Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur argumenti përgënjeshtron retorikën

Shkruar nga: Ermelinda Meksi  
Botuar më: 15 vite më parë

Ermelinda Meksi
Kur argumenti përgënjeshtron retorikën

Para disa ditësh, megjithëse jo zyrtarisht, u njohëm me të dhënat faktike të buxhetit të shtetit të vitit 2009. Them jo zyrtarisht, sepse akoma asgjë nuk është vendosur me transparencë në website-t e Ministrisë së Financave. Kjo nuk ka nevojë për koment, sepse sa herë qeveria ka frikë nga realiteti, mbyll informacionin “në kuti”. Kjo është arsyeja që te ne informacioni nuk ka shërbyer asnjëherë si pushtet në vendimmarrje. Ai si informacion i fabrikuar nga pushteti ka synuar vazhdimisht të shesë një realitet virtual larg së vërtetës që ndiejnë shqiptarët. Kështu të dhënat e buxhetit faktik 2009 përgënjeshtrojnë sukseset që na u servirën gjatë gjithë vitit 2009.

Mosrespektimi i disiplinës financiare

Për këtë arsye, në shtjellimin tim të mëposhtëm, dua të trajtoj aspektin tjetër; nivelin e respektimit të disiplinës financiare-buxhetore, nëpërmjet analizës së realizimit të ligjit të buxhetit. Ky ligj sintetizon politikën ekonomike të qeverisë dhe shërben për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, në qoftë se respektohen (realizohen) treguesit buxhetorë të aprovuar sipas këtij ligji.

Për vitin 2009, qeveria paraqiti tre buxhete të ndryshme, duke pranuar në mënyrë indirekte ndikimin e krizës në ekonominë shqiptare. Dy prej buxheteve u korrigjuan, duke ulur treguesit e të ardhurave, në tre muajt e fundit të vitit. Në vija të përgjithshme, në një buxhet fillestar, përcaktohet sasia e të ardhurave që synohen të mblidhen, si dhe sasia e shpenzimeve qofshin ato korente (për funksionimin e mekanizmit qeveritar) apo kapitale (për investime). Korrigjimi i buxhetit është një fenomen i njohur, por nëse rishikimi dhe rregullimi i objektivave financiare kryhet disa herë në një periudhë të shkurtër, siç është rasti i fundit në Shqipëri, dhe pavarësisht rregullimit vërehen përsëri mosrealizime të ndjeshme, atëherë kjo dëshmon paaftësi parashikuese dhe zbatuese të qeverisë që nuk do të kalohej lehtë dhe pa shpjegime në asnjë vend të Bashkimit Europian dhe më tej.

Në Shqipëri, një situatë e tillë mosrealizimesh pas disa korrigjimesh buxhetore jo vetëm nuk shpjegohet, por fshihet dhe propagandohet nga qeveria si arritje. Konkretisht të ardhurat në buxhetin e konsoliduar për vitin 2009 u realizuan në masën 299,2 miliardë lekë ose 93,5% apo 20.6 miliardë lekë më pak se plani i korrigjuar për herë të tretë në dhjetor 2009 nga qeveria me akt normativ (i aprovuar në Parlament në janar të 2010-s) ose 35,6 miliardë lekë më pak kundrejt buxhetit fillestar. Pra kjo qeveri ka krijuar një mungesë të hyrash në ekonominë tonë për 2009 që varion nga 206 deri në 356 milionë dollarë, në varësi të krahasimit përkundrejt asaj që ajo vetë programoi me buxhetin fillestar apo me atë të korrigjuar në fund të vitit. Ndërkohë akoma qeveria nuk ka dhënë asnjë argument publik mbi shkaqet e këtij mosrealizimi buxhetor dhe kush është përgjegjës për të. Për ta bërë më të kuptueshëm këtë mosrealizim të ardhurash, mjafton të themi se ajo është sa sasia e parave që qeveria kërkon të marrë hua (borxh) nëpërmjet eurobondit, për të cilin do të duhen të paguhen interesat.

Realiteti përgënjeshtron qeverinë

Në një vështrim më të përgjithshëm makroekonomik, realiteti i shifrave pas një viti përgënjeshtroi qeverinë, duke vërtetuar paralajmërimet e bëra nga opozita dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Si rrjedhojë e mosrealizimit të të ardhurave, që u frynë nga euforia e rritjes ekonomike në vitin 2009, deficiti buxhetor, treguesi më i rëndësishëm që shpreh ekuilibrat makroekonomikë nga 4.6% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) u rrit në mbi 7% të PPB dhe borxhi publik nga 54% në 60% të PPB. Këtu nuk po ndalemi për rezervat tona në vlerësimin e produktit kombëtar ose PPB, i cili nuk llogaritet, por fabrikohet si vlerësim nga INSTAT-i, i kthyer në një vegël të qeverisë. Rritja ekonomike u kthye në anekdotë, megjithatë paralajmërimet e opozitës nuk shqetësuan aspak qeverinë. Situata aktuale tashmë konfirmoi shqetësimin tonë të përsëritur, (për maturi në programimin e shifrave të buxhetit, për të mos cenuar ekuilibrat makro të arritur jo pa sakrifica pas katastrofës së 1997-s), se qeveria është të jetë paaftë të realizojë rolin e saj parashikues për të zvogëluar efektet e padëshiruara në ekonomi. Ajo tashmë është provuar se ka dështuar në këtë rol nga papërgjegjshmëria e saj.

Rritja ekonomike pas një viti nuk rezultoi sa u parashikua nga qeveria 5-6% në 2009, por në rastin më të mirë aq sa u parashikua nga FMN 0,4-1%, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit, rënia e ekonomisë është evidente. Nëse qeveria pretendonte të kundërtën, ajo duhet të shpjegojë: pse nuk janë rritur të ardhurat si dhe të shpjegojë gjithashtu nivelin e informalitetit dhe korrupsionin fiskal, i cili do të duhet të jetë shumë i lartë në këtë rast dhe që tregon mungesë reale reformash apo efekt negativ të masave të marra.

Rënia ekonomike, përveç të tjerave, është reflektuar nga rënia e aktivitetit tregtar gjatë 2009-s, që është shfaqur në uljen e importeve 2% dhe eksporteve 9%. Tërheq vëmendjen treguesi i eksporteve, që megjithëse ka një tendencë rritjeje në tremujorin e fundit të vitit në nivelin 13%, nuk reflekton rritje të të ardhurave, rënia e të cilave sipas analizave thellohet në tremujorin e fundit veçanërisht kur në muajin tetor dhe nëntor të ardhurat buxhetore bien përkatësisht 1,7 dhe 4,7 miliardë më pak kundrejt 2008. Qeveria do të duhej të shpjegonte arsyet që sjellin këtë realitet fiktiv, në vend të mburrjeve se politikat e saj (cilat janë?) sollën rritje eksportesh. Mburrja për rritje eksportesh nuk ka asnjë vlerë, nëse të ardhurat nuk rriten dhe deficiti i llogarisë korente (nga hyrja e valutës) që duhet të rezultojë nga ky fenomen nuk përmirësohet, por përkundrazi përkeqësohet.

Fiasko buxhetore

Po ndalem pak në analizën e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore, pasi aty konturohen qartë efektet e krizës në ekonominë tonë, për të cilën qeveria ende nuk ka një opinion të shprehur qartë. Si rrjedhojë, edhe masat që parashikon të ndërmarrë janë të paqarta, duke rrezikuar në 2010 një vit akoma më të vështirë se ky që kaloi.

Kështu, sipas zërave të buxhetit, ndërsa krahasimet bëhen me buxhetin e fundit të korrigjuar, që u aprovua në Parlament vetëm dy muaj më parë rezulton se: (a) të ardhurat nga ndihmat janë realizuar në masën 4 miliardë lekë ose 64% të asaj që u planifikua, apo 2.2 miliardë lekë më pak; dhe (b) të ardhurat tatimore janë realizuar në masën 270.8 miliardë lekë ose 94% të asaj që u planifikua apo 18,8 miliardë lekë më pak. Mosrealizimi i të ardhurave tatimore i dedikohet kryesisht mosrealizimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat prej 10.7 miliardësh më pak se ndryshimi i fundit buxhetor apo 21,4 miliardë se buxheti fillestar. Këto të ardhura u rritën 1,6% kundrejt vitit 2008, madje më pak se rritja e çmimeve që qe 2,4%. Kjo reflekton fare qartë dyshime në saktësinë e rritjes ekonomike të dhënë nga qeveria. Këto të ardhura janë ato që shprehin nëpërmjet TVSH, akcizave, tatimit mbi fitimin dhe të ardhurave personale, nëse ekonomia ka qenë e shëndetshme në rritje apo e kundërta. Konkretisht mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH qe 2.6 miliardë lekë kundrejt buxhetit të ndryshuar në fund të vitit ose 7 miliardë lekë nga ai fillestar. Justifikimi i qeverisë për ulje të ardhurash në këtë zë në 2009-n, si efekt i uljes së çmimeve të disa produkteve të importit, si karburante, hekur ndërtimi dhe drithëra, megjithëse teorikisht qëndron, ka nevojë për llogaritje analitike, sepse nga ana tjetër zhvlerësimi i lekut ka ndikuar pozitivisht për rritjen e të ardhurave nga TVSH. Prandaj duhet analizë e saktë mbi efektin e këtyre faktorëve që kompensojnë njëri-tjetrin. Ndërkohë kujtojmë se vjet, kur kishte rritje çmimesh të këtyre produkteve në tregun ndërkombëtar, qeveria rritjen e të ardhurave nga TVSH, nuk ia dedikoi këtij faktori, por performancës ekonomike dhe administratës tatimore. Sivjet të dhënat tregojnë se ka rënë kontributi i industrisë në TVSH, pra dhe i aktivitetit të sektorit industrial.

Konkretisht mosrealizimi nga të ardhurat nga akcizat qe 3 miliardë lekë, nga tatimi mbi të ardhurat personale 2.8 miliardë lekë dhe taksat vendore 6.2 miliardë lekë.

Këto mosrealizime shprehin në mënyrë të drejtpërdrejtë rënien e aktivitetit ekonomik të biznesit gjatë vitit 2009. Kjo rënie është reflektim i drejtpërdrejtë i faktit që gjatë vitit 2009, kreditimi u bë më i rrallë dhe më i shtrenjtë, duke sjellë rënie të ritmit të rritjes ekonomike, të zhvillimit të biznesit dhe për rrjedhojë dhe të të ardhurave buxhetore. Duke analizuar mosrealizimet në të ardhurat buxhetore, kujtoj se opozita u shpreh për një planifikim të pasaktë dhe euforik të tyre në një vit elektoral qysh një vit më parë, gjatë debatit parlamentar për buxhetin. Përsëri në datën 10 janar 2010, nëpërmjet një konference për shtyp në emër të PS deklarova se ndryshimi me aktin normativ ishte i pasaktë dhe nuk duhej aprovuar pa u korrigjuar më parë në Parlament. Rezultatet tashmë vetëtojnë se ky shqetësim rezultoi i bazuar. Megjithatë është e paimagjinueshme një paaftësi parashikuese kaq e madhe me aktin normativ i aprovuar në Parlament në fund të janarit 2010, që vërtetohet vetëm dy javë pas këtij korrigjimi.

Kjo diferencë (ose shkurt si pamje) në ecurinë e ekonomisë vërehet në të gjitha zërat e buxhetit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për axhustime të vogla, që mund të pranohen në korrigjimet e buxhetit, por bëhet fjalë për parashikime me gabime që i sollën buxhetit një mungesë të ardhurash rreth 206-350 milionë dollarë. Justifikimet e tipit se “papritur u prekëm nga kriza prandaj ndodhi ky mosrealizim” apo arsyetimet eklektike qeveritare se “jemi prekur nga kriza po nuk jemi në krizë” janë qesharake e nuk i shërbejnë askujt.

Buxhetet e korrigjuara si instrumente manipulues

Dritëshkurtësia qeveritare në distancë njëvjeçare nga buxheti fillestar megjithëse është shumë e madhe (350 milionë dollarë) edhe mund të justifikonte ndryshimet buxhetore, por të mos jesh i aftë të parashikosh të hyrat e buxhetit edhe në fund të janarit 2010, kur u aprovua akti normativ në Parlament, ndërsa viti 2009 kish përfunduar dhe të krijosh një deficit në të ardhurat prej 206 milionë dollarësh është skandaloze për Ministrinë e Financave dhe titullarin e saj. Në këto kushte pyesim se kujt i shërbejnë korrigjimet e herëpashershme të buxhetit që nuk respektohen?

Në një vend europian kjo situatë do provokonte dorëheqjen e qeverisë ose të paktën ministrit të Financave. Ndërsa në Shqipëri ndodh çudia, ku autorët e këtij parashikimi të gabuar dhe me pasoja të rënda për ekonominë, që do t’i paguajnë shqiptarët ndoshta në breza, guxojnë të flasin sikur asgjë nuk ka ndodhur, madje ta shesin këtë degradim të buxhetit për arritje. Kjo u përsërit së fundi edhe në një seminar me FMN-në, që provokoi për herë të parë reagimin e guvernatorit të BSH pas autolavdeve në ekspozenë e ministrit tonë të Financave, ku mosarritjet u shitën për suksese, duke ilustruar me statistika qesharake krahasuese ekonominë tonë me atë të vendeve të tjera (ne mbetemi vendi me ekonomi më të fortë, me këtë logjikë kujtoj se Afganistani me rritje 9% na e kalon) që vetëm mediokrit guxojnë t’i paraqesin, madje edhe në një seminar ndërkombëtar. Por reagimi i BSH për fat të keq do ngelet deri në atë seminar, për sa kohë ballafaqimi shkencor profesional i këtyre opinioneve nuk është institucionalizuar nga institucionet përgjegjëse. Në një seminar të rëndësishëm për problemet e ndikimit të krizës në situatën makroekonomike, përfaqësuesit e opozitës nuk u ftuan dhe aq më pak u mendua të ishin folës në atë aktivitet, megjithëse prej më se një viti kanë reaguar publikisht për këto çështje, falë përvojës akademike apo si titullarë institucionesh të rëndësishme të ekonomisë për vite. Është kjo arsyeja që për fat të keq, në vend të argumenteve, debati për çështjet ekonomike dhe performanca e ekonomisë shqiptare dominohet nga retorika boshe qeveritare që nuk bind askënd. Kur duhet të ishte e kundërta.

Papërgjegjësia me shpenzimet

Për sa i përket shpenzimeve buxhetore me gjithë mosrealizimet, rezultati faktik i shpenzimeve shfaq një dukuri negative, shpenzimet korente 282,9 miliardë lekë nuk mbulohen nga të ardhurat tatimore prej 270.8 miliardë lekësh. Kjo diferencë prej 12 miliardë lekësh quhet keqqeverisje dhe tregon se qeveria nuk mban dot veten, me gjithë retorikat “qeveri në dietë”. Ajo po merr borxhe dhe për të mbajtur veten dhe po ngushton kështu hapësirat për rritjen e ekonomisë. Kjo situatë shpreh mungesën e të ardhurave jo vetëm për të garantuar rritjen ekonomike, por edhe pamundësinë për rritje të nivelit të pagave dhe pensioneve të paktën për të përballuar inflacionin, pa folur për rritjen e mirëqenies. Ritmi i mosrealizimeve në vitin 2009 ka qenë më i lartë për të ardhurat se sa për shpenzimet. Kjo politikë ka rritur në mënyrë galopante të deficitit buxhetor. Ndërsa në buxhetin fillestar deficiti u parashikua të mbahej në nivelin 49 miliardë lekë, në fakt si rezultat i kryerjes së shpenzimeve me gjithë mosrealizimin e të ardhurave arriti 79.9 miliardë lekë, ose 30 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar.

Deficiti buxhetor megjithatë nuk është fatalitet, në qoftë se mbahet brenda normave të planifikuara, por nëse ai rritet mbi 60% ndaj nivelit të planifikuar në fillim të vitit siç ka rezultuar në vitin 2009, kjo flet për mungesë të disiplinës financiare nga qeveria, duke e kthyer buxhetin në një copë fletushkë. Për fat të keq kjo situatë sinjalizon ditë më të vështira. Borxhet dhe kostoja e tyre që rritet me shpejtësi do paguhen nga qytetarët shqiptarë. Shqiptarët po i provojnë në kurriz borxhet e shtrenjta të vitit të fundit në formën e një takse të fshehtë nga zhvlerësimi i monedhës, që ka sjellë rritjen e çmimeve. Ndërsa në 2009 gjitheshtë sa që erdhi nga rritja e të ardhurave shkoi për të përballuar rritjen e kostos së borxhit, në 2010 sipas të gjitha gjasave, rritja e borxheve dhe e kostos së tyre do jetë një barrë më e rëndë për shqiptarët. Ata do paguajnë jo vetëm rritjen e çmimeve nga zhvlerësimi i monedhës që nuk ka të ndalur, por edhe rritjen e taksave që do ndërmarrë me siguri qeveria. Ndërkohë kjo situatë, ku shtohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, nga një anë do të rrisë varfërinë, ulë fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe nga ana tjetër kjo do ketë efekt zinxhir në koston e shumë mallrave të prodhuara në Shqipëri, për rrjedhojë do të ulë konkurrueshmërinë e tyre dhe të bizneseve shqiptare.

Me gjithë euforinë e investimeve në një vit elektoral, shpenzimet kapitale në fund të vitit 2009 janë realizuar në nivelin 96% të planit vjetor të ndryshuar, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 10.9 miliardësh lekësh. Bie në sy përkeqësimi i raportit të shpenzimeve korente ndaj shpenzime kapitale, si dhe ndaj shpenzimeve gjithsej. Kjo për faktin se shumë shpenzime, si është sa për paga, pensione, për të përndjekurit politikë apo ndonjë shpërblim tjetër kanë shërbyer, si mjet për të manipuluar votuesit në një vit elektoral. Kjo po paguhet shtrenjtë sot, por më shumë në të ardhmen, si pasojë e rritjes galopante të kostos së shërbimit të borxhit, që po shoqërohet me rritje çmimesh nga zhvleftësimi i monedhës, zhvlerësim që tashmë ka kapërcyer rritjen e pagave dhe pensioneve parazgjedhore. Prandaj ky pushtet i blerë përbën një kosto shumë të lartë për shqiptarët.

*****

Analiza e realizimit të buxhetit për vitin 2009 pasqyron një situatë që ka reflektuar rënie të ekonomisë që është shfaqur me rënien e të ardhurave buxhetore veçanërisht në tremujorin e katërt. Në këto kushte dhe në dritën e leksionit që dha kriza buxhetore financiare në vendin fqinj, Greqinë, merr rëndësi të madhe diagnoza e qartë dhe pranimi i gjendjes reale nga qeveria në vend që të përdorë demagogjinë (duke menduar se bën politike të mirë, duke mos pranuar asnjë gabim) apo gjuhën vulgare deri në banalitet të kasnecëve të saj, që në vend ta mbrojnë e nxjerrin më shumë në pah këtë realitet në mungesë të argumenteve.

Prandaj merr rëndësi marrja e masave të sakta për të dalë nga kjo situatë, ku Shqipëria nuk hyri aq për efekt të krizës globale, por para së gjithash dhe mbi të gjitha nga papërgjegjshmëria e qeverisë që zbatoi këtë politikë fiskale elektorale.

Në ekonominë e tregut, kriza nuk është fatalitet. E papranueshme është mosmarrja e masave të duhura në kohë për të zvogëluar efektet e saj dhe nxjerrja e konkluzioneve dhe marrja urgjente e masave rregulluese për të mos lejuar më përsëritjen e saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama