Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Loja e Madhe

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Loja e Madhe

Duke ia lënë shtatorit rikthimin te politika e madhe, le ta shkojmë kohën me fillozofime në këto ditë zhegu. Si shumë të tjerë, ndiqja para ca ditësh te “T”-ja e “Digitalb”-it filmin “Dueli i heshtur”. Një marinar që zbaton detyrën, një kapter i pakënaqur, një komisar i pashëm dhe dy djem që duan të arratisen.

Islam Kalluli dhe Bepini (Reshat Arbana dhe Bujar Kapexhiu) janë dy djem që i kanë pasur baballarët tregtarë. Tani, shteti i ri komunist i ka shpronësuar, u kanë marrë edhe lekun e fundit dhe atyre s’u mbetet tjetër veç të arratisen për të rrojtur në Itali me paratë që u kanë mbetur nëpër bankat e përtej detit. Është e drejta e lindur e njeriut, për një jetë më të mirë, që i shtyn. Kapteri (Ndrek Luca) është i pakënaqur me gradën që i ka dhënë regjimi komunist dhe, i shtyrë edhe nga amerikanët, dëshiron të arratiset për të dëshmuar në Gjyqin e Hagës kundër Shqipërisë për incidentin e Kanalit të Korfuzit. Tjetri, ushtar Skënderi (Rikard Larja), vjen nga fshati, e ka pasur babanë partizan dhe tani kryen shërbimin ushtarak si çdo tjetër djalë i moshës së tij anekënd globit. Komisari, që edhe armiku detyrohet ta pranojë që “qenka burrë i pashëm”, kryen me ndërgjegje punën e vet, i bindur se komunizmit i takon e ardhmja e lumtur e botës. Të gjithë këta përplasen në një konflikt të përgjakshëm me njëri-tjetrin, brenda atyre pak metrave të luftanijes që gumëzhin gjithë kohën. Cili syresh ka të drejtë? Asnjëri plotësisht, secili nga pak.

Punë dreqi historia. Falë mundësisë që të shtrihet në kohë, ka aftësinë të na i kthejë përmbys bindjet e sotme, ta bëjë të mirë të keqen e djeshme dhe të keqe të mirën e sotme, ndaj ka vetëm një mundësi të kuptojmë ato që kanë ndodhur: të presim që koha të bëjë të sajën, pra të rrjedhë e qetë dhe e patrazuar. Ndoshta babai i Bepinit kishte shfrytëzuar kohën e luftës për t’u pasuruar, por kjo nuk i jep të drejtën fitimtarit që, pasi të jetë hakmarrë me babanë, t’i nxijë jetën edhe të birit. Logjika e thjeshtë të thotë që nëse i trajton si armiq dhe si kundërshtarë, të paktën lëri të ikin. Siç e thashë më lart, e drejta për një jetë më të mirë është e drejtë e lindur e njeriut dhe që e ka shoqëruar atë që prej kohës së shpellave kur ëndërronte një guvë me më pak lagështi e deri në ditët e sotme, kur ëndërron për veturë me kondicioner. Por kjo nuk u jep atyre të drejtën të grabisin anijen e vendit të tyre dhe për më tepër duke parashikuar të vrasin edhe marinarin roje.

Edhe kapteri ka të dejtë të jetë i pakënaqur që nuk mund të bëjë përpara në karrierë, vetëm e vetëm pse ka shërbyer në ushtri edhe në kohën e Zogut. Në fund të fundit, vendit të vet i ka shërbyer edhe atëherë, pasi qeveritë shkojnë e vijnë ndërsa Atdheu është po ai. Por kjo nuk i jep të drejtën të shkelë betimin ushtarak duke dezertuar dhe të grabisë anijen që Atdheu i vet ia ka besuar ta mbrojë.

Po Skënderi, marinari që mbron dhëmb për dhëmb anijen për të mos tradhtuar atdheun, virtyti më i lashtë ushtarak i të gjitha kohëve e vendeve, a ka faj? Ndër të gjithë personazhet ai është më në rregull. Ka bërë betimin, po kryen shërbimin ushtarak dhe mbron deri në fund këto dy gjëra të shenjta. Zor të gjeni ndonjë vend të botës të çdo kohe e të çdo lloj regjimi që nuk do ta dekoronte e himnizonte gjestin e tij, që nga Gjermania e Hitlerit, Rusia e Stalinit, Amerika e Obamës apo Britania e Elisabetës II.

Ajo që e kthen këtë film nga art në tragjedi jete, është fakti që e gjitha kjo është histori e vërtetë. Skënderi në ngjarjen e vërtetë është marinari Spiro Kote, që për gjestin e tij mori titullin Hero i Popullit (në cilin vend të botës nuk do të qe dekoruar për një gjest të tillë!?) dhe ka vdekur vonë në vitet ‘80. Në ngjarjen e vërtetë ai vrau dy prej atyre që donin të arratiseshin, ndërsa ktheu në tokë të tretin. Durrsakët e vjetër duhet të mbajnë mend gjyqin që iu bë në kinema këtij fatziut të mbetur, dënimin e tij me vdekje dhe pushkatimin publik në murin e hyrjes së Portit, aty ku sot janë vendosur tavolinat e një klubi dhe kalamajtë pinë “Coca Cola” kapitaliste.

Kohët kanë ndryshuar. Nëse Bepini do ia kish dalë të arratisej atëherë, do kish kaluar një jetë të qetë nëpër botë dhe sot do të ish pritur si hero në atdhe, ku i plakur do të kthehej për të investuar dhe kështu edhe qeveria do të mburrej se po shtohen investimet e bashkatdhetarëve.

Familja e Skënderit, në mars të ’91-shit me siguri do ketë ikur refugjat me të tjera anije, për të cilat gjyshi desh dha jetën para 40 vjetëve. Nëse Skënderi do u kish vënë veshin fjalëve të Bepinit dhe do të ish arratisur me të, vërtet që do shpallej tradhtar në atdhe, por do kish ngritur familje e rritur fëmijë në Itali a Francë, që do të ktheheshin edhe ata në atdhe pas ’90-s, mes zilisë së shqiptarëve të këtushëm që hëngrën dhé me dhëmbë për 50 vjet, se nuk patën rast të tradhtojnë Atdhenë si ai.
Dëshmia e kapter Ramiut për fajësinë e Shqipërisë do kish qenë e rreme, pasi sot po vërtetohet se minat në Korfuz nuk i paskëshim vënë ne. Për më tepër, as Gjykatën e Hagës nuk e shajmë dot për vendimin jo të paanshëm që mori aso kohe ndaj shqiptarëve. E njëjta gjykatë, 60 vjet më pas, para pak ditësh mori një tjetër vendim, por kësaj radhe në favor të shqiptarëve duke u njohur pavarësinë e Kosovës. Edhe anglo-amerikanët, që atëherë ishin armiq realë, pasi në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, po nxisnin arratisjen e një anijeje luftarake të një vendi tjetër, sot i kemi miq e shkuar mikut dhe s’kanë më nevojë të na i marrin më anijet, pasi tani na i komandojnë ata vetë.

Por historia nuk bëhet me “sikur”. Nga gjithë ato drama e tragjedi njerëzore të së shkuarës, sot na mbetet vetëm një film i realizuar bukur, një kolonë zanore madhështore dhe një Ndrek Lucë i shkëlqyer nën rrobën e kapterit, tek thotë “Po kjo ishte loja moreee!!!”. Po, në fakt e gjithë e shkuara ishte një lojë e madhe tragjike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama