Shumë arsye për të mos qenë krenar që jam shqiptar

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 9 vite më parë

Mentor Kikia
Shumë arsye për të mos qenë krenar që jam shqiptar

Sa herë dëgjoj thirrjen e tifozëve kuqezi “O sa mir me qenë shqiptar”, bëj një pyetje: Po çfarë të bën të jesh mirë që je shqiptar? Nga se buron kjo krenari që të ndjehesh mirë, thjesht që je nënshtetas i këtij vendi? Me çfarë duhet të krenohesh? Madje në ditën e festës së pavarësisë, 99 vjetori, kjo thënie u bë himn duke marrë përmasat e një dalldie mes grupeve njerëzish që bërtisnin rrugëve me flamur mbi supe.

Në të vërtetë, përse duhet të jesh krenar që je shqiptar, ose në fund të fundit a duhet të jesh krenar për një gjë të tillë?

Në fakt, për 50 vjet ne ishim krenarë që ishim shqiptar, pa e ditur as ku ishim, ishim krenarë se ishim pishtarë, flakadanë, fanarë, shkëmb graniti a çdreqin tjetër. Por në fund mësuam se ishim njerëzit më të përbuzur të Europës, ishim më të varfërit, më të uriturit, më të paditurit e më të padalët, ishim kaq të mjerë sa na erdhi zor nga vehtja. Për ata që kanë mendim ndryshe dua tu kujtoj se deri në vitin 93-’95, në bufetë modeste të “dhomës së miqve” të shumë familjeve kanaçet e pijes Coca-Cola mbaheshin për zbukurime. Po sot, a duhet të jemi krenarë? Pyetja e parë që bëj është përse duhet të jemi krenarë?

Jemi sërish njerëzit më të varfër të Europës. Jemi sërish vendi më i pisët i Europës, jemi sërish më të përbuzurit dhe më të nëpërkëmburit dhe reflektojmë  mungesë edukate dhe qytetarie. Që ta kuptosh këtë dhe ta përjetosh dhe ndiesh deri në palcë, duhet të mbash ditar dhe të krahasosh impaktin që përjeton ndërsa udhëton apo jeton në një vend tjetër për një fare kohe dhe pastaj të rikthehesh sërish në vendin tënd. Dhe ato gjëra për të cilat ndjen neveri nga vendi yt, ose më saktë nga njerëzit e vendit tënd, nuk lidhen domodoshmërisht me tenderin e Albpetrolit, as me tenderin e lotarisë kombëtare, apo shitjen e reparteve ushtarake. Jo jo, janë ca gjëra shumë më të vogla, por që në thelb përbëjnë rregullin, disiplinën dhe korrektesen e një shteti dhe mbi të gjitha edukatën dhe qytetarinë e shtetasve. Dhe nuk ka pse të krahasohemi me vendet ku ka lindur demokracia bashkë me qytetarizmin, as me vende me standarte jetese 10 apo 20 herë më të larta, por me vende që në viti 1990 e nisën nga i njëti start me ne.

Për të marrë rrugën përgjatë bregdetit dalmat duhet të kalosh në Muriqan. Pikërisht këtu duhet të ndahesh me një nga segmentet e shtetit tënd. Ti mban radhën, ndërsa në anë tjetër kalojnë pa radhë makina që ose i njohin policët ose u japin atyre nga 5 mijë lekë të vjetra. Nuk ka viza të bardha që të tregojnë korsitë, nuk ka asnjë shenjë, makinat sulen kuturru drejt të vetmes portë, jo në rresht për një, por për katër. Dhe në fund, një polic i zbërthyer e ndan mendjen duke thënë: Bëni çtë doni, do merrem me ju unë. E pyesim se përse nuk ka dy viza, që të dinë ku të mbajnë radhë makinat?

“Po kush ti vëjë, të vdekmit ë?

E pra a duhet të jesh i lumtur që je shqiptar?

Matanë rrugët të gjitha janë të pastruara në anë, janë prerë barishtet dhe degët e shkurreve e pemëve. Rrugës të gjithë i respektojnë tabelat e qarkullimit, edhe pse nuk ka policë. Askush nuk u bie borisë së makinës. Edhe nëse rruga është e bllokuar, ai që është pas teje mendon se ti ke një arsye që ke ndaluar dhe gjëja që bën, është të ndalojë edhe ai. Nëse në rrugë punohet, atëherë aty ka një semafor portativ që të orienton. Këmbësorët kalojnë tek vijat e bardha dhe çdo makinë i respekton ato. Në lokale muzika është e lehtë. Lokalet dhe dyqanet kanë në derë tabela orari dhe e respektojnë. Njerëzit nuk ulërasin as në kafene, as në rrugë, as në plazhe… Nëse ti kërkon të blesh një biletë trageti, nëse do të futesh në një muze, të blesh diçka në një supermarket, thjeshtë do të qëndron në radhë dhe do të shikosh që të gjithë mbajnë radhë, ata nuk shtyhen, nuk bërtasin, nuk sulen tek sporteli, nuk i flasin shitësit meqë mund ta njohin…. Nëse ti ulesh në një stol dhe ke një kosh mbeturinash afër,(edhe ai është dekorativ por kjo nuk ka shumë rëndësi) do të shikosh që aty vijnë me radhë pleq, të rritur, fëmijë që hedhin sende, që mund ti kenë mbajtur në dorë edhe për gjysme ore. Shikon pastrues që fshijnë edhe gjethet që kanë rënë në rrugë…ndaj kudo është pastër, shumë pastër.

Nëse do të mundoheshim të bënim një krahasim, ja çdo të kishim në venndin tonë:

Policë pa pikë edukate që korruptohen për 5 mije lekë. Policë pa fund, përgjatë gjithë rrugëve që fshihen poshtë pemëve e pas ferrave, jo me qëllimin për të disiplinuar trafikun por për këpur ndonjë “viktimë” që mund të paguajën para në dorë. Rrugë pa tabela dhe pa asnjë sinjalistike, njerëz që i drejtojnë makinat si të çmendur, edhe aty ku ka tabela. Rrugë pa vija të bardha apo vija të bardha të nxira dhe njerëz që nuk duan t`ia dinë për to as kur janë në këmbë e as kur janë në makinë. Barishte e shkurre në anë të rrugëve dhe punëtorë të mirëmbajtjes së rrugëve që zhgërryhen hijeve të pemëve (aty ku ka). Kudo ka restorante, në të dyja anët e rrugëve, që shesin vetëm mish helli dhe mish zgare. Një mungesë totale edukate shërbimi dhe në çdo lokal, nga maja e malit, në metropolin e Tiranës, në plazhe e kudo, të duket sikur je në disko që në orën 7 të mëngjesit e deri mëngjesin tjetër. Askund nuk ka tabela oraresh dhe policia bashkiake, veçanërisht në Tiranë, duhet të shkojë çdo natë të fikë magnetofonët e mejhaneve të lagjeve që zhurmojnë deri në mëngjes. Restorante në zonat turistike që të ofrojnë për mengjës koc zgare dhe plazhe ku duhet të paguash patjetër që vësh prapanicën në rërë sepse rërës dhe detit u kanë dalë pronarët. Dyqane që kanë kasë fiskale por nuk ta japin kuponin edhe sikur tua kërkosh, dyqane që fshijnë datat e skadencës së ushqimeve dhe të rrezikojnë jetën e që nuk ndëshkohen….dhe kudo plehra, vetëm plehra. Plehra në atë të rrugëve që fluturojnë nga manikat, plehra në lumenj, plehra majë pemëve, e plehra në shtratin e detit…

Do të mund të vazhdonim pafund me përshkrime të realitetit tonë. Të gjitha këto mund të duken “gjera të vogla”, por janë pikërisht këto gjërat e vogla që bëjnë dallimet e mëdha mes një shoqërie të kulturuar dhe një shoqërie rrumpallë, mes një vendi të organizuar dhe një vendi rrumpallë, mes një shteti me rregulla dhe një shteti rrumpallë.

Unë personalisht bëj pjesë tek njerëzit që e duan vendin tyre. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se nuk është vendi, pra toka, malet dhe deti fajtorët që në jemi kështu. Madje jemi ne që i kemi hyrë në hak këtij vendi. Unë e dua vendim tim, por nuk ndjej pikë krenarie që jam nënshtetas shqiptar, madje ndjej neveri që edhe ai polici i zbërthyer e i korruptuar është si unë, shqiptar, që edhe ai që hedh plehrat nga makina, edhe ata që nuk i respektojnë rregullat, edhe ata që shtyhen e ulërasin në radhë, edhe ata që pëllasin në kafene, edhe ata që e kanë shkatërruar e telendisur këtë vend në këtë derexhe, janë shqiptarë.

Unë ndjej neveri nga ata që e kanë patur dhe e kanë në dorë për të vënë rregull dhe për ta ndërtuar shtetin në këtë vend.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama