Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sot pa viza ne Europe, dokumentet ne kufi

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Sot pa viza ne Europe, dokumentet ne kufi

Nga dita e sotme hyn në fuqi vendimi i Bashkimit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë të lirë në vendet Shengen, por duke plotësuar disa kushte. Dokumentet kryesore janë pasaporta biometrike, sigurimi shëndetësor, rezervimi i hotelit, adresa e familjarit ku shkojnë, etj. Gazeta boton listën e shteteve me sasinë e parave që ju duhen për të kaluar kufirin. Nga 20 euro në ditë në Greqi, 45 euro në Itali e deri në 70 euro në Slloveni. Fluks rezervimesh për bileta në agjencitë e udhëtimit

Kështu, pasaporta biometrike, ana financiare dhe sigurimi shëndetësor do të jenë kritere për të kaluar kufirin. Ndërkohë, autoritetet shqiptare kujtojnë edhe një herë qytetarët që në vendet Shengen mund të qëndrojnë 90 ditë në 180 ditë dhe aty nuk mund të punojnë.

Pasaporta Biometrike

Shtetasi shqiptar do të duhet të jetë i pajisur me pasaportë biometrike, e cila ka elementët e kërkuar të sigurisë. Pasaportat e njohura si pasaporta të vjetra, megjithëse janë ende të vlefshme, nuk sigurojnë dot kalimin pa viza në hapësirën Shengen. Këto pasaporta vlejnë për kalim vetëm nëse ke vizë Shengen të vlefshme, në kohën që udhëton.

Qëllimi

Qëllimi i kalimit në zonën Shengen duhet të deklarohet në kufi. Kështu, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa vizë për qëllime turizmi, vizita familjare, vizitë për trajtim mjekësor, pjesëmarrje në aktivitete apo shërbime pune (biznesi) dhe studime apo trajnime afatshkurta. Por kujdes, pasi nuk lejohet të shkelet hapësira Shengen për qëllime punësimi, për kërkim azili, për shkaqe ekonomike dhe as diskriminimi, si dhe për studime afatgjata. Në deklarimin e qëllimit të udhëtimit përpara autoritetit kufitar, shtetasi shqiptar duhet të jetë i kujdesshëm për të dhënë qartësinë dhe korrektësinë e duhur. Kështu, nëse udhëton për qëllime turistike do të duhet të japësh të saktë edhe adresën e hotelit apo restorantit ku ke rezervuar. Në rast se deklaron qëndrim tek të afërmit, duhet të saktësosh adresën e banimit të tij. I afërmi duhet të jetë rezident i rregullt, (jo ilegal apo me dokumentacion fiktiv) apo shtetas i vendit ku udhëton. Personi që udhëton për ekzaminim apo trajtim mjekësor, duhet të ketë një rekomandim mjekësor dhe të dhëna të sakta për institucionin shëndetësorë ku do të trajtohet. Pjesëmarrësit në aktivitete duhet të paraqesin ftesë, apo dokumentacion që vërteton pjesëmarrjen atje. Sipas qëllimit mund të kërkohen edhe mjete financiare, të domosdoshme për të mbuluar qëndrimin në vendin Shengen, por për këtë do të flitet më poshtë.

Vendet Shengen

Janë gjithsej njëzet e shtatë vende dhe konkretisht: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Çeki, Rumani, Sllovaki, Spanjë, Suedi dhe Zvicër. Kujdes, megjithëse shtete anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk janë pjesë e hapësirës Shengen. Për të udhëtuar në këto vende, shtetasit shqiptarë do të duhet të pajisen me viza në zyrat konsullore përkatëse.

Koha e qëndrimit

Jo më shumë se nëntëdhjetë ditë në gjashtë muaj. Brenda gjashtë muajve mund të udhëtosh disa herë në këto vende, por qëndrimi gjithsej nuk duhet të jetë më shumë se nëntëdhjetë ditë në njëqind e tetëdhjetë ditë, të cilat llogariten duke numëruar si datë të parë datën në të cilën ke hyrë në një vend të hapësirës Shengen. Për të vërtetuar qëndrimin brenda kufijve kohorë të nevojshëm, autoriteti kufitar kërkon edhe biletën e kthimit të parablerë.

Siguracioni shëndetësor

Është i nevojshëm për udhëtim në këtë zonë. Ky siguracion duhet të përfshijë udhëtimin dhe qëndrimin dhe mund të kërkohet ose jo në kufi. Por nëse paraqitet nevoja për trajtim mjekësor, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ose ndonjë aksidenti të mundshëm dhe trajtohesh nga sistemi shëndetësor i vendit përkatës pa qenë i siguruar, je përpara rastit ku përbën “barrë publike”, pra përfiton nga një skemë kujdesi për të cilën nuk ke kontribuar. Për këtë mund të gjobitesh deri në tre mijë euro dhe nuk lejohesh të kthehesh më në këtë hapësirë (Shengen) deri në pagimin e kësaj gjobe.

Udhëtimi dhe hyrja për të mitur

Për persona nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, pra nën kufirin e moshës së miturisë, aplikohen të njëjtat rregulla që respektohen gjerësisht në rastin e lëvizjes ndërkufitare të minorenëve, sipas rastit nën shoqërinë e prindërve apo vetëm. Kërkohet gjithashtu kufiri minimal i fondit ditor për përballimin e shpenzimeve të jetesës, si dhe pasaporta biometrike.

Kur udhëton me automjet

Kërkohet leja ndërkombëtare e drejtimit të automjetit dhe kartoni i gjelbër i sigurimit ndërkombëtar të makinave.

Punësimi dhe studimet afatgjata

Nëse brenda periudhës nëntëdhjetë ditore të qëndrimit sipas regjimit të ri të vizave, një shtetasi shqiptarë i paraqitet mundësia për punësim të ligjshëm, ai nuk mund ta ushtrojë atë, pasi kusht i këtij liberalizimi është përjashtimi i punësimit si qëllim udhëtimi. Shtetasi në fjalë, duke siguruar një kontratë pune duhet të kthehet në vendin e tij dhe nëpërmjet zyrës konsullore të kërkojë pajisje me vizë pune, tipi D ose leje qëndrimi, që merret në bazë të kontratës së punës.

Kur refuzohet hyrja në vendin e BE-së

Është kompetencë e autoriteteve kufitare, apo të emigracionit të vendit kufitar të hapësirës Shengen refuzimi i kalimit. Kjo mund të ndodhë për mosplotësim të secilit nga kushtet e sipërshënuara (qartësia e destinacionit dhe qëllimit të udhëtimit, fondi i mjaftueshëm për shpenzime qëndrimi) ose për faktin se personi udhëtar figuron në lista të personave, të cilët përbëjnë kërcënim për rendin dhe shëndetin publik, apo sigurinë e brendshme.

Personat që nuk lejohen

Një shtetas nuk duhet të ketë marrë më parë një masë ndalimi hyrjeje në vend të hapësirës Shengen. Nëse për udhëtarin në fjalë është marrë një vendim nga autoritetet administrative kufitare, apo ato gjyqësore të njërit prej vendeve Shengen (përjashto Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën), vendim për t’i ndaluar hyrjen në atë vend dhe ky informacion është hedhur në sistemet përkatëse, ky person do të prapësohet sapo të mbërrijë në secilin prej vendeve të sipërshënuara. Kodi Shengen parashikon për vendimet si më sipër rastet kur: personi është dënuar për një vepër penale për të cilën parashikohet në minimum një vit burg. Kur personi (udhëtari) ka qenë subjekt i një urdhër largimi me forcë, deportim, kthim apo dëbim, raste që zbatohen kryesisht për qëndrime të paligjshme. Kur ka të dhëna për përfshirje në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta, se ka për qëllim një gjë të tillë. Këto vendime komunikohen zakonisht me shkrim.

Udhëtimi në Shengen
Dokumentet që iu duhen

-    Pasaporta biometrike
-    Sigurimi shëndetësor
-    Rezervimi i hotelit
-    Adresa e familjarit
-    Ftesa nga organizatorët e ceremonive
-    Rekomandimi i mjekut për vizita mjekësore

Mjetet e nevojshme financiare

Greqia- për çdo ditë qëndrimi duhet të keni 20 euro. Minimumi që duhet të keni me vete 100 euro.
Italia- nëse qëndroni nga 1 deri në 5 ditë duhen minimumi 270 euro. Nga 6 deri në 10 ditë duhen 45 euro në ditë për person.
Austria- të ardhurat duhet të jenë në bazë të rasteve.
Belgjika- 38 euro në ditë nëse rrini te familjarët dhe 50 euro në ditë nëse rrini në hotel.
Republika Çeke- nga 0.5 deri në 1.5 të minimumit jetik ditor.
Danimarka- 50 euro për çdo ditë qëndrimi.
Estonia- 38.5 euro për çdo ditë qëndrimi.
Finlanda- 30 euro për çdo ditë qëndrimi.
Franca- 56.2 euro për çdo ditë qëndrimi.
Gjermania- 45 euro për çdo ditë qëndrimi.
Hungaria- Duhet një sasi e caktuar për çdo hyrje.
Letonia- 14 euro për çdo ditë qëndrimi për ata që vizitojnë familjarët dhe 42.3 euro për çdo ditë për ata që rrinë në hotel.
Lituania- 40 euro për çdo ditë qëndrimi.
Luksemburgu- vlerëson fondin minimal sipas rasteve.
Malta- 37 euro për çdo ditë qëndrimi.
Polonia- 26 euro për çdo ditë qëndrimi.
Norvegjia- 62 euro për çdo ditë qëndrimi.
Sllovakia- 115 euro për çdo ditë qëndrimi. Fëmijëve deri në 16 vjeç u duhen 57 euro për çdo ditë qëndrimi.
Sllovenia 70 euro për çdo ditë     qëndrimi, për të miturit 35 euro për çdo ditë qëndrimi.
Spanja- 57 euro për çdo ditë qëndrimi
Suedia- 39 euro për çdo ditë qëndrimi.

Shkelja e rregullave

-    Kalimi i afatit prej 90 ditësh brenda 180 ditësh
-    Punësimi gjatë kësaj periudhe
-    Studimi gjatë kësaj periudhe
-    Bërja problem për sigurinë publike
-    përfshirja në aktivitete kriminale
-    Kërkimi i strehimit, ushqimit apo shërbimeve të tjera jetësore

Masat kur shkelen rregullat

-    Gjobë deri në tre mijë euro
-    Ndalimi i hyrjes në vendet e BE deri në 5 vjet

“Respektoni rregullat për në BE”

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat e vendosura nga BE për heqjen e vizave. “Apeli tashmë është i qartë.  Vërtet kjo është një ditë historike, një ditë shumë e rëndësishme, është gëzimi i një të drejte njerëzore dhe themelore, por ky është dhe një detyrim i të gjithë respektimit të të gjithë rregullave të lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen”, tha Haxhinasto. Sipas tij, “qytetarët së pari duhet të kenë një pasaportë biometrike, të respektojnë kohën e qëndrimit në të gjithë shtetet që i përkasin hapësirës Shengen, përndryshe do të ketë sigurisht penalitete. Penalitetet fillimisht janë individuale,  ku u hiqet e drejta të gjithë shkelësve deri në 5 vjet dhe në qoftë se fenomeni është i përhapur, atëherë mund të  ketë penalitete kolektive, në sensin që mund të kthehet regjimi i mëparshëm i vizave”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama