Integrimi: Qeveria, Parlamenti dhe shoqeria civile

Shkruar nga: Ermelinda Meksi  
Botuar më: 10 vite më parë

Ermelinda Meksi
Integrimi: Qeveria, Parlamenti dhe shoqeria civile

“Inflacioni” që ka përfshirë politikën dhe opinionin publik me liberalizimin e pritshëm të vizave në zonën “Shengen” ka lënë në hije çështjen thelbësore të aspiratës së shqiptarëve integrimin europian. Nëse fushata mediatike fosforeshente e qeverisë përpiqet ta zhvendosë me dashje vëmendjen nga fati i fitimit ose jo të statusit të vendit kandidat, te lëvizja e lirë është e kuptueshme për shkaqe që dihen, në impiantin e diskutimeve politike dhe publike çështja e vizave nuk duhet të zbehë reformat kryesore për integrimin në familjen europiane. Një qasje tjetër nga propaganda Shengen e qeverisë sjell botimi nga fondacioni “Soros” i raportit të monitorimit të zbatimit të MSA-së, si një kontribut nga pozita të pavarura, për të vlerësuar progresin e reformave për zbatimin e MSA dhe axhendës europiane për anëtarësim. Monitorimi i zbatimit për periudhën 2009-2010 i Planit Kombëtar në Zbatim të MSA( PKZMSA) hartuar  për periudhën 2009-2014 shtrihet në disa plane: kriterin politik të Kopenhagës: administratën publike, reformën në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit, decentralizimin, reformën në sistemin e burgjeve, mbrojtjen e minoriteteve dhe kriterit të standardit europian: parandalimin e pastrimit të parave, luftën kundër drogave, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ilegal, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e të dhënave personale dhe  koordinimin/monitorimin e procesit të integrimit europian.

Në këtë shkrim, përtej rolit të Kuvendit për të realizuar funksionin e tij kontrollues ndaj qeverisë, dua të ndalem në rolin që mund dhe duhet të luajë media dhe shoqëria civile për të ushtruar presion pozitiv ndaj qeverisë për zbatimin e angazhimeve të marra.
Propaganda me vizat dhe ngecja e reformave

Prej dy vitesh vëmendja e të gjithëve është fokusuar te liberalizimi i vizave, duke lënë pothuajse mënjanë realizimin e angazhimeve (ku kërkesa e opozitës dhe rezoluta e PE për transparencë e procesit zgjedhor duhej të konsiderohej si prioritet nga të gjithë) për marrjen e vendit kandidat dhe duke rrezikuar që dhe në këtë çështje të mbetemi të fundit, si dhe me liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave është një aspekt i rëndësishëm pozitiv për të gjithë shqiptarët, sepse i bën ata të lëvizin të lirë në zonën shengen, por nuk ka impakt përfitimi direkt (të paktën nga pikëpamja kohore afatshkurtër) në zhvillimin ekonomik të vendit (sepse në një fazë të parë, ata që do të udhëtojnë jashtë vendit për turizëm etj., do të shpenzojnë një pjesë të kursimeve të tyre jashtë Shqipërisë, ndërkohë që mund të këtë efekte në zhvlerësimin e lekut dhe mbiçmimin e euros).

Ndërsa marrja e statusit të vendit kandidat ka një impakt ekonomik dhe zhvillimor shumë të madh, sepse ajo na afron realisht me Europën, pasi ekonomia do të jetë më funksionale, i bën bizneset me konkurruese dhe do të rriten ndjeshëm grantet që nxisin zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Pra, në qoftë se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për çdo individ që dëshiron të udhëtojë jashtë, marrja e statusit të vendit kandidat është e rëndësishme dhe përfituese për çdo qytetar shqiptar, për shoqërinë dhe për ekonominë tonë kombëtare, pasi do të synonte të vendoste standardet europiane brenda Shqipërisë. Për këtë mjafton të përmendim vetëm faktin se në qoftë së Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat, fondet që BE-ja jep në formë grantesh për Shqipërinë do të 4 – 5-fishohen (pra nuk do jenë 80 milion euro sa janë parashikuar aktualisht, por do ishin minimalisht  250 – 300 milionë euro në vit). Për këtë mjafton t’u referohemi fondeve që merr Maqedonia, apo edhe të shohim përpjekjet që po bën politika serbe për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Kujtoj se këto janë fonde falas dhe jo kredi piramidale me interesa rreth 15 për qind (si ajo e vitit të kaluar) apo 7,5 % si eurobondi, për të cilat ekonomia jonë ka shumë nevojë.
Rishikimi i planit kombëtar të MSA

Autorët tërheqin vëmendjen për një rishikim thelbësor të planit kombëtar të zbatimit të MSA për ta kthyer atë në një dokument strategjik të besueshëm për t’u përdorur si një udhërrëfyes bazë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Për këtë sugjerohet krijimi i një mekanizmi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi në këtë proces rishikimi dhe monitorimi raportimi dhe trasparencë të këtij plani. Ky propozim që diskutohet prej kohësh ka ardhur koha të konsiderohet me shumë seriozitet nga qeveria. Procesi i integrimit si sfidë kombëtare do jetë i suksesshëm vetëm nëse përfshihen gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare, ku veç qeverisë dhe Parlamentit, bëhen pjesë e rëndësishme e këtij procesi shoqëria civile, profesorati dhe grupe të ndryshme interesi. Për shembull Parlamenti e ka të vështirë të bëjë një monitorim cilësor të procesit të integrimit dhe për këtë arsye duhet kontributi i ekspertëve të shoqërisë civile si një vlerë e shtuar në këtë proces si për Parlamentin dhe për qeverinë, ku kapacitetet e administratës publike nuk janë në nivelin që kërkon procesi i integrimit.
Roli i shoqërisë civile

Raporti sugjeron hapjen ndaj shoqërisë civile që kjo e fundit të monitorojë shkallën e përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së. Ky rekomandim vjen nga mungesa e informacionit të besueshëm në këtë drejtim. Analiza mbi shkallën e përafrimit të legjislacionit tonë, do të nxirrte në pah se cilët janë sektorët më të avancuar dhe ata më pak të avancuar apo problematikë për të kuptuar distancën reale nga BE dhe punën konkrete që duhet të bëjmë për të zvogëluar këtë distancë që shpejton integrimin europian.

Kujtoj se sipas  nenit 6 të MSA: “Asocimi zbatohet në mënyrë progresive dhe do të realizohet plotësisht përgjatë një periudhe transitore që mund të shkojë deri në dhjetë vjet, e ndarë në dy faza të njëpasnjëshme. Gjatë fazës së parë që do të thotë 5 vitet e para pas hyrjes në fuqi të MSA synohet që përafrimi dhe ekzekutimi i ligjeve të përqendrohet në elementet themelore të acquis( Tregu i brendshëm si dhe si konkurrenca, të drejtat e pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare, prokurimi publik, standardet dhe certifikimi, shërbimet financiare, transporti detar dhe tokësor, sigurisë dhe standardeve mjedisore, aspekteve sociale – ligji për shoqëritë tregtare, kontabiliteti, mbrojtja e konsumatorit, mbrojtja e të dhënave, shëndeti dhe siguria në punë dhe mundësi të barabarta). Kjo do të thotë që ky angazhim duhet të përmbushet deri në vitin 2011, sepse çështjet e tregut të brendshëm kanë hyrë në fuqi me marrëveshjen interim qysh në dhjetor të 2006-s. Kush më shumë se media dhe shoqëria civile, përveç opozitës duhet t’ia kujtojë qeverisë realizimin në kohë të këtyre angazhimeve që pas një viti duhet të përmbushen?
Koordinimi institucioneve

Procesi i integrimit europian i tejkalon limitet e ekzekutivit dhe është një proces kombëtar. Prandaj e konsideroj shumë të rëndësishëm  sugjerimin që vjen për një nevojë për mirëkoordinimin e institucioneve si Ministria e Integrimit Europian, Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti për programimin e fondeve të IPA. Nevoja për mirëkoordinim është thënë edhe më parë në raportet e BE. Por mendoj se ka ardhur koha dhe është shumë e mirëpritur nga të gjithë një analizë e efikasitetit të përdorimit të fondeve IPA deri më sot, për të parandaluar planifikimin jo efektiv të tyre. Për shembull, sistemi i drejtësisë, si një nga më problematikët për sa i takon funksionimit të tij, si dhe sektori i bujqësisë si një nga aktivitetet ekonomike më kryesore qoftë për sa i takon kontributit në PPB ashtu edhe punësimit, janë cilësuar si nga qeveria ashtu edhe nga BE-ja si dy sektorë prioritarë në kuadër të fondeve IPA.  Do ishte ndihmëse për Parlamentin të shihte pas këtij monitorimi nëse  këta sektorë janë konsideruar prioritarë në shpërndarjen e fondeve IPA veçanërisht kjo për programimin e IPA për 2011, që tashmë qeveria i ka paraqitur Komisionit Europian.

Për fat të keq për këto fonde informacioni mungon jo vetëm ndaj shoqërisë civile, por edhe ndaj Kuvendit, i cili me gjithë kërkesën e bërë Ministrisë së Integrimit nga Komisioni i Integrimit Europian nuk ka informacion për projektpropozimet e qeverisë për IPA 2011, kur dihet që këto propozime i janë paraqitur delegacionit të BE në Tiranë që në fillim të muajt korrik 2010 dhe tashmë duhet të jenë dërguar në Bruksel edhe fishat e projekteve të përzgjedhura nga qeveria. Prandaj rekomandimi në këtë raport të ekspertëve të shoqërisë civile për marrjen e informacionit për fondet e IPA, si dhe krijimin e një mekanizmi për konsultime të rregullta midis institucioneve të interesuara është shumë i drejtë dhe i vlefshëm.

Në përfundim, uroj që ky raport të shërbejë si material i vlefshëm pune veçanërisht për ata sektorë të qeverisë që janë të prapambetur në realizimin e angazhimeve të marra duke vlerësuar në veçanti rekomandimet  konkrete në çdo sektor. Vetëm kështu kontributi i shoqërisë civile nuk do të mbetet vetëm në nenin 14 të rregullores së Këshillit të Ministrave dhe do nxisë më shumë iniciativa të reja që kontribuojnë në përshpejtimin e realizimit të aspiratës europiane të shqiptarëve.



Autorja: Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama