Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vlera e dorëjeqjes

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Vlera e dorëjeqjes


SHQIPNI TAVOLINASH

Posaqë çështja e mandatit të Ilir Beqes u vu në qendër të debateve të llojit e ka bërë s’e ka bërë, duhet s’duhet, një shumicë prej komentarëve politikë nxituan të deklarojnë se Beqja duhet ta japë vetë dorëheqjen, për të mos e lënë veten të hyjë në gojët e botës. Sipas tyre, kjo do të ishte punë dinjitoze, se kështu konservohej sërish për t’u rifutur në politikë, e të tjerë argumente të llojit të menduar sipas lojërave politike të llojit arnaut.

Mirëpo, po ta zësh e ta mendosh jo arnautçe, por evropiançe, menjëherë të del se ia vlen të japësh dorëheqjen në Suedi e Holandë, por jo në Shqipëri. Se, për sa është e lehtë të dorëhiqesh nga një post në Angli apo në Zvicër, aq edhe bën zhurmë e bujë një gjest i tillë atje, pasi tregon se ka diçka që nuk shkon te sistemi. Në Danimarkë, të japësh dorëheqjen është dinjitet. Në Gjermani dorëheqja çon në reforma e ndryshime. Ndërsa në Shqipëri dorëheqja përjetohet si gjest frike dhe dobësie, se demek janë të tërë burra që si luan as topi. Për këtë mënyrë të menduari “alla Mic Sokol”, faji nuk është vetëm i politikës, por edhe i ne të gjithëve që i vëmë këtë damkë. Ca më tej, ustallarët e pësh-pësheve, do shtojnë se ky që hapi udhë vetë, do e ketë pasur mizën ndën kësulë, dhe ty të rruat pastaj që dhe dorëheqjen vetë.

Nga ana tjetër, dorëheqja në Shqipërinë e të uriturve për pushtet, shërben vetëm për një gjë: liron një vend për t’u sulur të tjerët që çahen e shqyhen për ta zënë. Oburra se u lirua një karrige, nxitoni shpejt se kush mund ta zërë. Dhe i dorëhequri që mbetet si hu gardhi mënjanë, i shtyrë nga turma, i harruar e i klasifikuar edhe për leshko.

Ditën që në sallën e Kuvendit u morën me imunitetin e Beqes, recitimet e deputetëve nga foltorja qenë publike, ndërsa votimi duhesh bërë i fshehtë, se kështu thotë edhe ligja për rastet kur votohet për persona. Natyrisht që Saliut nuk ia mbajti ta bënte të tillë, se mund të ndodhte që t’i tremeqisej e rrallohej ushtria, jo se kanë ndonjë dashuri të veçantë për Ilirin, apo se nuk duan Salinë, por se tek panë të shkojë në thikë Beqja, ashtu shohin edhe frikën për kokën e tyre. Ndaj, edhe nëse të detyruar votuan për t’i hequr imunitetin Ilirit, jam i bindur se së brendi duan që ai të vazhdojë të rezistojë. Edhe për këtë Iliri duhet vërtet të vazhdojë të rezistojë, jo për t’u lehtësuar frikën atyre, por se edhe ky është kontribut për ligjshmërinë.

Kurbani i Ilir Beqes, ua dha shqiptarëve normalë mesazhin që duhej, pra që në sistemin e së keqes, po u fute në mes si i pakorruptuar, të heqin qafe më shpejt se sa po të jesh i korruptuar. Tani Beqja ka detyrimin moral të përpiqet të japë edhe një mesazh tjetër, atë që në këtë vend e mira i bën ende rezistencë së keqes dhe nuk e vë kokën në satër si qengji.

Edhe një gjë të fundit. Ilirin, me hir a me pahir, do ta kryqëzojnë, se politikës në këtë moment i duhej një kurban. Por të paktën detyra e tij është t’ua bëjë sa më të vështirë këtë palaçollëk. Ti bëjë që në fund të thonë me duf: Vërtet ia futëm, por na nxiu jetën ama.

PUNËT E QEVERIVE

Në fund të botës, larg shumë larg, në hapësirën e pafund oqeanike përtej Australisë, është një ishull i vogël koralor që ngrihet vetëm pak metra mbi det, i quajtur ishulli Raine, i cili prej miliona vjetësh përdoret nga breshkat e ujit për të depozituar vezët. Në vitin 1844, në këtë ishull që, për shkak të nivelit shumë të ulët bëhej shkak për ngecje anijesh, u ndërtua një far nja 20 metra i lartë, i cili ekziston ende sot. Asokohe (dhe vazhdon të jetë), ishulli ishte pronë e kurorës britanike, që financoi edhe ndërtimin e farit. Duke ndjekur një dokumentar për breshkat e ujit që shkojnë në këtë ishull, mendja ime mori tjetër udhë.

Në këtë ishull që, edhe sot në kohën e ndërlidhjes në kohë reale dhe të udhëtimit me avion, është në fund të dynjasë, 170 vjet më parë dikush gjeti kohë që të raportonte për dëmtimin e anijeve. Qeveria britanike që rrinte në Londër, nja 20 mijë kilometra larg, e mori në shqyrtim kërkesën, e diskutoi dhe vendosi ndërtimin e një fari. Pastaj të tjera organizma u morën me hartimin e projektit, me përllogaritjen e kostove, me strukturën e ishullit, e të tjera çështje teknike. Pastaj qeveria e përfshiu financimin në buxhetin e atij viti që do diskutohej në Parlament dhe e mbrojti edhe para dy dhomave ligjvënëse, asaj të Komuneve dhe asaj të Lordëve. Në fund, Madhëria e Saj, Mbretëresha Viktoria, ka firmosur dekretin e financimit, duke ngarkuar Guvernatorin e Përgjithshëm Perandorak të Australisë me ndjekjen e zbatimit të projektit.

Pastaj do jetë organizuar një tender për të përcaktuar kush do ta ndërtojë, ai që ka fituar tenderin ka bërë tre muaj rrugë me anije (aq duhej asokohe) për të shkuar në Australi, ka ngritur një kantier, ka blerë e gdhendur gurët, pasi fari është i gjithi prej guri të skalitur, të cilët duheshin çuar një për një nga kontinenti në ishullin e largët, ndërsa aparati i ndriçimit është çuar atje që nga Anglia ku ishin fabrikat që i prodhonin. Pastaj është ngritur një tjetër kantier në ishull për të ndërtuar farin, ku për dy vjet qëndruan ekipet e punëtorëve, të cilëve çdo gjë, ujë ushqime, vegla e materiale, u shkonin nga Australia një javë rrugë larg me anije. Pastaj, pasi fari përfundoi, u caktua një rojtar që paguhej për ta mirëmbajtur e kështu me radhë.

Pastaj një komisar mbretëror shkoi nga Anglia për të vërtetuar punën e kryer dhe funksionimin e rregullt të farit, që pastaj u kthye në Angli për të raportuar për gjithçka. Në fund të gjitha aktet u lidhën bashkë me projektin në një dosje lëkure dhe u mbyllën në arkivat e Londrës, ku janë edhe sot. I rashë pak gjatë, por desha ta bëj sa më të prekshme se sa vullnet kërkojnë vendimet e qeverive të përgjegjshme edhe për gjëra që duken të vogla.

Dyqind metra nga institucionet kryesore të shtetit të shqiptarëve, ka tash dy vjet që rrinë zbuluar e s’u japin dot udhë, rrënojat e kalasë themeluese të kryeqytetit. Ministria e Kulturës nuk merret vesh me Bashkinë e Tiranës. Bashkia ia lë përgjegjësinë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Instituti thotë që meqenëse kemi të bëjmë me gërmime, përgjegjësia është e Institutit të Arkeologjisë. Ky i fundit thotë se as nuk na ka thënë gjë e as na ka thirrur njeri, pasi projekti është bërë nga grekët. Greku-arkitekt thotë që unë kam bërë projektin se më ka paguar Komuniteti Europian dhe s’di se ç’bëhet më pas. Zyra e Komunitetit thotë që ne jemi financues, por përfitues është Bashkia, nëpërmjet Ministrisë. Në këtë pikë qarku mbyllet dhe çdo gjë nis nga e para, vetëm 200 metra nga të gjitha këto ministri e bashki.

Pastaj rrimë e vrasim mendjen çfarë kanë anglezët më shumë se ne, që e mbajnë hundën përpjetë e s’na qasin në Evropë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama