Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nacionalizëm fragmentar

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Aranita Brahaj
Nacionalizëm fragmentar

Strasburgu, qendër e politikës dhe institucionalizimit europian, është tepër i njohur edhe për shqiptarët. Zyrtarë tanët kanë pasur rastin të jenë të ftuar të institucioneve si Gjykata, Parlamenti apo Këshilli Europian. Krizat politike tip ballkanas janë përplasur, në jo pak raste, në tryeza formale dhe informale të Strasburgut politik. Ndonëse me emërtesë gjermanike, Strasburgu (rrugë kala) është pjesë e hartës së shtetit francez. Të mendosh se Presidenti i nderuar Sarkozi do të devijonte nga politika ambicioze e negocimit paneuropian për të kërkuar konvertim francez të emërtesës, kjo do të ishte butafori.

Një ide si kjo nuk do të guxonte ta lançonte as ndonjëra prej rubrikave gazetareske me humor politik në këto vende. U krijua kjo analogji me Strasburgun duke lexuar mbi disa modelime  të nacionalizmit dhe patriotizmit të realitetit shqiptar të viteve të fundit. Më konkretisht, dhe mbi një vizitë të Presidentit Topi në një nga rrethet kufitare si Korça. Presidenti e shpalli rajonin të infektuar nga toponimet sllave; si model u morën fshatrat Podgorie, Zvezdë e Dobërcan. Në këtë takim me përfaqësues të pushteti lokal, Presidenti aktualizoi këtë “infektim” toponimesh me konfliktin diplomatik për emërtesën Maqedoni. Heqja e toponimeve të huaja është aktualisht moto e Aleancës Kuq e Zi, lëvizje ku aderojnë edhe përfaqësues të disa institucioneve të rëndësishme. Por kur kjo ide ngrihet në nivelin e kreut të shtetit, atëherë mesazhi duhet parë me kujdes.

Konvertimi i emërtesave të vendeve (toponime) me bazë gjuhë të huaja, kryesisht sllave, ka qenë vazhdimisht në vëmendje të lëvizjeve nacionaliste e populiste gjatë një shekulli histori të shtetit shqiptarë. Më 1938-n, një grup politikanësh opozitarë të kohës kërkonin nga shteti ndryshimin e emërtesave të vendbanimeve. Kjo tezë e konvertimit në shqip të emërtesave me bazë sllave është përsëritur edhe në vitet e diktaturës. Ish-Byroja Politike dhe diktatori Hoxha u janë drejtuar gjuhëtarëve me kërkesën për të punuar mbi një teori mbi shqiptarizimin e mundshëm të toponimeve. Është këtu me vend të përmendet se ish-diktatori ka luajtur shpesh me teza të nacionalizmit për fituar me stil propagandistik simpatinë e disa shtresave popullore jo vetëm në vend, por edhe në Kosovë apo diasporë.

Toponimet dhe patronimitë (emërtesa vendesh dhe mbiemra) nga gjuhë të huaja, sllave apo otomane, janë studiuar në mënyrë cilësore dhe voluminoze nga albanologë dhe gjuhëtarë të njohur. Përmend këtu profesorë të gjuhësisë si Çabej, Mancaku, Bidollari, Memushaj, Omari e shumë të tjerë. Instituti i Gjuhësisë dhe katedrat tona të filologjisë vijojnë t’i studiojnë këto fenomene gjuhësore duke publikuar me dhjetëra artikuj e punime. Toponimet e huaja janë konsideruar pjesë e dialektikës gjuhësore dhe dëshmi e historisë së organizimit në shtet për territoret shqiptare. Këto toponime janë fakte historike me jetëgjatsi shekullore, të përvetësuara në gjuhën e përditshme dhe të zyrtarizuara në hartat fizike të kontinentit europian.

Emërtesat sllave nuk janë “infeksion” vetëm i zonës kufitare të Korçës. Toponimet sllave gjenden në Jug, Lindje dhe Veri të vendit, si Velipoja, Zagoria, Berati, Çorovoda, Zadrima, Novosela e Bistrica. Të ndryshosh hartën fizike botërore sot është tepër e vështirë, deri e pamundur.

Shteti i parë shqiptar daton më 1912-n, por organizime të territoreve shqiptare në forma shteti datojnë më herët. Territoret shqiptare kanë qenë pjesë e shtetit Ilir, Perandorisë Romake dhe asaj të Bizantit. Për mesjetën njihen sundime të Shteti Anzhuin apo Perandorisë Sllave të Stefan Dushanit. Më tej historia e territoreve shqiptare lidhet ngushtë me Perandorinë Otomane, atë që ne e njohim si pushtimi turk. Këto organizime të territoreve shqiptare në shtet, herë janë shoqëruar me forma vasaliteti e autonomie lokale, e herë me histori pushtimesh të ashpra e asimilime. Çdo perandori lë gjurmë në historinë, gjuhën, antropologjinë e një vendi.

E ndritur apo e errët, historia e shqiptarëve dhe territoreve të tyre duhet pranuar me faktet e saj. Fakt është se harta e parë fizike dhe administrative e disa zonave u hartua me bazë emërtesash në gjuhën e vjetër sllave kur territoret ishin nën sundimin e kësaj perandorie. Toponimet sllave e kanë zanafillën tek organizime administrative të pushtimeve serbe dhe bullgare, shek. XII. Vendosja e emërtesave sllave ka të njëjtin historik si ajo e shumë mbiemrave tanë me bazë turqishten e vjetër. Një lëvizje për ndryshimin e emërtesave të vendeve është shumë e ngjashme me kërkesën për të ndryshuar mbiemrat me prejardhje nga turqishtja.

Mbiemrat e parë u vendosën për shtresa të larta shoqërore, e kryesisht hierarkia fetare. Pajisja e popullsisë me mbiemra ka përfunduar në fillim të shekullit XX. Në një kërkim shkencor për patroniminë, Prof. Çlirim Bidollari sjell edhe klasifikimin e njëqind mbiemrave më të përdorur në vend. Studimi është ngritur mbi bazë të hulumtimit të regjistrimit të popullsisë të vitit 1945, ballafaquar me listat zgjedhore të 2003-2005. Mbiemri më i përhapur në historinë e mbiemrave shqiptarë është ai i ish-diktatorit Hoxha. Në listën njëqind-mbiemërore nuk gjenden Topi e Berisha, por nuk mungojnë Spahiu, Balla, Bushati, madje edhe mbiemri i kryebashkiakut të Tiranës, Basha. Mbiemri i shefit aktual të opozitës, njëkohësisht mbiemër edhe i zonjës prokurore të Përgjithshme, pra Rama, është në vendin e tetë. Sipas Prof. Bidollarit, mbiemrat shqiptarë janë të ndarë në katër kategori sipas kriterit të formimit të tyre.

Një prej kategorive përmban mbiemrat që vijnë nga profesionet dhe në pjesën dërrmuese ky grup përkon me emërtesa të turqizmave, si p.sh., Furrxhi, Kadi, Pasha e Spahi. Mbiemri i fundit ka të bëjë me një kategori që ushtronin profesionin e luftëtarit në një organizim vasaliteti ku spahiu i një grupi të vogël banorësh kishte target të mblidhte taksa mbi disa familje. Kundrejt këtij privilegji financiar, në kohë lufte detyrohej të vinte në dispozicion të sundimtarit një numër luftëtarësh. Nëse do të shqipërohej spahiu (spahia) do të konvertohej në luftëtar-taksidar.

Politika nacionaliste fragmentare kundrejt politikës negociatore europiane janë dy modele mes të cilave duhet të përzgjedhë grupi i liderëve shqiptarë. Zoti Topi dhe të tjerë politikanë mund të zgjedhin të parën kundrejt së dytës, duke formuluar kërkesa për ndryshime toponimesh dhe mbiemrash. Nacionalizmi mund t’i sigurojë dëgjueshmëri, populizëm dhe elektorat në shumë rrethe të periferisë apo qendrës së vendit. Por, e thënë shqip, rrugët politike të nacional-fragmentarizmit devijojnë larg forumeve të Strasburgut apo Brukselit.

Aktualizimi i toponimeve të huaja me konfliktin për emërtesën e Maqedonisë, është konteksti më negativ i synimit shqiptar për qytetari europiane, si bashkëjetesë kulturash dhe koshiencë historike. Është në dorë të zotit Topi të zgjedhë modelin e tij si lidership i mundshëm. Por, sa kohë që flet si kryetar shteti, duhet të respektojë kontekstin historik dhe frymën aktuale të integrimit europian.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama