tjetër do të humbë jetën në detyrë. Por ata nuk do të hipin majë podiumit dhe të bërtasin për drejtësinë që nuk bëhet, për drejtësinë që përdhoset nga matrapazët dhe sharlatanët. Dhe ta dimë të gjithë se drejtësia që nuk bëhet, është edhe më e rëndë se krimi që vret. Dhjetëra konferenca bëhen çdo muaj hoteleve të Tiranës, ku kryefjala është korrupsioni në drejtësi. Dhjetëra deklarata bëhen nga ambasadorët në Tiranë dhe zyrtarët e huaj, sërish për korrupsionin në drejtësi. Drejtësia është një nga 12 kriteret e integrimit në BE. Raporti i publikuar të enjten i “Amnesty International”, sërish kishte në krye të shqetësimeve korrupsionin në drejtësi dhe shkallën skandaloze të besimit të shoqërisë tek ajo. Po ja ku e kanë të gjithë drejtësinë që nuk bëhet, nuk ka nevojë për seminare dhe monitorime. OJQ antikorrupsion, ambasadorë, donatorë, zyrtarë të jashtëm dhe të vendit, ngrijeni zërin për këtë skandal. Ne e dimë se përse nuk bëhet drejtësia në Shqipëri. Sepse ata që janë në majën e shtetit nuk duan që ajo të bëhet, sepse kështu është mirë edhe për ta. Sepse kështu është mirë për të gjithë ata që vjedhin e vrasin. Gjykata e Krimeve të Rënda, në dëshpërim të thellë, thekson se avokatët e të akuzuarve për vrasjen e katër policëve, me zvarritjen e qëllimshme të procesit po e sfidojnë hapur shtetin dhe drejtësinë.

Është hera e parë që një gjykatë, tek e cila ne presim drejtësinë, të shfaqet në këto kushte dëshpëruese. Çështja është a do të mbetet drejtësia pronë e hajdutëve dhe matrapazëve, me dhe pa pushtet? A duhet ta lëmë ne të tjerët që, ata që kanë pushtetin politik dhe pushtetin e krimit, ta hipotekojnë drejtësinë? Unë them jo! Ndaj bëj apel që gjithkush ndër gazetarë me mendje të kthjellët të marrë penën e të shkruajë. Pushteti i tretë po i kërkon ndihmë pushtetit të katërt, le ta mbështesim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama