Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbjellja e arrorëve dhe mandati i 2013-s!

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Aranita Brahaj
Mbjellja e arrorëve dhe mandati i 2013-s!

Punojeni tokën bijtë e mi, se do gjeni…”! Kjo frazë proverbiale e një përralle shqiptare është e njohur për fëmijët e viteve tetëdhjetë. Ekranizuar nga artistë të Kinostudios, përralla aktualizohet teksa dëgjojmë Kryeministrin t’u kërkojë bujqve të mbjellin arrë, lajthi apo ullinj.

Fabula është e thjeshtë. Një bujk i moshuar punonte, ndërsa tre djemtë e tij gëzonin në stilin shqiptar të kalasë dibrançe. Tek vinte dita të ndërronte jetë, plaku frikohej se të bijtë do të mbeteshin përtacë, lojtarë, të vobektë. Në ditën e amanetit ai trilloi për një qyp me florinj fshehur. Djemtë e besuan, ndaj gërmuan arat e djerrat për ta gjetur. Të zhgënjyer nga trilli i plakut panë se me ethet e arit i kishin lëruar tokat më mirë se kurrë më parë. E kështu vendosën të mbjellin. Në vjeshtë korrën dhe volën begatitë e një viti të bekuar. Kuptuan se toka nuk kishte flori, por ishte e vyer.

 Kjo përrallë bëhet aktuale jo për analogji të personazheve, por për motivin proverbial. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave për këtë vit, zoti Berisha kish zgjedhur të fillonte dekadën e tretë të jetës së tij prej politikani duke folur për mbjellje lajthish, ullinjsh, shege e arre. Ky fillim viti me projekte agrare pasoi në prill me një takim në Universitetin Bujqësor. Kulmoi në verë me një nga turet e kreut të shtetit në zonat rurale të Juglindjes.

Duke lexuar të plotë fjalën e kreut të Ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kupton se më shumë se një proverb i një burri politikan në vigjilje të moshës së tretë, fushata në fjalë është pjesë e një projekti politik dhe ekonomik. Maxhoranca aktuale po përgatitet të hartojë programin konkurrues për një mandat të tretë qeverisjeje.

Sipas statistikave të hulumtuara nga Open Data Albania, në vitin 2010 sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth tetëmbëdhjetë për qind të PBB (GDP), duke përbërë një sektor me rëndësi. Por bujqësia në Shqipëri është aktualisht pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë dhe vuan fragmentarizim të theksuar. Tokat bujqësore zënë vetëm njëzet e katër për qind, ndërsa kullotat dhe fondi pyjor përbëjnë rreth shtatëdhjetë e gjashtë për qind të tokave. Ky raport duket se favorizon pemëtarinë. Në pesëdhjetë e pesë për qind të sasisë prodhimi bujqësor është blegtoral, tridhjetë për qind nga bimët e arave dhe vetëm pesëmbëdhjetë për qind pemëtari. Rrethi më i pasur bujqësor në vend është Fieri, me katërmbëdhjetë pikë katër miliardë lekë të ardhura nga fermat, më i varfëri është Kukësi, me vetëm dy miliardë lekë në vit.

Vitin aktual buxheti për sektorin bujqësor nuk përmban ndonjë ambicie në mënyrën e financimit publik, madje është tkurrur ndjeshëm në rishikimin e fundit të buxhetit fillestar. Por, nga ana tjetër, Kryeministri rrëfen se projekti i mirëfilltë do të pasojë përfundimin e projektit për rrugët rurale, projekt që megjithëse në sektorin e transportit, indirekt mundëson edhe dërgimin e prodhimit drejt qyteteve.

Pyetja shtrohet nëse përmban ambicie dhe përligjje për sukses elektoral një program i mbështetur te bujqësia! Dy vjet më parë, teksa u shfaq publikisht duke mbjellë ullinj, shqiptarët menduan se Kryeministri po ulte tensionet politike duke iu përkushtuar mbjelljes së një druri me jetëgjatësi shekullore. Në 2011-n kemi njëqind e tetë biznese të prodhimit të vajit të ullirit (burim ODA). Ky lloj prodhimi regjistrohet i treti në sektorin e agroindustrisë menjëherë pas bizneseve të bloje-furrtari dhe përpunim qumështi. Çmimi vajit të ullirit të Borshit apo Krujës në treg është shumë më i lirë se i importit. Ai konkurron në shije markat më të mira të Jugut të Italisë apo fqinjit tonë tokësor, Greqisë. Sipas deklaratës së Kryeministrit, fushata për mbjelljen e ullirit është finalizuar me inventarin e dhjetë milionë rrënjëve, më shumë se gjysma janë pemë të reja.

Nëse ullinjtë ia dolën në kohë krizash të mbajnë në këmbë njëqind e tetë biznese të regjistruara, a do të mundet bujqësia dhe agroindustria të rrisin ekonominë vendase dhe t’i bindin shqiptarët të votojnë të djathtën për një mandat të tretë? Vendosja e bujqësisë si prioritet përmban disa synime me impakt të gjerë ekonomik si më poshtë.
Rrit prodhimin vendas. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar krizës është rritja e prodhimit vendas. Kjo analizë e ekspertizës ndërkombëtare të çon te sektori bujqësor si sektor kyç me mbi tetëmbëdhjetë për qind të prodhimit. Ekonomia kombëtare e shtrirë në dy vende, si Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, është në parametra negativë krahasuar me rajonin sa i takon prodhimit në vend.

Dy vendet shqipfolëse kanë përqindjen më të ulët të eksporteve ndaj PBB (hulumtim i ODA, përkatësisht RSH 9.5%; RK 4.6%). Bilanci tregtar dëshmon se raporti shitblerje për produkte bujqësore me jashtë është në nivelin diskriminues një me dhjetë. Ky raport tregon se vendi ka nevojë për politika në sektorin bujqësor. Për shkak të konkurrencës dhe efekteve të marrëveshjes së tregtisë së lirë, subvencionet duhet të stimulojnë sektor me potencial dhe resurse. Ministria e Bujqësisë ka referuar për dhjetë deri dymbëdhjetë lloje drurësh frutorë që mbartin këtë karakteristikë. Rritja e prodhimit përmirëson si konsumin dhe bilancin tregtar.

Rrit numrin e të punësuarve në bujqësi dhe agroindustri. Më shumë se gjysma e të punësuarve në vend i përkasin sektorit privat të bujqësisë. Tre vitet e fundit numri i të punësuarve në këtë sektor ka pësuar rënie, por qëndron në nivelin pesëdhjetë e pesë për qind. Në vitin 2009 ekzistojnë të regjistruar si biznese të agroindustrisë dy mijë e tetëdhjetë e një të tilla.

Krijohet tregu dhe vlera e tokës bujqësore. Aktualisht tregu i tokës bujqësore (pa destinacion urban/industrial) është joekzistent. Vendosja e bujqësisë në politika prioritare do të stimulonte blerje të tokave nga kultivues-investitorë potencialë, duke shmangur edhe fragmentarizmin. Tridhjetë për qind  e popullsisë janë ish-fshatarë të transferuar në qytete në dy dekadat e fundit (burim ODA). Këta banorë të qyteteve janë ende pronarë të një sasie të vogël toke, e cila, në rast mostjetërsimi, mbetet e papunuar dhe jo rentabël. Pas tkurrjes së disa sektorëve si ndërtimi apo shërbimet, është bujqësia që në kuadër edhe të krizës ndërkombëtare, përmban interes për vitet në vijim.

Ndikim i gjerë social. Pesëdhjetë për qind e popullsisë aktualisht jeton në fshat. Jetesa e tyre është e lidhur me bujqësinë dhe emigracionin. Kriza e papunësia në Greqi dhe Itali bën që shqiptarë të punësuar si bujq sezonalë të kthehen duke pasur si alternativë të vetme punën në ekonominë fshatare.

Projekti i arrorëve, ndryshe nga ullinjtë dhe agrumet, shtrihet në gjithë territorin e vendit, duke përfshirë edhe zonat malore të Lindjes, më të varfra kundrejt pjesës perëndimore të vendit.

Përfitimi nga instrumentet financiarë të BE. Fillimi i projektit synon dukshëm përfitimin nga skema e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural, IPARD si pjesë e IPA-s, instrument i asistencës së përdorur nga BE-ja për mbështetjen e vendeve në fazë para-anëtarësimi. Veç ambicies dhe strategjisë, qeverisë shqiptare, për të përfituar nga ky instrument financiar evropian, i duhet të fitojë statusin e kandidatit. Nëse statusi vend kandidat finalizohet, qeveria shqiptare mund të përfitojë nga grandet e BE-së për bujqësinë në vitin 2013. Strategjia për bujqësinë dhe aksesimi në instrumentet financiare të BE-së do të aktivizohej edhe në rast rotacioni politik.
Projekti i paraprezantuar nga Kryeministri është tejet korrekt dhe progresiv në këndvështrimin teorik të indikatorëve dhe premisave.

Por ai ende nuk është shpalosur me një buxhet. E majta duhet të përgatitet të sjellë oponencë teknike dhe politike. Në modelimin pluralist opozita duhet të parashtrojë një projekt konkurrues në garën për mandatin 2013-2017, duke prezantuar edhe prioritetet e programeve. Fushata paraprake po e afron Kryeministrin me shumë kategori sociale. Shqiptarët, të sprovuar në emigracion, të sfilitur nga papunësia, të trembur nga kriza, të bindur se kapitalizmi nuk ka lugë të arta e cek të bardhë janë pjesë e fabulës proverbiale: “Punojeni tokën… se do ta gjeni”!!!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama